Të nderuar studiues!
Të nderuar të pranishëm!
I nderuar autor!
Kam nderin dhe respektin që t’ju përshëndes sot në këtë tempull të dijes, ku jemi tubuar që të bëjmë promovimin e “Fjalorit Arabisht – Shqip” me autor, studiuesin e gjuhës arabe, që njëherësh është edhe profesor i arabishtes në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë, Dr. Isa Memishi.
Të nderuar pjesëmarrës! Më lejoni që në fillim të përgëzoj autorin e këtij fjalori, i cili më punën e bërë ka arritur që orientalistikës, islamologjisë, kulturës e historisë shqiptare t’u ofroj këtë vepër kapitale, me të cilën u shërben të gjitha kategorive të arabofolsëve tek ne, ua lehtëson punën, dhe u vjen në ndihmë për mësimin më të shpejtë, më të drejtë, më korrekt dhe më cilësor të kësaj gjuhe.
Duke pasur parasysh faktin se lidhjet dhe kontaktet në mes gjuhës shqipe dhe asaj arabe heqin zanafillë të hershme, kurse ndikimi i gjuhës arabe në leksikun e shqipes është më se i pranishëm, botimi i Fjalorit Arabisht-shqip i Dr. Isa Memishit, është plotësim i domodoshëm i një kërkese të natyrshme dhe të nevojshme, i një kërkese të kamotshme që deri më tani, për shkaqe e arsye të ndryshme, nuk është përmbushur, të paktën jo në këto përmasa dhe në këtë vëllim çfarë është ky fjalor i autorit dr. Isa Memishi.
Botimi i këtij fjalori përpos që pasuron fushën e leksikografisë në gjuhën tonë me fjalorë dygjuhësor, s’ka dyshim se do të krijoj rrethana dhe kushte të reja për studiuesit, shkencëtarët e publicistët tanë që në mënyrë meritore t’u qasen studimeve të albanologjisë, arabologjisë, islamologjisë, historisë e kulturës tek ne.
Botimi i këtij Fjalori pason botimin e veprave kapitale të islamologjisë e orientalistikës, siç ishte në vitet e 80-të të shekulli të shkuar, “Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe”, pastaj projekti për përkthimin e “Kompletit të Buhariut”, shqipërimi i “Kamusul A’lamit” të Sami Frashërit, e shumë veprave të tjera të kësaj fushe që u bënë pronë e lexuesit shqiptar, ani pse mendoj që fjalori do të duhej të ishte para këtyre veprave që përmenda.
Botimi i “Fjalorit arabisht shqip” edhe njëherë e ribën Prishtinën, e me këtë edhe degën e Orientalistikës, si një qendër e rëndësishme e shkencës, kulturës e artit, për shqiptarët.
Po ashtu duhet potencuar që botimi i këtij fjalori vjen në një moment kur marrëdhëniet e Kosovës dhe shqiptarëve me Botën arabe janë shpeshtuar në shumë fusha, kur masa e shqiptarëve që njohin arabishten, ose që janë të interesuar për përvetësimin e saj është rritur ndjeshëm. Kosova tanimë ka vënë edhe kontaktet e para diplomatike me disa shtete të Botës Arabe dhe s’ka dyshim se botimi i këtij fjalori merr rëndësi edhe më të madhe dhe më të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën arabe dhe anasjelltas.
Në fund fare, më lejoni që edhe njëherë ta përgëzoj autorin e këtij fjalori, i cili me punën e tij ka hyrë meritueshëm në historinë e popullit shqiptarë, po ashtu përgëzoj edhe të gjithë ata që kontribuuan dhe ndihmuan që ky fjalor të jetë në këtë format, duke filluar nga recensentët, lektorët, dhe posaçërisht botuesin “Libri Shkollor”.
Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës gjithherë do të mirëpres kontribute të këtilla, dhe do jetë mbështetëse e tyre.
Edhe njëherë urime dhe sukses!
Prishtinë, 12 tetor 2011
Myftiu i Kosovës
Naim Tërnava