Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, përmes një telegram urimi, ka uruar zgjedhjen e hfz. Shaqir ef. Fetahut në krye të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, Myftiu Tërnava i uroi hfz. Shaqir efendiut punë të mbarë dhe të suksesshme në udhëheqjen e këtij institucioni, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton, që edhe më tej të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyer në të mirë të besimtarëve, vendeve dhe shteteve tona.
Letër Urimi
Reis ulema, Hfz. Shaqir ef. Fetahu
Selamun alejkum,
I nderuari vëlla Hfz. Shaqir efendi!
Më lejoni që në emrin tim, në emër të institucioneve të Bashkësisë Islame dhe në emrin e besimtarëve myslimanë të Kosovës, t’ju përgëzoj e t’ju uroj me rastin e zgjedhjes suaj në krye të Institucionit më të lartë islam në Republikën e Maqedonisë së Veriut- RIJASET-it të BFI-së.
Me këtë rast ju lutem pranoni urimet dhe përgëzimet tona më të ngrohta e më të sinqerta, i bindur se me ndihmën e të Madhit Allah do të bëni më të mirën për Bashkësinë Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, institucioneve dhe strukturave të saj, dhe të besimtarëve myslimanë.
I nderuar Reis, edhe njëherë shpreh gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe timen që të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer të dy bashkësive tona simotra në të mirë të besimtarëve tanë, vendeve dhe shteteve tona.
Duke ju uruar e përgëzuar, lus Zotin Fuqiplotë që të t’ju japë shëndet, mbarësi e suksese në misionin tuaj sa të rëndësishëm e fisnik!
Me shpresë që së shpejti t’ju takoj, ju përshëndes me selam
Me respekt,
K R Y E T A R I
Myftiu Naim ef. Tërnava