Prishtinë, 24 qershor 2017
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Sonte përfundon muaji i Ramazanit gjatë të cilit besimtarët me bindje, përkushtim e devocion agjëruan për hir të krijuesit të madhuar Zotit fuqiplotë.
Nesër në vendin tonë si gjithkund në botë festojmë Fitër – Bajramin, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, t’i përgëzoj të gjithë besimtarët për këtë festë të veçantë, duke lutur Allahun xh.sh. që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji.
Pas një muaji agjërim, ku shprehem bindjen e përkushtimin ndaj Zotit, nesër para agimit besimtarët do të jenë fillimisht në xhami, të gëzuar e të motivuar si asnjëherë më parë, për ta kurorëzuar përfundimin e agjërimit fillimisht me faljen e namazit të Bajramit, e për të vazhduar festën me familje, farefis e shoqëri të bashkuar më përgëzime e urime.
Festa e Fitër-Bajramit vjen pas një sakrifice të madhe, andaj me të drejt besimtarët festojnë, gëzohen e janë të lumtur sepse janë të bindur në shpërblim nga i Madhi Zot.
Festa e Fitër – Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehën edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Gjatë muajit të Ramazanit përveç agjërimit na bashkoi adhurimi ndaj Zotit, bamirësia, mirëkuptimi, zeqati e sadakaja, si dhe solidariteti dhe përkujdesja ndaj të varfërve, ndaj nesër krenarë e ballëhapur e festojmë Fitër-Bajramin.
Të nderuar besimtarë!
Festa e Fitër-Bajramit e rikthen njeriun te Krijuesi i gjithësisë, e afron me familjen, me fqinjët, e me shoqërinë, e bënë më të ndjeshëm, më human, e më solidar, pra e edukon, udhëzon e fisnikëron, duke e larguar nga punët e liga, pastaj nga urrejtja, xhelozia, smira e egoizmi.
Gjatë festës së Fitër-Bajramit nëpër familjet tona të përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet me njëri tjetrin, vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehë vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin me njeri tjetrin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme.
Vëllezër të dashur!
Me punët tona të përditshme jemi të obliguar të forcojmë paqen, mirëqenien, dashurinë, respektin e solidaritetin mes njerëzve, larg dhunës, konflikteve, gjakderdhjeve e ekstremeve të ndryshme. Misioni ynë në këtë botë është të hapim shtigjet e lumturisë për njerëzimin – ky është misioni primar i fesë islame.
Ju ftoi që sa më shumë të kujtoni Krijuesin, adhuroni vetëm Atë, të jeni sa më solidarë. Ndihmoni jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Sofra e Bajramit është simbol, i cili bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin e nderin mes besimtarëve..
Në fund më lejoni t’ua urojë festen e Fitër-Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tona, në Kosovë, brenda trojeve tona si dhe mërgatës kudo që ata gjenden nëpër botë.
E lus Allahun xh. sh. që t’i mëshiroi të gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për fenë dhe atdheun e tyre.
Me fat ju qoftë festa e Fitër – Bajramit!
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava