Prishtinë, 26 dhjetor 2020
Sot, më datë 26 dhjetor 2020, Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit të BIK-ut, dr. Ajni Sinani. Në këtë mbledhje të pranishëm qenë edhe kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, drejtorët e drejtorive, anëtarët e Kryesisë, dekani i FSI-së, dr. Fahrush Rexhepi, drejtori i Medresesë, prof. Fadil Hasani, si dhe anëtarët e Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Mbledhja filloi me leximin e një pjese nga Kurani, të cilën e lexoi anëtari Sulejman ef. Fejzullahu. Më pas, dr. Ajni Sinani, kryetar i Kuvendit, iu shprehu mirëseardhje anëtarëve të Kuvendit, duke i falënderuar ata për punën dhe angazhimin e tyre.
Më pas, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili e luti Zotin për shëndet e mirëqenie për të gjithë, si dhe për vullnet e kurajë në kapërcimin sa më të lehtë të kësaj pandemie me të cilën jemi duke u ballafaquar. Ai e luti Zotin që t’i mëshirojë imamët, hoxhallarët dhe të gjithë të vdekurit nga kjo sëmundje. Ai më tutje shtoi se situata me pandeminë Covid-19 ka bërë që të imponohen disa gjëra dhe të bëhet një riorganizim, në mënyrë që t’u përshtatemi rrethanave të reja, duke marrë kështu vendime jo fort të këndshme për jetën fetare, por që falë Zotit po e përballojmë këtë situatë të rëndë. Myftiu Tërnava e vlerësoi gjendjen e përgjithshme si të qetë dhe stabile, falë imamëve dhe administratës së këshillave anekënd Kosovës për kontributin që janë duke dhënë për organizimin e jetës edukativo-fetare në Kosovë. Po ashtu, ai vlerësoi lart edhe kontributin e kuvendarëve dhe njëherazi kërkoi nga ta që edhe më tutje të japin kontributin e tyre për avancimin dhe shtyrjen e proceseve përpara, kështu që amanetin që e kemi mbi supet tona ta çojmë në vend. Myftiu Tërnava njoftoi kuvendarët që kanë përfunduar shumë projekte infrastrukturore, e disa të tjera janë ende në fazën finale të realizimit, e me këto lehtësohet edhe më shumë jeta dhe aktivitetet fetare. “Falënderojmë Zotin që punët janë duke ecur mbarë e mirë. Ne shprehim falënderime edhe për donatoren, të cilët vazhdimisht nuk ngurrojnë që të na ndihmojnë me projekte në të mirë të qytetarëve tanë. BIK-u do të vazhdojë në ngritjen infrastrukturore të këshillave të BI-së së Kosovës edhe në të ardhmen” – u shpreh Myftiu Tërnava. Ai njoftoi të pranishmin edhe me punët në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, e cila do të jetë xhami monumentale dhe identitare, duke njoftuar se punët janë duke vazhduar sipas dinamikës së paraparë, ani pse ka vonesa për shkak të pandemisë. Theks të veçantë në këtë fjalim, Myftiu Tërnava i kushtoi edhe aktivitetit të Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, e cila tanimë është numër një në Kosovë për aktivitetet e saj humanitare në vend, rajon, por edhe në kontinente tjera. Krejt në fund, Myftiu Tërnava kërkoi nga të pranishmit që për shpirt të mulla Hajrullah ef. Hoxhës, ish anëtarit të Kuvendit të BIK-ut, i cili vdiq para disa javësh, të këndohet nga një fatiha.
Mbledhja më pas vazhdoi me pikat e rendit të ditës, e që ndër to ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i projektbuxhetit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për vitin 2021.
Projektbuxhetin para anëtarëve të Kuvendit të BIK-ut e paraqiti zyrtari i financave në Kryesi, z. Tanseli Rogova, i cili arsyetoi dhe sqaroi këtë projektbuxhet për vitin e ardhshëm. Pas shqyrtimit, Kuvendi i Bashkësisë Islame, me shumicë votash miratoi buxhetin e Kryesisë për vitin 2021. Në këtë mbledhje u shtruan edhe lëndë të tjera dhe u morën vendime nga kompetencat e Kuvendit.
Krejt në fund, edhe njëherë u përçua mesazhi që imamët dhe të gjithë nëpunësit fetar të kontribuojnë në respektimin e masave parandaluese të përhapjes së pandemisë Covid-19, ku numri i rasteve pozitive në vendin tonë është duke u rritur vazhdimisht.