Prishtinë, më 25 shtator 2023
Sot, në Institutin e Hifzit në Medresenë e Madhe të Gjakovës është mbajtur ceremonia e diplomimit të 17 hafëzëve të rinj, të cilët kanë arritur që me sukses të mësojnë përmendsh tërë Kuranin fisnik. Në këtë ceremoni përveç shumë të pranishmëve mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, hafëz Shaqir ef. Fetahi, si dhe mysafiri special nga Turqia, Osman Nuri Topbash.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart punën dhe angazhimin që po bën Instituti i Hifzit në Gjakovë për nxjerrjen e hafëzëve të rinj, duke thënë se kjo ditë është tejet një ditë e lumtur, jo vetëm për hafëzët dhe familjet e tyre, por edhe për ne dhe gjithë vendin tonë.
Reisi i BFI-së së RMV-së, Shaqir ef. Fetahi, tha se ndjehet tejet i lumtur që po merr pjesë në një ceremoni të tillë ku po diplomojnë 17 hafëz të rinj. Ai përgëzoi Institutin e Hifzit për punën e bërë, ndërsa hafëzëve iu dëshiroi shëndet dhe suksese në jetë.
Ligjëratën kryesore në këtë ceremoni e mbajti Osman Nuri Topbash, i cili foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka mësimi përmendsh i Kuranit, duke përmendur kështu traditën e mësimit të Kuranit që nga Pejgamberi a.s. e deri te gjeneratat tona brez pas brezi.
Para kësaj ceremonie Myftiu Tërnava zhvilloi një takim me Osman Nuri Topbashin dhe me reisin Shaqir ef. Fetahin.