Prishtinë, 26 shkurt 2020
Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë dhe delegacioni i kryesuar nga dr. Mirza As Saeg, shef i kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe( EBA) dhe njëherësh anëtar i fondacionit “Al Maktoum” nga Dubai; në mënyrë solemne përuruan objektin vakufor për Këshillin e BI-së së Kaçanikut.
Në pritje të tyre ishte kryetari i KBI-së së Kaçanikut Fidaim ef. Fazliu, i cili u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve duke i njohur ata me jetën fetare dhe me veprimtarinë që po bëhet nëpër xhami të Kaçanikut.
Kurse Myftiu Tërnava shprehu falenderime për donatorin nga EBA në krye me Dr. Mirza As Saeg nga Dubai për këtë donacion duke lutur të Madhin Zot që me xhenet t’i shpërblejë.
Nga ana e tij, dr. Mirza As Saeg, shef i kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe( EBA) dhe njëherësh anëtar i fondacionit “Al Maktoum” u ndje i kënaqur me punimet që janë bërë këtu duke theksuar se tanimë me BIRK kanë raporte besueshmërie dhe që do të vazhdojnë edhe në projekte të tjera.
Më pas vizituan hapësirat objektin vakëf të ndertuar për nevoja të KBI-së së Kaçanikut, i cili është një objekt modern dhe ofron kushte të mira dhe më komode për punë, si dhe po ia shton bukurinë qytetit të Kaçanikut.