Prishtinë, 15 shkurt 2018

Me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka bashkëbiseduar me nxënësit e medresesë “Alauddin” në Prishtinë. Myftiu në këtë eveniment shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij dhe temë bashkëbisedimi ishte rikujtimi i kontributit të medresesë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Fillimisht mirëseardhje u dëshiroi drejtori i medresesë, Jakup Çunaku, i cili foli për veçantinë e ditës së pavarësisë duke theksuar se atë e kanë bërë njerëzit e mëdhenj. Ai më tutje theksoi se atdheu nuk është vetëm një tokë në të cilën jetojmë, por një qenie që jeton në shpirtin tonë dhe Dita e Pavarësisë është e veçantë dhe se të tillë e kanë bërë njerëz të mëdhenj.“17 Shkurti është ditë historike dhe na shtyn në emocione që na kujtojnë të kaluarën plot sakrifica, por duke qenë të bindur se e ardhmja jonë do të jetë e ndritur”,- ka thënë ai.

Më pas, Myftiu i Republikës së Kosovës, NaimTërnava, tha se ky është një përvjetor i madh dhe i rëndësishëm për të gjithë ne dhe vlerësoi se Medreseja ka dhënë kontribut në vazhdimësi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai tha se po ndihej krenar me nxënësit dhe i kujton me mall ditët e së kaluarës kur ishte profesor e më pas edhe drejtues i asaj shkolle. “Andaj më dhuruat emocione të veçanta në këtë ditë kaq të veçantë”,- u shpreh Myftiu.

Ai tha se medreseja vazhdimisht ishte dhe do të jetë në shërbim të çështjes fetare dhe kombëtare. “Ky amfiteatër në të cilin po ndodhemi sot, në kohët më të liga ka luajtur rolin e Kuvendit, të teatrit dhe të shumë institucioneve të tjera. Nuk ka vend më të bukur se ky amfiteatër që dha gjithçka drejt çlirimit. Nxënës të dashur, na ndajnë vetëm dy ditë nga dita kur mbushet një dekadë prej kur u shpall pavarësia e Kosovës, ditë për të cilën populli ynë vuajti shumë dhe breza të shumtë u angazhuan përreth kësaj kauze dhe pa dashur që të lëshohem në të dhëna historike, më lejoni që t’ju them që detyrimi ndaj shtetit është edhe fetar.E ardhmja e vendit tonë është e sigurt. Duhet të punojmë që ta zhvillojmë atë e ta ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë”,- tha Myftiu Tërnava, i cili nuk la pa i përmendur edhe dëshmorët që kishin qenë nxënës të medresesë dhe tubimet që ishin mbajtur në këtë vend në kohët më të vështira. “Kujtojmë 37 shehidët e dalë nga bankat e medresesë që ranë për lirinë e vendit. Po në këtë shkollë janë mbajtur 1230 tubime të karaktereve të ndryshme, u bënë edhe përgatitjet e konstituimit të Kuvendit më 1992, u mbajtën të gjitha mbledhjet e partive, Akademisë së Shkencave, teatrove, etj.”,- rikujtoi Myftiu.

Ai duke i porositur nxënësit tha që të mos lejohet keqpërdorimi në emër të fesë, si dhe të mos bëhemi robër të askujt përveç Zotit.

“Në aspektin fetar, ju porosis dhe kërkoj nga ju që ta dini të gjithë që Islami është këtu qe mbi 600 vjet. Hoxhallarët tanë, mësuesit tanë e kanë sjellë Islamin burimor, por sfida e cila po na pret është që të guxojmë të mos bëhemi asnjëherë robër të askujt përveç Zotit. Të mos lejojmë assesi që të keqpërdoret, që në emër të fesë t’i bëhet keq këtij vendi”,- tërhoqi vërejtjen Myftiu.

Ai insistoi se nuk duhet të lejohet indoktrinimi nga njerëzit që pretendojnë se e dinë fenë, dhe se nuk duhet lejuar që feja të shndërrohet në fe të terrorit dhe të kriminelëve ekstremistë.“Ne nuk duhet të lejojmë të indoktrinohemi nga askush, nga asnjë grup që pretendojnë se e dinë fenë. Ato janë të huajat, ato janë të rrezikshme. Jo vetëm në Kosovë, por edhe për vëllezërit e motrat tona që jetojnë jashtë vendit”,- theksoi Myftiu Tërnava. Ai në vazhdim po ashtu ka potencuar se feja islame është paqe dhe se nuk bën të indoktrinohemi e ta paraqesim keq fenë duke e shtrembëruar si fe të terrorit e të ekstremizmit.

Në vazhdim të programit, Myftiu iu përgjigj shumë pyetjeve të medresistëve që kishin të bënin me realitetin dhe jetën fetare në Kosovë. Në fund, Myftiu Tërnava ndau dy mirënjohje për dy nxënësit e kësaj shkolle, të cilët ditë më parë kishin mbaruar memorizimin e Kuranit (hivzin).

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…