Prishtinë, 24 shtator 2015
Në të gjitha xhamitë e Kosovës besimtarët myslimanë solemnisht kremtuan festën e Kubanbajramit. Manifestimi qendror për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih”, në Prishtinë, që u hap me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Vedat ef. Sahiti, ndërsa më pas u mbajt ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, nga kryeimami Sabri ef. Bajgora, i cili tha se dita e Kurbanbajramit është një ditë e madhe, ditë kur lartësojmë Zotin dhe kryejmë obligimet tona ndaj Zotit, duke shpresuar që në tërë botën të mbizotërojë paqja, mirësia dhe solidariteti.
“Këtë festë madhështore e karakterizojnë tekbiret e haxhinjve të tubuar sot në Qabe nga të gjitha anët e botës, të cilët pas përgjigjes së thirrjes së Allahut për ta kryer Haxhin, duke u kthyer nga Arefati, Muzdelifja, për në Mina, e madhërojnë Atë pandërprerë me tekbire”, tha kryeimami Bajgora.
Kryeimami Bajgora po ashtu ka folur edhe për Haxhin, të cilin janë duke e kryer edhe shumë myslimanë kosovarë. Ai tregoi se Haxhi është tubim i gjithë myslimanëve. “Dita e djeshme e Arafatit ishte dita më e madhërishme e vitit”, tha ai. Më tutje Bajgora foli edhe për rëndësinë që ka kurbani, për çka u shpreh se prerja e tij nuk është thjesht derdhje e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindje, sakrificë morale dhe devotshmëri e besimtarit
Namazit të Kurbanbajramit i priu sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul ef. Rexhepi, ndërkaq Hytben e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ku përcolli mesazhin e paqes dhe vëllazërimit për të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, gjuhe besimi a rajoni. Myftiu gjithashtu bëri thirrje që njerëzit të jenë solidarë ndaj refugjatëve që kanë nevojë. Ai po ashtu ftoi të gjithë njerëzit që të luten për shuarjen e luftërave dhe konflikteve në botë, që të mbizotërojë arsyeja dhe të parandalohet gjakderdhja, si dhe bëri thirrje që të luftohet urrejtja e armiqësia, dhe të motivohet buzëqeshja e përqafimi vëllazëror.
Myftiu Tërnava tha se këtë ditë besimtarët bëjnë ibadet anekënd botës, e në veçanti ata që gjenden në Mekë.
Duke folur për rëndësinë që ka Haxhi dhe Kurbani, Myftiu tha se këto veprime determinojnë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë.
“Feja islame”, – tha Myftiu, “qëllim thelbësor ka bashkimin e njerëzve që u takojnë ngjyrave, besimeve, rajoneve të ndryshme, rreth qëllimit e idealit të përbashkët.”
Myftiu Tërnava foli edhe për rëndësinë që ka ndihma për të varfrit. Ai tha se dhënia e ndihmës për të varfrit nuk pakëson pasurinë, por veç sa ia shton mirësinë asaj.{gallery}kb15fl{/gallery}