Prishtinë, 1 qershor, 2017
Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë mori pjesë në hapjen e xhamisë së re në fshatin Caparc të Komunës së Prizrenit. Në këtë eveniment mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit dr.Ajni Sinani, KBI e Prizrenit, në krye me Besim ef. Berishën , kryetar, dhe shumë xhematinjë tjerë.
Një fjalë rasti mbajtën përfaqësuesi i fshatit z. Adem Sopi, kryetari i KBI të Prizrenit, Besim ef. Berisha dhe myftiu Tërnava.
Kryetari i KBI të Prizrenit, Besim ef. Berisha tha se sot është një ditë e veçantë për këtë komunitet të fshatit dhe këtë xhematë dhe shpresoj që kjo xhami sikur edhe tjerat të shërbejnë në të mirë të vendit, fesë dhe ardhmërisë sonë të përbashkët.
Në fjalën e tij myftiu Tërnava duke uruar për këtë xhami në këtë ditë të bekuar të Ramazanit tha se kjo xhami bukuroshe po qëndron krenare para nesh dhe është në vargun e shumë xhamive që po ndërtojmë në Kosovë. Kjo xhami është dëshmitare e Kosovës dhe do të qëndrojë kështu si është për gjenerata të ndryshme ku do t’i falen Krijuesit që t’i marr në mëshirën dhe rahmetin e Tij në këtë dhe botën tjetër. Myftiu Tërnava foli edhe për rëndësinë dhe kontributin që po jep Medreseja Alauddin dhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë në ngritjen e gjeneratave dhe formimin gjeneratave të reja që i kemi në çdo segment të jetës, por kryesorja janë të angazhuar në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ne krenohemi me këto kuadro por edhe populli jonë. “Ne do të thërrasim në vazhdimësi për paqe, harmoni, bashkëjetesë, për vëllazëri mes njerëzve se kjo xhami sikur edhe tjerat do të reflektojë vetëm dritë, shpresë,, paqe e harmoni për një të ardhme sa më të mirë të të gjithëve”-shtoi Myftiu Tërnava.
Bashkësia Islame Kosovës do të punoj vazhdimisht për një të ardhme sa më të mirë për të gjithë që jetojnë në Kosovë.
Më pas për të pranishmit u shtrua iftar.