Tiranë, 18 maj 2013
Kryeministri Sali Berisha priti kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit. Pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në konferencën e VI-të të tyre në Tirane, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me njëri-tjetrin, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb. “Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se homologët e tyre në Tiranë e nisën nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës.
Prof. Dr. Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, falënderoi personalisht, në emër të kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, Kryeministrin Berisha për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë komunitetit mysliman, ndërsa u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës, të cilën, ai tha se do ta mbështesnin fort.
Prof. Dr. Gormez tha se e kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha. Evropa ka 300 vjet që nuk e mëson dot këtë leksion që jep Shqipëria për harmoninë fetare”, tha ai.
{gallery}konf6sb{/gallery}