Prishtinë, më 4 dhjetor 2023
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar ef. Spahiun, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.
Ky takim erdhi pas rizgjedhjes së Myftiut Tërnava në postin e kryetarit dhe myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, për çka kryetari Spahiu e uroi dhe e përgëzoi nikoqirin, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Ai vlerësoi lart punën dhe angazhimin e deritanishëm të Myftiut Tërnava dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për mbarëvajtjen e jetës fetare në Kosovë.
Ndërkaq Myftiu Tërnava, e falënderoi kryetarin Spahiu për vizitën dhe për urimet, duke thënë se ndjehet i nderuar me vizitën vëllazërore të tij dhe të vartësve të tij. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë gjithnjë kanë pasur dhe kanë një bashkëpunim të mirë në të gjitha fushat me interes për besimtarët e të dyja vendeve.
Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe çështje të tjera me rëndësi për besimtarët myslimanë të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.