Prishtinë, më 13 mars 2023

Nën organizimin e RABITA-s dhe Këshillit Mysliman të Britanisë, si dhe me prezencën e liderëve fetarë myslimanë nga e tërë Evropa dhe liderëve fetarë të religjioneve në Mbretërinë e Bashkuar, më 12 mars 2023, u mbajt Konferenca “Ruajtja e pluralizmit fetar dhe pranimi i tjetrit në komunitetet tona”.

Konferenca filloi me leximin e disa pjesëve nga Kurani fisnik. Më pas fjalën përshëndetëse e mori drejtori i Zyrës së RABITA-s për Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA, z. Muath al Almari, i cili fillimisht iu dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim, siç e quajti ai historik dhe të rëndësishëm për myslimanët në Evropë. Ai i vuri theks të veçantë angazhimit të zyrës rajonale për promovimin e Kartës së Mekës, si një dokument tejet i rëndësishëm për botën islame.

Të pranishmit i përshëndeti edhe deputetja për Bradfort West, njëherësh ministrja për Reduktimin e Krimit në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, znj. Naz Shah, e cila foli për sfidat e komuniteteve dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Ajo gjithashtu foli edhe për politikat shtetërore që kontribuojnë në bashkëjetesë dhe respekt të komuniteteve.

Sekretari gjeneral i RABITA-s, dr. Abul Kerim al Isa, në fjalën e tij u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet religjioneve në përgjithësi, e në veçanti ndërmjet liderëve myslimanë. Ai foli për rëndësinë dhe objektivat e Kartës së Mekës, të nënshkruar në vitin 2019. Duke folur për këtë kartë, ai tha se një na fushat që i kushtohet rëndësi është edhe mbrojtja e ambientit, andaj edhe është themeluar iniciativa “Fetë për ambientin”. Dr. Isa ftoi të gjithë të pranishmit që ta thellojnë edhe më tej bashkëpunimin për të mirën e të gjithëve që jetojnë në këtë planet, i cili po rrezikohet çdo ditë e më shumë.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe deputetit konservator i Parlamentit për Gillingham dhe Rainham, z. Rehman Chishti, i cili foli për domosdoshmërinë e lirive fetare në shoqëritë evropiane.

Pas sesionit të parë, u zhvillua një diskutim në panel me titullin “Diversiteti brenda feve kërkon që ne të respektojmë atë që na dallon, sepse kështu ne e nderojmë njerëzimin tonë të përbashkët”. Panelistë në këtë diskutim ishin: z. Ghaleb Bencheikh – kryetar i Konferencës Botërore të Feve për Paqe nga Parisi; shejh Yahya Pallavicni – udhëheqës i COREIS Italian – Këshilli Mysliman për Bashkëpunim në Evropë; dr. Nicholas Adams – profesor i Teologjisë Filozofike; znj. Zara Muhamed – sekretare e Përgjithshme e Këshillit Mysliman të Britanisë; rabini Jackie Tabick –president i përbashkët i Kongresit Botëror të Besimeve; dhe dr. Lakshmi Vyas – Forumi Hindu i Evropës dhe Federata e Paqes Universale.

Në këtë Konferencë, Bashkësinë Islame të Kosovës e përfaqësuan dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, dr. Islam Hasani, shefi i kabinetit të Myftiut, mr. Besim Mehmeti dhe kapelani i FSK-së, imami Agim Gashi.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U inaugurua selia qendrore e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Prishtinë, më 20 nëntor 2024 Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka inauguruar sot seli…