Seminar pėr metodat bashkėkohore tė mėsimit tė Kuranit
Prishtinë, 26 maj 2009Myftiu gjatë fjalimit

Sot në Prishtinë, në ambientet e Medresesë së mesme “Alaudin”, filloi Seminari rajonal për metodat bashkëkohore të mësimit të Kuranit fisnik dhe shkencave të tij.
Seminari është organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në bashkëpunim me Organizatën për Shkencë, Arsim e Kulturë ISESSCO, me seli në Rabat të Marokut, e cila vepron në kuadër të Konferencës Islamike.


Është hera e tretë që Kryesia e BI organizon seminar trajnues me ISESSCO.
Në hapje të seminarit ishte i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, përfaqësuesi i ISESSCO-së, Jusuf Ebu Daka, sekretari i Kryesisë së BI-së, Resul Rexhepi, kryeimami Sabri Bajgora, drejtori i Medresesë, Bahri ef. Siminica e të ftuar të tjerë.Pjesëmarrës në seminar
Në seminar po marrin pjesë 30 pjesëmarrës nga të gjitha qendrat e Kosovës, si: imamë, profesorë e mualimë, të cilët deri më 29 maj do kenë rastin që nga përfaqësuesit e ISESSCO-së të njihen me metodat më bashkëkohore për mësimin e Kuranit fisnik dhe shkencave të tij.
Në hapje të seminarit, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava duke i përshëndetur seminaristët, pasi ka çmuar bashkëpunimin me ISESSCO-n, ndër të tjera, tha: “Jemi tubuar sot në këtë seminar që organizohet nga ISESSCO në bashkëpunim me Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Nuk është hera e parë që ne bashkërisht organizojmë seminare. Edhe më parë kemi pasur aktivitete të tjera të përbashkëta. Mund të them se tanimë ISESSCO ka një interesim të veçantë për rajonin e Ballkanit, e cila ka vënë një bashkëpunim të mirë e korrekt me përfaqësuesit tanë, po edhe të vendeve të tjera për rreth.
Ne, si Bashkësi Islame, jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha asociacionet e jashtme që kanë programe dhe qëllime të definuara qartë.
Mirëpo, seminari që po fillon sot ka vlerë të posaçme ngase ka të bëjë me Kuranin-Fjalën e Allahut xh.sh.- ku ju të pranishëm keni fatin që të njiheni në këtë seminar me metoda bashkëkohore për mësimet e Kuranit. Jam i bindur që keni për të përfituar shumë nga ky seminar, ashtu siç jam shumë i bindur që edhe ju keni për të kontribuar, ngase Kosova qëndron mirë me leximin dhe mësimin e Kuranit, nëse e krahasojmë me shumë shtete të tjera të Botës Islame”.Pjesëmarrës
Ndërsa, Jusuf Ebu Daka nga ISESSCO për qëllimin e seminarit tha: “Me organizimin e këtij seminari kemi për qëllim që pjesëmarrësit t’i njohim me metodat më të reja për nxënien e Kuranit dhe shkencave të  tij. Këtë e bëjmë, ngase mendojmë që sa më shumë ta unifikojmë, për aq sa është e munduar, metodën e nxënies së Kuranit në vende të ndryshme. Qëllimi ynë është të bartim përvojat e të tjerëve këtu, dhe njëkohësisht të marrim përvoja të reja.
Gjithashtu, kemi për qëllim që të fusim në përdorim edhe teknologjinë bashkëkohore për mësimin e Kuranit dhe shkencave të tij.”
Duke i përshëndetur të pranishmit kryeimami, Sabri ef. Bajgora tha: ”Është ky seminari i tretë që e mbajmë bashkërisht me ISESSCO -n,  ne presim që, si edhe viteve tjera, ky seminar të jetë frytdhënës, ngase hulumtohen metodat e reja për mësimin dhe nxënien e Kuranit dhe shkencave të tij".