U.D. i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administrtës Publike z. Xhelal Sveçla priti në takim Myftiun Naim ef. Tërnava Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Prishtinë, 29 mars 2020 Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike z. Xhelal Sveçla priti në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim ef. Tërnava. Në këtë takim u bisedua për situatën në të cilën gjendet vendi ynë në këtë kohë të pandemisë, për angazhimet që janë duke i bërë institucionet e Kosovës në parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe në përgjithësi për menaxhimin sa më të mirë të situatës. Z. Sveçla falënderoi Myftiun Tërnava për kontributin që është duke dhënë institucioni i BIK-ut në tejkalimin sa më të lehtë të situatës së krijuar nga pandemia globale COVID-19. Ai po ashtu theksoi se tashmë kemi hyrë në një fushatë intensive vetëdijësuese, ku është e domosdoshme përcjellja e mesazheve që janë duke u bërë nga institucionet e Kosovës, në veçanti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për t’u kërkusr qytetarëve të Kosovës që t’i zbatojnë vendimet që janë marrë nga Qeveria e Kosovës, që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ai kërkoi që në kuadër të këtyre përpjekjeve të intensifikohen edhe thirrjet nga Bashkësia Islame e Kosovës. “Për MPBAP-në përfshirja e BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare në Kosovë në fushatën vetëdijësuese, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë që t’u kërkojnë qytetarëve t’i reduktojnë daljet e tyre vetëm atëherë kur vlerësohet se është e domosdoshme”, theksoi Sveçla. Nga ana e tij, Myftiu Tërnava përgëzoi institucionet e Kosovës për angazhimin që janë duke bërë në menaxhimin e kësaj situate. “Në këtë sfidë do të kenë patjetër mbështetjen e BIK-ut, në mënyrë që bashkërisht të luftojmë me të gjitha forcat dhe me ndihmën e Zotit do ta tejkalojmë këtë sfidë me përmasa globale”, tha Myftiu Tërnava. Në fund të takimit, Myftiu Tërnava vizitoi Qendrën Operative në të cilën po punon grupi Ndër-institucional për menaxhimin e inxidenteve 24/7.