Prishtinë, më 22 maj 2023
Sot, me pjesëmarrjen e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, përfaqësuesit të Qendrës së Mbretit Selman nga Mbretëria e Arabisë Saudite, Raed Ahmed Alwehaibi, si dhe ambasadorit të Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hefzi, në Prishtinë, u inaugurua programi për shpërndarjen e hurmave në Kosovë i Qendrës së Mbretit Selman nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Myftiu Tërnava falënderoi Raed Ahmed Alwehaibi për pjesëmarrjen e tij në këtë inaugurim, e me këtë rast shprehu falënderime edhe për shtetin e Arabisë Saudite për ndihmat e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.
Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e institucionit të BIK-ut që të vazhdojë edhe më tej bashkëpunimi i mirë ndërmjet BIK-ut dhe Ambasadës së Arabisë Saudite. Myftiu Tërnava po ashtu theksoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë që kanë edhe ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hefzi. Bashkësia Islame e Kosovës është mirënjohëse për ata se çfarë ka bërë, por edhe në atë se çfarë është duke bërë si në ndihma humanitare, ashtu edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Kosova është vend i bereqetshëm, mik i dashur dhe vendi me më së shumti myslimanë në Evropë. Arabia Saudite është një ndër shtetet e para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Bashkësia Islame e Kosovës ka raporte shumë të mira me Ministrinë e Çështjeve Fetare si dhe me Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë” – tha Myftiu Tërnava.
Nga ana e tij, ambasadori Feisal Hevzi, tha se sot janë në Kosovë për të inauguruar projektin e radhës për shpërndarjen e 25 ton hurmave. “Kosova është një vend mik i Arabisë Saudite dhe kjo dëshmon edhe për nivelin e raporteve të mira që kemi ndërmjet vete. Ne këtë program e kemi zhvilluar dhe po e zhvillojmë në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën, për çka ne jemi tejet të lumtur” – tha ambasadori Hevzi.