|
Prishtinë, 10 gusht 2012

Myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava priti sot pasdite zëvendës kryeministrin e Turqisë, Bekir Bozdag, me të cilin bisedoj për bashkërendim të punëve përkitazi me ruajtjen, trajtimin dhe restaurimin e objekteve fetare islame që kanë vlerën e monumenteve e që i përkasin Periudhës Osmane.
Myftiu Tërnava e falënderoj edhe kësaj radhe zëvendës kryeministrin turk për ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e shtetit dhe popullit turk në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.
Myfti Tërnava, po ashtu e falënderoj qeverinë turke e cila përmes
TIKA-së ka realizuar një sërë projektesh në restaurimin e objekteve
monumentale të trashëgimisë islame.
Ndërsa zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag, pasi e falënderoj
Myftiun për pritjen tha: "Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj në të
gjitha fushat e shtetndërtimit, ne e shohim me admirim përparimin që
keni bërë në çdo fushë. Për këtë, më së miri flet, procesi i përfundimit
të mbikëqyrjes së pavarësisë, çka paraqet një moment të veçantë për
Kosovën. Turqia edhe në të ardhmen pa asnjë rezervë do e përkrah
Kosovën në të gjitha fushat, dhe në çdo institucion e mekanizëm
ndërkombëtarë."
Ndërsa, përkitazi me projektet e TIKA-së për restaurimin e monumenteve
të trashëgimisë islame, zëvendës kryeministri turk tha se Turqia në
bashkëpunim me institucionet e Kosovës do të ndihmoj në trajtimin
adekuat të objekteve kulturore. Objektet e tilla janë urëlidhëse në mes
dy popujve që i bashkon e kaluara.
Myftiu Tërnava e njohu mysafirin turk edhe me projektet tjera të
Bashkësisë Islame, si ndërtimin e Xhamisë së Madhe, pastaj hartimin e
Monografisë për xhamitë e Kosovës, si dhe atë për mbishkrimet orientale,
etj.
Myftiu Tërnava theksoi se realizimi i këtyre projekteve ka rëndësi të
veçantë, ngase po bëhen për të parën herë në Kosovë, dhe kjo tregon më
së miri kujdesin për ruajtjen dhe trajtimin e trashëgimisë kulturore
islame.
Në fund të takimit dy bashkëbiseduesit shkëmbyen nga një dhuratë. Myftiu
Tërnava mysafirit turk i dha një pikturë me motive të Kullës shqiptare
si shenjë e rezistencës së popullit tonë ndër vite.
|