Prishtinë, 20 tetor 2020
Organizuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (DIJANET) dhe nga Organizata për Bashkëpunim Islamik, sot, nëpërmjet platformës Zoom, është mbajtur Konferenca e liderëve fetarë myslimanë.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava. Ai në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, falënderoi fillimisht organizatorët, duke shprehur respekt dhe konsideratë të veçantë ndaj tyre. Mesazhi i Myftiut Tërnava kryesisht u fokusua në thirrjen për paqe dhe harmoni për të gjitha vendet e botës. Theks të veçantë ai i kushtoi thirrjes që u bëri vendeve islamike, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, që ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Temë kyçe e kësaj Konference ishte gjendja aktuale në botën islame dhe ndikimi i pandemisë Covid -19. Në këtë konferencë morën pjesë anëtarë të Organizatës Islamike për Bashkëpunim nga 68 vende të botës. Në fillim të kësaj konference, të pranishmit i përshëndeti presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.