|
Prishtinë, 26 qershor 2012

Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, së bashku me kryetarin e Prishtinës, prof. dr. Isa Mustafa, vizituan sot paradite truallin për Xhaminë e Re, që e ka ndarë Komuna e Prishtinës tek vendi i quajtur "Blloku III i ndërtesave" afër PTK-së, në Dardani.
Fillimisht Myftiu Tërnava dhe kryetari Mustafa panë nga afër punët që po kryhen në shpimet gjeomekanike në truallin e ndarë nga komuna për xhami.
Me këtë rast Myftiu Tërnava u shpreh: "Në emër të Kryesisë së BI të
Kosovës, në emër të besimtarëve dhe në emër të gjithë qytetarëve të
Kosovës, dëshiroj që të falënderoj kryetarin e Prishtinës, të gjithë
këshilltarët e Kuvendit komunal, stafin e komunës dhe të gjithë ata që u
angazhuan që kjo parcelë të ndahet për ndërtimin xhamisë që ka qenë
nevojë e kamotshme, dhe njëherësh ishte edhe kërkesë e vazhdueshme e
Bashkësi Islame që të kemi një vend ku besimtarët tanë të kenë mundësi
të kryejnë ritet e tyre, ibadet adhurimet për të Madhin Zot xh.sh".
Ndërsa duke folur për bashkëpunim e BIK me Komunën Prishtinës, Myftiu
tha: "Bashkëpunimi, i Bashkësisë Islame të Kosovës me Kuvendin Komunal
të Prishtinës edhe në të kaluarën po edhe tani është jashtëzakonisht në
nivel. Kuvendi komunal, ka bërë një gjest jashtëzakonisht të madh dhe ka
argumentuar se Kuvendi komunal është për një bashkëjetesë të
besimtarëve brenda kryeqendrës sonë". "Besoj që shpejt ne do jemi gati që të vëmë gurthemelin e xhamisë së re,
bashkë me kryetarin e Prishtinës dhe me përfaqësuesit e institucioneve
të tjera të Kosovës dhe shpresoj do të ndodh në gjatë muajit të
Ramazanit"- tha ndër të tjerat Myftiu Tërnava.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, prof. dr. Isa Mustafa tha: "Kemi pas
orientime të ndryshme me caktimin e lokacionit, gjithherë kemi qenë të
interesuar që të caktohet një lokacion që kishte hapësirë të
mjaftueshme, për një xhami të madhe sepse ka qene vlerësimi i BIK që të
zgjidh problemin. Është obligim i yni që të krijojmë kushte normale për
të gjithë, në rend të parë për BIK si komuniteti më i madh. Prishtina po
ashtu ka bërë zgjidhje për konfeksion katolik. Ne kemi investuar edhe
në objekte tjera siç është rasti në restaurimin e xhamisë së çarshisë e
cila do të rikonstruohet dhe do të duke shume bukur".
I pyetur nga gazetarët për financimin e ndërtimit të xhamisë Myftiu
Tërnava tha: "Nuk kam pikë dyshimi se këtë xhami do ta ndërtojnë
besimtarët, jo vetëm të Kosovës por besimtarët e trojeve tona etnike
shqiptare, që do të marrin pjesë me donacionet e tyre për ndërtimin e
xhamisë".
|