Prishtinë, 8 janar 2021

Nën këndimin e tekbireve dhe ajeteve kuranore, në një solemnitet rasti, është bërë përurimi i xhamisë së fshatit Murademë të Prizrenit. Në këtë solemnitet përveç banorëve të fshatit, të pranishëm qenë edhe drejtuesit më të lartë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të KBI-së në Prizren.

Përfaqësuesi i fshatit, njëherësh koordinatori i inicimit për ndërtimin e kësaj xhamie, Nebi Memaj, falënderoi të gjithë ata që përkrahën këtë iniciativë për ndërtimin e këtij objekti fetar. Në emër të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, një fjalë rasti mbajti kryeimami i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili edhe përcolli urimet dhe selamet e Myftiut Tërnava. Ai më pas tha se nga ky vend do të rrezatojë dritë për besimtarët dhe se besimi i popullatës në Zotin Një ka mundësuar që ata ta ruajnë dhe ta kultivojnë fenë e tyre përmes ndërtimit të xhamive në mbarë Kosovën, përkundër vështirësive të ndryshme e në periudha të ndryshme. “Me ndërtimin e kësaj xhamie ne po i afrohemi numrit 900 të xhamive në tërë Kosovën dhe kjo për neve përbën bukur një numër të mirë, ngase në të kaluarën e afërt të sistemit komunist, ne nuk kemi pasur më shumë se 250 xhami, me këtë mendohej se feja dalëngadalë do të zhdukej nga ky popull. Mirëpo, Allahu kishte dashur që ne të sprovohemi rëndë për ta kuptuar vlerën dhe mbështetjen në Allahun xh.sh. dhe nga zemrat e këtij populli gufoi besimin dhe bindja e madhe në Zotin Një dhe ja sot, në vend që fjala e Allahut të zhduket siç pretendonin ata, në realitet ajo veç sa vjen e rritet. Andaj kjo xhami sot këtu, edhe më shumë ia ka shtuar bukurinë këtij fshati” – tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora. Ai edhe njëherë kujtoi dëmet e luftës së fundit në Kosovë, ku si pasojë e saj u rrënuan dhe u shkatërruan më se 280 xhami, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe për ne.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të BI-së së Prizrenit, Besim ef. Berisha dhe kryeimami i BI-së së Prizrenit, Orhan ef. Bislimaj, falënderuan të gjitha ata që ndihmuan në ndërtimin e xhamisë, për të cilën thanë se do të jetë burim i shumë vlerave që do të përfitojnë besimtarët.

Një fjalë rasti mbajti edhe ish kryetari i KBI-së së Prizrenit, Ali ef. Vezaj, i cili e cilësoi këtë objekt si një vend ku njerëzit do të bashkohen për t’i kryer obligimet e tyre fetare. Ndërkaq në emër të donatorëve foli Urim Hoxhaj. Sipas iniciatorëve të ndërtimit të kësaj xhamie, për ndërtimin e saj kanë kontribuuar rreth 300 donatorë. Punimet për ndërtimin e saj kanë filluar në muajin shkurt të vitit 2020.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…