Prishtinë, më 30 mars 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, mori pjesë në iftarin madhështor, i cili u mbajt në Deçan. Në këtë iftar, përveç qytetarëve të shumë, pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, përmendi vlerat fetare dhe kombëtare që i kemi ne si popull. Ai tha se përkundër që si popull kemi tri fe e besime të ndryshme, populli ynë asnjëherë nuk ka pasur asnjë konflikt ndërfetar ndërmjet vete. Myftiu Tërnava shprehu konsideratën e tij të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në çfarëdo forme për çlirimin e vendit. Ai luti Zotin që dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, Zoti t’i shpërblejë me të mirat e Tij në Xhenet, duke përmendur kështu argumentet fetare se ata janë të gjallë, por që ne gjallërinë e tyre nuk e kuptojmë. Një falënderim të veçantë Myftiu Tërnava ua dedikoi të gjitha nënave e motrave tona, të cilat kanë sakrifikuar çdo gjë nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës. Ai tha se nëse dikush meriton që t’i ngrihet një lapidar, atëherë ato janë nënat tona, të cilat ai i quajti heroina të gjalla.
Ndërkaq kryetari i Deçanit, z. Bashkim Ramosajt, shprehu mirënjohjen e thellë për Bashkësinë Islame të Kosovës, për kontributin e tyre të çmuar dhënë në të gjitha etapat drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.