|
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmjen e së premtes iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, drejtues të tjerë të lartë shtetit, krerët e komuniteteve fetare, drejtues të bashkësive islame të rajonit, diplomatë e ambasadorë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të spektrit politik dhe figura të jetës fetare e intelektuale të vendit tonë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça pasi ka uruar të
pranishmit për këtë muaj të bekuar është shprehur se kjo është filozofia
e iftarit, të hamë, të falim dhe ta mëshirojmë njëri-tjetrin, duke e
përjetuar si duhet këtë mirësi të madhe të Zotit të Lartë. “Allahu i
Gjithëmëshirshëm e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi
mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera”, u
shpreh z. Muça në mesazhin përshëndetës në iftarin tradicional të ditës
së parë të Ramazanit.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në këtë darkë
iftari, në fjalën e saj uroi kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
Haxhi Selim Muça dhe myslimanët shqiptarë për muajin e madhërueshëm të
Ramazanit, si dhe për një agjërim të mbarë e të pranuar.
“Ramazani është muaji i sakrificës. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të
nderosh sakrificën. Këto janë ditë të faljes, të lutjes dhe
solidaritetit, kohë kur ne mendojmë për ata që nuk kanë. Në këtë vit
jubilar për shqiptarët, në përpjekjet e tyre për liri e mëvetësi në
thelb qëndron sakrifica njerëzore. Sakrificën për Zotin dhe
njëri-tjetrin ne e dëshmojmë shumë mirë, sepse i kemi dhënë botës një
model të shkëlqyer, duke treguar se jemi të bashkuar në diversitet.
Harmonia fetare është pasuria jonë më e madhe dhe aseti që na dallon nga
popujt e tjerë të botës”, tha znj. Jozefina Topalli.
Përshëndetje bëri edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Mr. Naim
Tërnava. “Më lejoni – u shpreh z. Tërnava, - t’ju sjell përshëndetjet e
Kosovës për këtë muaj të madh e të rëndësishëm për myslimanët e mbarë
botës. Zoti na e lehtësoftë agjërimin dhe na pranoftë të gjitha punët e
mira në këtë muaj të Kuranit. Shpresojmë që kudo të mbretërojë paqja,
hareja dhe solidariteti.”
Ndërsa sekretari i Bashkësisë Islame Fetare të Maqedonisë, Afrim Tahiri,
tha: “Duke ju uruar të gjithëve për këtë mirësi të madhe, shpresoj dhe i
lutem Zotit që ta përjetojmë dhe ta kalojmë sa më gëzueshëm këtë muaj
vlerash e dobish të shumta. Kam porosi të veçantë nga kreu i myslimanëve
të Maqedonisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e 100
vjetorit të pavarësisë së kombit tonë”
Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të
Ramazanit. Nëpërmjet kësaj ceremonie, institucioni bashkon krerët e
shtetit dhe figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për
të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në këtë muaj të
rëndësishëm të kalendarit islam.
|