Prishtinë, më 28 mars 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim.
Gjatë kësaj vizite në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, zv/kryediplomati nga Turqia, u njoh nga Myftiu Tërnava për aktivitetet fetare në Kosovë gjatë muajit Ramazan, me punën e Medresesë “Aluaddin”, Fakultetin e Studimeve Islame, Institutet e Hivzit, si dhe aktivitetet e mësim-besimit.
Gjithashtu, Myftiu Tërnava e njohu edhe me punimet në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, si dhe me xhamitë që janë duke u restauruar në bashkëpunim me Dijanetin e Turqisë.
Në veçanti gjatë këtij takimi, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe fushat në të cilat mund të shtojnë bashkëpunimin.
Myftiu Tërnava kërkoi nga zv/kryediplomati i Turqisë që të japë maksimumin në mbështetjen e Kosovës në të gjitha sferat e jetës dhe në veçanti ato politike.
Nga ana tjetër, zv/ministri i Jashtëm i Turqisë, Yasin Ekrem Serim, u shpreh i kënaqur që gjendet në Kosovë, ku në këtë rast i uroi Myftiut Tërnava për mandatin e ri në krye të Bashkësisë Islame.
Ai u shpreh i gatshëm që bashkëpunimin të thellojnë edhe më shumë mes Kosovës dhe Turqisë, teksa veçoi bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e humanitetit, restaurimit të xhamive, si dhe dërgimin e 11 imamëve për muajin Ramazan.
Gjatë qëndrimit të zv/ministrit të Jashtëm të Turqisë në Kosovë, ai vizitoi disa prej xhamive të restauruara rishtazi.