Prishtinë, 3 maj 2018
Sot, u mbajtën takimet e Kryesisë me imamët e rajonit të Pejës dhe të atyre të Gjakovës. Në takimin me imamët e rajonit të Gjakovës morën pjesë imamët nga Gjakova, Rahoveci dhe Malisheva, kurse në takimin me imamët e rajonit të Pejës morën pjesë imamët nga Peja, Deçani, Klina dhe Istogu. Në këto takime, nga Kryesia e BIRK-ut ishin të pranishëm sekretari i Kryesisë Resul Rexhepi, kryeimami Sabri Bajgora, drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese Ahmet Sadriu, drejtori financiar Kasim Gërguri, drejtori për Diasporë Ekrem Simnica, zëvendëskryeimami Fatmir Iljazi dhe drejtori për Kulturë Ramadan Shkodra. Gjatë këtyre takimeve u bisedua për punët dhe aktivitetet fetare që do të zhvillohen gjatë muajit të bekuar te Ramazanit.
Në hapje të mbledhjes, sekretari i Kryesisë Resul Rexhepi, pos të tjerash, tha se këto mbledhje tradicionale në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit mundësojnë që të kemi sa më shumë koordinim në të mirë të xhemateve tona. Më pas, fjalën e mori kryeimami i Kosovës Sabri Bajgora,i cili theksoi nevojën e organizimeve të aktiviteteve në Ramazan dhe tha se këto aktivitete do të zhvillohet gjatë tërë muajit të Ramazanit, kur dhe do të ketë hafizë nga Turqia që do të shërbejnë gjatë muajit të Ramazanit në vendin tonë, se do të mbajnë tribuna, se do të ketë dalje në terren nga ekipi i Ramazanit për teravi dhe se do të organizohen aktivitete të tjera.
Pos kësaj, do të organizohen iftare tradicionale në rajone të ndryshme të Kosovës dhe iftari tradicional në Medrese e shumë aktivitete të tjera.Pastaj, para të pranishmëve folën edhe drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese Ahmet Sadriu, drejtori financiar Kasim Gërguri, drejtori për Diasporë, Ekrem Simnica, drejtori për Kulturë Ramadan Shkodra, të cilët kërkuan nga imamët që të jenë më aktivë sa i përket literaturës që boton BIRK-u, si dhe për tubimin e sadaktul-fitrit dhe zeqatit për nevoja të Medresesë, Fakultetit dhe institucioneve të tjera arsimore të BIK-ut.