Me emrin e Zotit Mëshiruesit Mëshirëplotë
Falënderimi i takon Zotit të botëve , Atë e madhëron çfarë ka në tokë e
çfarë ka në qiej Ai është i Gjithëpushtetshmi, Apsoluti.
Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë Muhamed
mustafasë ,familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnik.
Të dashur besimtarë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Vëllezër e motra
Sonte, në vaktin e iftarit besimtarët mysliman mbyllin agjërimin e muajit
të madhëruar të ramazanit, një ndër themelet e besimit islam, i cili
kryhet nga besimtarët vetëm për Krijuesin e gjithësisë.
Agjërimi si ibadet në vete ngërthen vlera të shumta, përmes së cilave
besimtarët arrijnë kënaqësinë e Krijuesit, ndaj të cilit me sakrificë dhe
me devocion unik shprehim përkushtimin e dashurinë ndaj Zotit.
Po ashtu agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit e bënë besimtarin
më të kujdesshëm e më të ndjeshëm ndaj familjes, farefisit rrethit e
shoqërisë, pra e bënë më të dashur, më të urtë e më human.
Misioni i agjërimit është të disiplinoj e fisnikëroj njeriun e komunitetin,
ta ringjallë shpirtëroren përballë materiales, të mirën kundër të keqes,
humanen e solidaren kundër egos e koprracisë, ndjesinë e përgjegjësisë
ndaj papërgjegjësisë e kështu me radhë, vlera këto që i japin kuptim e
substancë misionit të njeriut në këtë botë.
Ne gjatë gjithë muajit të ramazanit, të cilin po e përcjellim sot shtuam
lutjet e ibadetet tona, ishim më afër mësimeve Kuranore, më afër
porosive të Pejgamberit a.s.dhe më të ndjeshëm për ata që kanë nevojë
për ndihmën e përkrahjen tonë.
Me një fjalë, edhe në vepër manifestuam përkushtimin e besimin në
Zotin Një, gatishmërinë tonë për falje dhe fuqinë tonë për bamirësi e
solidaritet.
Agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit kërkon përkushtim,
sakrificë,, disiplinë rregull e qetësi – parime këto që e veçojnë këtë
ibadet e këtë muaj.
Vëllezër e motra!
Ky Ramazan për ne si edhe për të gjithë besimtarët e botës qe më i
veçantë, ngase siç dihet tash e një kohë po përballemi me virusin Covid-
19 që tashmë është në shkallë të pandemisë globale.
Për shkak të pandemisë ne myslimanët jemi privuar nga namazet në
xhami, kështu që gjatë ramazanit përveç namazeve tjera na ka munguar
edhe namazi i teravisë, na kanë munguar vizitat e iftaret te njëri tjetri që
gjithashtu janë prej nimeteve të këtij muaji, mirëpo ne me qëllim të
ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të
gjitha ibadetet e lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona
familjare dhe kemi shndërruar shtëpitë tona ne xhami .
Kujdesin për shëndetin publik e kemi urdhër nga i madhi Zot dhe nga
porositë e Pejgamberit tonë të dashur Muhamed Mustafasë a.s. si dhe
nga mësimet dhe praktikat e mjekëve te hershëm myslimanë.
Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit, mirëpo virusi
është ende i pranishëm në mesin tonë, andaj na duhet edhe pak durim,
edhe pak disiplinë e rregull që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi
në fjalë.
Nëse kemi kuptuar drejt dhe kemi përvetësuar mësimet e virtytet që jep
agjërimi për besimtarët, atëherë duhet të jemi të durueshëm ngase
agjërimi është simbol i durimit e qëndrueshmërisë, andaj na duhet
durim se vërtetë durimi, rendi e rregulli janë parime të fesë sonë.
Populli ynë në vazhdimësi ka ditur që të rreshtohet drejtë, gjithherë ka
manifestuar kulturë të lartë të përgjegjësisë , qoftë si individ po edhe si
shoqëri.
Kjo më së miri u dëshmua edhe tani me rastin e pandemisë, ku me
zbatimin dhe aplikimin e udhëzimeve profesionale nga kompetentët,
vërtetë treguam kulturë të lartë e përgjegjësi qytetare, dhe kështu kemi
arritur të përballojmë mirë pandeminë që rrezikon shëndetin publik.
Vëllezër e motra
Ne nesër kemi festë, festë e cila vije pas përfundimit të muajit të
agjërimit- ramazanit, shkaku i pandemisë nuk do kemi mundësi që të
falim namazin e bajramit, andaj ju ftoj te gjithëve që të ruani karakterin
festiv të bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj.
Ju porosis që të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram,
sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet
tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe
sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie.
Duke lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët
tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve Festën e fitër
bajramit.
Me hajr e me të mira na qoftë fitër Bajrami