Nën shoqërimin e Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, imami i Qabesë, shejh Dr. Bandar Baleela, është takuar me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, duke u theksuar se raportet dypalëshe po zhvillohen gjithnjë e më shumë.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e Arabisë Saudite dhe të popullit saudit ndaj Kosovës në periudhat më të vështira, dhe theksoi përkushtimin për të afruar më shumë popujt përmes bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, ekonomisë dhe kulturës.
Në vitin e kaluar, në frymën e lehtësimit të këtij shkëmbimi dhe afrimit të mëtejshëm, u nënshkrua marrëveshja për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, që reflekton nivelin në rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Imami i Qabesë po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava. Ai mori pjesë si mysafir në Garat Ndërkombëtare të Kuranit që po organizohen në Kosovë. Përveç kësaj, imami i Qabesë ka vizituar edhe disa xhami në vend, ku u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga besimtarë të shumtë.