Të nderuar besimtarë!
Vëllezër dhe motra!
Të nderuar qytetar të Kosovës!
Nesër, më 01 shtator 2017 ditë e premte i përputhshëm me 10 Dhul hixhe 1438 Hixhrij është dita madhështore e festës së Kurban – Bajramit, të cilën besimtari e stolisë me përkushtim, sakrificë e flijim vetem për hirë të Allahut xh.sh., duke gdhirë ditën me faljen e namazit të sabahut dhe pastaj , pas lindjes së diellit edhe me faljen e namazit të bajramit bashkjërisht me xhemat, në xhami dhe pas namazit me prerejn e kurbanit dhe shpërndarjen e tij si dhe vizita në farefis dhe tek miqët e dashamirët përe të uruar; gëzuar bajramin.
Me këtë rast, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja, në emër të Myftiut Tërnava dhe në emrin tim t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi duke lutur të madhin Zot për mbarësi e begati.
Festa e Kurban – Bajramit na sjellë mënyrën më të mirë më të mire pqër mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë besimtarin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë.
Besimtarë të nderuar!
Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin. Në Haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetin që kryhet në një atmosferë krejt të veçantë, me norma e rregulla të veçanta, në kohë të caktuar dhe në vende të caktuara, ku dominon respekti e dashuria, ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet përkushtimi ndaj Allahut xh. sh, dhe ku shprehet solidariteti mes njerëzve të vendeve e etnive të ndryshme.
Sot, miliona haxhilerë ditën e kalojnë në Arafat duke lutur Zotin dhe duke shprehur përkushtimin ndaj Ti;, e në këtë vend të bekuar janë edhe haxhilerët nga trevat tona, për të cilët lutemi që Zoti t’ua pranoj Haxhin dhe ibadetet e tyre.
Festa e Kurban-Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë, në vete ka edhe simbolikën e flijimit që të ne vjen nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast, nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë.
Allahu i Gjithëmëshirshëm na udhëzon: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…”.
Në këtë ditë feste e gëzimi thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë.
Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë.
Besimtarë të nderuar!
Duke falënderuar Zotin për të mirat që na ka dhënë në vendin tonë, ju ftoj që sa më shumë ta kujtojmë Krijuesin dhe të jemi sa më solidarë ndaj njëri – tjetrit. Në prag të festës së Kurban-Bajramit më lejoni që edhe një herë t’ju urojë të gjithëve shëndet, lumturi, begati, mbarësi, harmoni, dashuri dhe paqe për mbarë njerëzimin!
ME FAT KURBAN-BAJRAMI!
Reshat ef. Mexhidi
Zëvendëskryetar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës