Prishtinë, 8 tetor 2012
Fjala e myftiut të Kosovës Naim Tërnava në manifestimin e gurthemelit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë
E nderuara Zonja Presidente Atifete Jahjaga
I nderuari kryetar i Kuvendit, zotëri Jakup Krasniqi
I nderuari kryeministër, z. Hashim Thaçi
I nderuari kryetar i Prishtinës, z. Isa Mustafa
Të nderuar mysafir:
Haxhi Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman shqiptar
Haxhi Sulejman Rexhepi, reis i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni
Haxhi Rifat Fejziq, reis i Bashkësisë Islame të Malit të Zi
I nderuar Dodë Gjergji, ipeshkv i Ipeshkëvisë së Kosovës
I nderuari Peshkop Teodosije- peshkop i kishës ortodokse,
Të nderuar ambasadorë
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare
Të nderuar përfaqësues të familjeve Jasharaj e Haradinaj
Të nderuar përfaqësues të spektrit politik e jo politik
Të nderuar efendilerë
Të nderuar zonja e zotërinj!
Vëllezër e motra!
Kam nderin dhe kënaqësinë, që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, t’ju drejtohem me një falënderim të veçantë për pjesëmarrjen Tuaj në këtë manifestim të rëndësishëm dhe të shënuar për ne, për kryeqendrën tonë, për popullatën dhe për besimtarët tanë.
Jemi tubuar sot këtu, për të vënë gurthemelin e Xhamisë Qendrore, një objekt që i ka munguar kryeqendrës sonë prej kohësh, që u ka munguar besimtarëve tanë dhe që na ka munguar të gjithëve.
Ndërtimi i Xhamisë Qendrore në kryeqytetin tonë, ka qenë nevojë e kahershme, por rrethanat nëpër të cilat kaloi Kosova dhe regjimet, sistemet dhe ideologjitë që përjetoi vendi ynë, jo që nuk ishin në favor të ndërtimit të xhamive a faltoreve të tjera, por, për më tepër, edhe ato që i kishin ndërtuar të parët tanë dhe na i kishin lënë trashëgim, shumë prej tyre na i rrënuan, na i përdhosën, na i tjetërsuan dhe na i shkatërruan.
Ndërtimi i xhamisë qendrore, po bëhet realitet vetëm në Kosovën e lirë e sovrane, vetëm tash kur kryeqyteti dhe vendi ynë qeverisen nga njerëzit e përzgjedhur nga vetë ne.
Jemi tubuar sot këtu, pas vendimit që ka marrë kryetari i Prishtinës, zotëri Isa Mustafa, Bordi i drejtorëve dhe Asambleja Komunale e Prishtinës për të caktuar truallin për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, duke përmbushur kështu kërkesën dhe nevojën e Bashkësisë Islame të Kosovës, besimtarëve dhe qytetarëve të kryeqytetit. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuuan për këtë.
Të nderuar të pranishëm!
Nevoja për ndërtimin e faltoreve historikisht u paraqit që në shoqëritë e para njerëzore. Njeriu gjithmonë kërkoi një vend të caktuar e të veçantë për t’i shprehur falënderimet e tij Krijuesit. Dhe, pikërisht ishin faltoret ato që u bënë bërthamat e para ku u organizua shoqëria. Në to, përveçqë është adhuruar e madhëruar Zoti, aty ka filluar edhe arsimimi, edukimi, emancipimi dhe qytetërimi i shoqërisë. Këtë e dëshmon edhe Kurani ku thotë:
“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Mekë, e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.”
Muhamedi a.s. punën e parë që bëri kur qe shpërngulur nga Meka në Medinë ishte ndërtimi i xhamisë. Kjo tregon se sa rëndësi ka ndërtimi dhe sa e nevojshme është xhamia përkatësisht faltorja për një shoqëri.
Sa e shpërblyer është kjo vepër, e kuptojmë nga i Dërguari i fundit Muhamedi a.s. i cili ka thënë: “Kush ndërton një xhami në këtë botë, Allahu do t’i ndërtoj atij një shtëpi në Xhenet”.
Duke i pasur parasysh këto fakte, edhe besimtarët tanë qysh herët ndërtuan xhami për të falënderuar, për të madhëruar dhe për të adhuruar Zotin e tyre. Duke i ndërtuar ato, ata na lanë një trashëgimi të pasur me vepra madhështore që u bënë pjesë e qytetërimit tonë në veçanti, dhe atij botëror në përgjithësi, si xhamia e Haxhi Et’hem Beut në Tiranë, Xhamia e Pashës në Tetovë, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren, Xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, xhamia e Çarshisë në Prishtinë etj.
Në ambientet e këtyre Shtëpive të Zotit zunë fill dhe u zhvilluan edhe shumë ngjarje me rëndësi jetike për popullin dhe vendin tonë, duke u vënë kështu në shërbim të çështjes kombëtare. Ato përveçse si xhami u shndërruan në shkolla e kuvende burrash, nga aty dolën dhe i prinë popullit ulematë e atdhetaret tanë të spikatur, që u vunë në ballë të proceseve të rëndësishme historike, politike e kombëtare. Le të kujtojmë këtu Haxhi Ymer Prizrenin, Haxhi Zekën, Vehbi ef. Dibren, Hoxhë Kadri Prishtinën, Mulla Idriz Gjilanin e shumë të tjerë.
Roli i xhamive shqiptare po ashtu ishte i madh sidomos midis dy luftërave botërore dhe në veçanti gjatë sistemit monisto-ateist. Në to u kultivua dhe u trasua trinomi Fe-Komb-Atdhe.
Ndërkaq, në dekadat e fundit të shekullit që lamë pas, xhamitë anekënd Kosovës u shndërruan në fortesa të pathyeshme të qëndresës kombëtare, duke u vënë në shërbim të popullit, jo vetëm si faltore.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ngjarje të shënuar për kryeqytetin tonë
Xhamia, gurthemelin e së cilës po e hedhim sot, do të shërbej për të adhuruar Zotin Një, për t’ju lutur Atij, për t’i shprehur Atij falënderimet dhe mirënjohjet tona.
Kjo xhami do të jetë në shërbim për edukimin e popullatës në përgjithësi, do të jetë në shërbim të ardhmërisë së popullit dhe vendit tonë. Do jetë një vend ku do të mësohet, shpjegohet e kultivohet mirëkuptimi, humaniteti, toleranca, respekti, dashuria e sinqeriteti, ku do të avancohen vlerat qytetëruese e përparimtare.
Besimtari i devotshëm dhe i përkushtuar është përfaqësuesi më dinjitoz i ndërtimit të paqes në botë, sepse ai është praktikues i mësimeve hyjnore, të cilat i manifeston në jetën, veprën, sjelljet dhe punën e tij.
Kjo xhami do të jetë në shërbim të njohjes së të kaluarës sonë, respektimit të së sotmes dhe planifikimit të së ardhmes së popullit dhe vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm!
Ndërtimi i xhamisë që po e nisim sot, do të jetë një projekt madhështor, një projekt që në vete ngërthen vlerat e këtij populli të shprehura ndër shekuj, një gërshetim i tradicionales dhe bashkëkohores. Një objekt që do t’i bëj nder Prishtinës dhe qytetarëve të saj në veçanti, dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Kjo xhami do t’ia shtojë hijeshinë kryeqytetit tonë, do ta plotësoj mozaikun kulturor dhe fetar të kryeqytetit.
Për ta realizuar këtë projekt konform kërkesave dhe nevojave të besimtarëve tanë dhe të qytetit të Prishtinës, për ne është e nevojshme përkrahja e qytetarëve tanë, ekspertëve të fushave të ndryshme, institucioneve, njerëzve të biznesit, bamirësve e vakëflënësve tanë, është e nevojshme mbështetja, kontributi, përkrahja dhe ndihma juaj, qoftë me këshilla, me fjalë, me zemër, me dua, si dhe me mjete materiale.
Fillimi i ndërtimit të xhamisë, deshi Zoti, të bëhet në një vit të madh e të rëndësishëm për ne- në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në muajt e parë të pavarësisë së Kosovës pa mbikëqyrje ndërkombëtare.
Le të jetë ky pra një vit i gëzimeve, manifestimeve dhe sukseseve e punëve të hajrit.
Zoti e ndihmoftë dhe e ruajt popullin e Kosovës, Zoti e ruajt atdheun tonë, dhe njerëzimin në përgjithësi.
Edhe një herë, të nderuar e të respektuar të pranishëm, ju falënderoj sinqerisht për praninë Tuaj në këtë ditë të shënuar e të mbarë për ne!
Ju faleminderit!
Naim Tërnava
Myfti i Kosovës