Prishtinë, 14 dhjetor 2020
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Franco Federici.
Në këtë takim njohës, Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje në Kosovë gjeneralmajorit Federici, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij. Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim. Myftiu Tërnava edhe njëherë shprehu mirënjohjen e tij për misionin e KFORI-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.
Nga ana e tij, gjeneralmajori Federici falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe nëpërmes tij vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka Bashkësia Islame e Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim. Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.
Në fund të takimit, të dyja palët shkëmbyen mes vete stemat e institucioneve që ata drejtojnë.