Prishtinë, më 24 tetor 2024

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Rijasetin e Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, organizuan ekspozitën fotografike me titullin “Bota kujton Srebrenicën”, kushtuar masakrës dhe gjenocidit që ndodhi në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.

Ekspozita u mbajt në Prishtinë dhe përmes fotografive autentike shpalosi historinë tragjike të kësaj ngjarjeje, duke ilustruar dhimbjet dhe vuajtjet e viktimave dhe të mbijetuarve. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ngjarjeve të tilla për të na mësuar mbi paqen dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. 

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, tha se feja islame na mëson dhe na urdhëron që të jemi paqësorë, të jemi pranë njëri-tjetrit dhe në veçanti të jemi pranë njerëzve që kanë nevojë. Myftiu tha se Islami ka ardhur si shpëtim për njerëzimin në mënyrë që ndalen padrejtësitë, shtypjet dhe mizoritë.

“Islami fe qiellore, nuk e do gjakderdhjen dhe nuk thërret për luftë dhe nuk synon të luftojë e të shkatërrojë bukuritë e krijimit të Zotit në këtë gjithësi dhe as të asgjësojë njerëzimin. Përkundrazi është një mesazh për paqe dhe është një mesazh shpëtimi për njerëzimin.”

Azra Efndic Eminovic, përfaqësuese e Rijasetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, u shpreh se ky organizim është një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin për Srebrenicën: “Organizimi i sotëm na tregon se kujtimi për Srebrenicën duhet të mbetet i gjallë, jo vetëm për familjet e viktimave, por për të gjithë ne. Këto ngjarje na mësojnë mbi përgjegjësinë dhe respektimin e njëri-tjetrit pa dallim,” tha ajo.

Ndërsa zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, theksoi se: “Kur përmendim Srebrenicën, ndjejmë një dhimbje të thellë që na kujton gjenocidin e papërballueshëm që iu shkaktua atij populli në shtëpinë e tyre.”

Ekspozita përfshinte 11 segmente që përshkruanin fazat e gjenocidit, nga ngjarjet paraprake, tek ekzekutimi i krimeve dhe deri te përpjekjet për fshehjen e tyre. Kjo ekspozitë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi gjenocidin dhe të nderojë viktimat e tij.

Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës dhe Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm, ishin gjithashtu ndër të pranishmit që nënvizuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje për ndërgjegjen kolektive. Ndërkohë, rrëfimi i dëshmitarit dhe imamit, Mevludin ef. Hrnjiq, si dhe i hulumtueses Ziha Mastaliq Koshuta, përjetuan emocion të veçantë te të pranishmit.

Në korrik të vitit 1995, mbi tetë mijë myslimanë nga Bosnja u masakruan brenda pak ditësh nga forcat serbe, duke shënuar njërin prej kapitujve më të errët të historisë bashkëkohore.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni

Prishtinë, më 24 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…