Prishtinë, më 29 janar 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer.
Myftiu Tërnava shfrytëzoi rastin që t’i urojë ambasadorit z. Schnetzer mirëseardhje në Bashkësinë Islame të Kosovës, e më pas edhe e uroi atë për marrjen e detyrës së re si ambasador, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Ai më pas e njohu mysafirin me historikun, misionin, punën dhe angazhimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, që në vend të mbretërojë paqja dhe harmonia ndërmjet komuniteteve fetare. Myftiu Tërnava gjatë bisedës përmendi edhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë në proceset e ndryshme në të cilat ka kaluar vendi ynë. Myftiu Tërnava, nëpërmes ambasadorit z. Schnetzer, falënderoi shtetin e Austrisë për përkrahjen e vazhdueshme që ka pasur ndaj Kosovës.
Nga ana e tij, ambasadori z. Schnetzer, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, e më pas edhe e përgëzoi atë dhe institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës për kontributin e tyre të dhënë për mbarëvajtjen e jetës fetare në vend. Ai tha se mbesim në shpresë që takimet e përbashkëta dhe bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve të vazhdojë edhe më tutje.