Ekskluzive:Intervistė me myftiun e Kosovės Mr. Naim Tėrnava
Bashkësia Islame e Kosovës është munduar të krijojë një klimë të mirë për një jetë të përbashkët të të gjitha feve në Kosovë

 
O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë. Kuran 49:13

 

Paketa e Ahtisarit kam bindjen që hap derën e pavarësisë së vendit, edhe pse mbetet që në të ardhmen të punojmë shumë

 

D.I.: Zotëri Myfti,  Kosova gjendet para një çasti vendimtar – zgjidhjes së statusit përfundimtar të saj, a mund të na thoni si e shihni propozimin e Ahtisarit?

 

Myftiu Naim Tërnava: Duke pasur parasysh të kaluarën e popullit të Kosovës, vuajtjet shekullore, mendoj që ky është rasti më i mirë që Kosova të zgjidhë problemin e vet karshi ardhmërisë së saj si shtet sovran dhe i pavarur, pavarësisht nga mospajtimet e kundërshtimet që kanë shfaqur individë  dhe disa nga institucionet e Kosovës, po edhe Bashkësia Islame e Kosovës, lidhur me paketën e Marti Ahtisarit. Megjithatë, propozimi përbën një substancë të bollshme karshi ardhmërisë së vendit dhe pavarësisë së Kosovës.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë vërejtjet e saj, të cilat i ka dërguar nëpër të gjitha qendrat e vendosjes, për mospajtimet që kemi parë dhe kemi analizuar në propozimin e Marti Ahtisarit. Edhe unë kam bindjen që kjo paketë hap derën e pavarësisë së vendit, edhe pse mbetet që në të ardhmen të punojmë shumë në këtë drejtim dhe të koordinohen punët nga faktori politik dhe faktorë të tjerë.Image

  

D.I.: Në paketën e Ahtisarit Kosova është trajtuar si shtet pa fe dhe për këtë keni shprehur mospajtimin tuaj. A keni biseduar edhe me përfaqësuesit e bashkësive të tjera dhe me udhëheqësit e Grupit të unitetit?

 

Myftiu Naim Tërnava: Në paketën e Ahtisarit duhet thënë se është trajtuar vetëm feja ortodokse e jo edhe fetë e tjera shumëshekullore në Kosovë, siç janë feja katolike dhe feja islame. Mendoj që Ahtisari synon t’i përmbushë të gjitha kërkesat e palës serbe. Ai nuk ka analizuar bollshëm se është duke i anashkaluar edhe kërkesat e palëve të tjera (fetare) karshi Kishës serbe, ngase atyre u është ofruar më tepër sesa kanë pritur. Ndaj, nisur nga ky parim, ne si Bashkësi Islame e Kosovës po edhe Bashkësia Katolike, jemi anashkaluar nga trajtimi mbi fenë apo për fenë me ato çfarë ka propozuar Marti Ahtisari. Në pako është propozuar që Kosova të jetë shtet laik dhe mu këtu është bërë një lëshim i madh nga Marti Ahtisari, i cili vetë vjen nga një shtet ku respektohen vlerat fetare, ku respektohet dinjiteti fetar i çfarëdo besimi, një herësh ai ka qenë edhe kryetar, andaj nisur edhe nga ky parim, Marti Ahtisari është dashur të marrë model nga Evropa dhe në projektpropozim ta përshtaste me ato modele të shteteve evropiane, siç janë Austria, Belgjika e shtete të tjera të Evropës. Besoj që edhe këtu është bërë një e padrejtë karshi fesë, ngase dihet mirëfilli që në Kosovë janë tri besimet tradicionale dhe unë mendoj që feja duhet të trajtohet ashtu si edhe nëpër shtete të tjera evropiane.

 

 

Grupi i Unitetit në raport me trashëgiminë kulturore e fetare, ka bërë gabim, ngase është dashtë të kërkojë më me ngulm që të hyjnë në këtë projekt edhe mbrojtja e disa xhamive dhe kishave katolike.

 

D.I.: Edhe trashëgimia kulturore islame në pakon e Ahtisarit është lënë anash karshi trashëgimisë ortodokse. Ç’do të ndërmarrë BIK-ja për të sensibilizuar faktorët relevantë që të trajtohet edhe trashëgimia islame në përputhje me vlera që ka?

 

Myftiu Naim Tërnava: Trashëgimia kulturore islame në paketën e Ahtisarit jo që është lënë anash, po nuk është përmendur fare, sepse në krejt paketën e Ahtisarit në asnjë vend me asnjë fjalë a fjali nuk përmendet fjala xhami dhe as Islam, ndërsa kapituj të tërë i kushtohen ruajtjes së trashëgimisë kulturore fetare ortodokse. Mendoj që edhe këtu është bërë një e padrejtë në raport me fetë e tjera në Kosovë, me fenë islame dhe fenë katolike, sidomos ndaj fesë islame, sepse besimit islam i takon shumica e popullit të Kosovës. Nga një anashkalim i tillë, dhe me synimin për t’i përmbushur dëshirat dhe aspiratat e popullit serb për ruajtjen e manastireve, kishave që janë në Kosovë, besoj që është bërë një e padrejtë me bashkësitë e tjera fetare të Kosovës. BIK për këtë arsye ka ngritur shqetësimet e saj edhe me përfaqësuesit e Grupit të unitetit dhe me negociatorët kosovarë, po edhe me përfaqësuesit e Zyrës së UNOSEK-ut si dhe me dërgimin e vërejtjeve tona direkt për presidentin Ahtisari, si dhe në qendrat e vendosjes në Nju-Jork, Bruksel etj. Unë mund të them se Grupi i Unitetit në raport me trashëgiminë kulturore e fetare, ka bërë gabim, ngase është dashtë të kërkojë më me ngulm që të hyjnë në këtë projekt edhe mbrojtja e disa xhamive dhe kishave katolike, të cilat kanë vlera të veçanta, në Kosovë. Megjithatë, kohët e fundit është vënë në dukje se kësaj pakete do t’i shtohen edhe disa amendamente ose nënligje, të cilat do të rregullojnë edhe çështje të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ne presim që pas pavarësisë së Kosovës t’i qasemi edhe njëherë kësaj problematike dhe së paku të jetë një përkujdesje e barabartë në raport me të gjitha objektet fetare.

 

 

Institucionet e Kosovës duke filluar nga Presidenca e Parlamenti, pastaj Qeveria dhe të gjitha partitë e prijësit e partive në Kosovë, mund të them që me përfaqësuesit e Botës Islame apo të shteteve islame nuk kanë bërë asgjë dhe ky është një lëshim që ndoshta nuk do t’ua falë as historia.

 

D.I.: Kohët e fundit udhëheqësit e Grupit të Unitetit kanë kontaktuar përfaqësuesit e Konferencës Islamike dhe të Ligës Arabe për të përkrahur pavarësinë e Kosovës, në KS të OKB-së. Sa është kërkuar edhe ndihma juaj kur dihet që vetëm BI deri tash ka mbajtur lidhje me atë botë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë asnjëherë nuk kam bërë pjesë në grupin e atyre që në fillim të kritikojnë të tjerët për të mbuluar mospunën dhe mosaktivitetin e institucionit prej nga vijnë apo të institucionit që unë përfaqësoj. Mirëpo, me thënë të drejtën, pa farë mbulese, institucionet e Kosovës duke filluar nga Presidenca e Parlamenti, pastaj Qeveria dhe të gjitha partitë e prijësit e partive në Kosovë, mund të them që me përfaqësuesit e Botës Islame apo të shteteve islame nuk kanë bërë asgjë dhe ky është një lëshim që ndoshta nuk do t’ua falë as historia. Duke e ditur fuqinë që kanë shtetet islame - 54 shtete, dhe duke ditur edhe fuqinë ekonomike që kanë këto shtete dhe raportet e bashkëpunimin që kanë në veçanti me ShBA-në, që e ka përkrahur gjithherë çështjen e pavarësisë së Kosovës, shtet i cili bashkë me Bashkësinë Evropiane në bashkëpunim me Paktin NATO, ndërhyri në Kosovë në vitin 1999. Megjithatë, derisa institucionet tona nuk e kanë pasur të qartë sa duhet vizionin se çfarë duhet bërë për ardhmërinë e vendit, Bashkësia Islame e Kosovës e ka pasur këtë vizion të qartë, andaj kontributi i saj është në fusha të shumta, në dimensione  të ndryshme, së pari duke filluar brenda në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është munduar të krijojë një klimë të mirë për një jetë të përbashkët të të gjitha feve në Kosovë, pastaj ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe në tubimet nëpër qendra të ndryshme, siç janë Brukseli, Londra, Parisi, Stambolli, Vjena etj.. Dhe, nisur edhe nga ky parim, duke e ditur se Konferenca Islamike me seli në Xhide, e cila ka një rol të jashtëzakonshëm dhe përfaqëson të gjitha shtetet islame, Bashkësia Islame e Kosovës vitin e kaluar -në prill 2006- unë si kryetar me bashkëpunëtorët e mi,  të ftuar nga Konferenca Islamike kemi qëndruar për 5 ditë në Xhide, ku kemi takuar Sekretarin e përgjithshëm, dr. Ekmeludin Ihsanoglu, të cilit përveç që i kemi kërkuar përkrahjen që pret Kosova nga Konferenca Islamike, i kemi lënë dhe kërkesën me shkrim për përkrahjen e Kosovës. Ne, gjithashtu gjatë qëndrimit në Xhide, kemi takuar edhe shumë ambasadorë të shteteve të ndryshme, nga të cilët kemi kërkuar përkrahjen e tyre për pavarësinë e Kosovës. Kërkesa jonë për përkrahjen e pavarësisë së Kosovës, nga shtetet e Konferencës Islamike është pritur pa asnjë rezervë. Por edhe aty është vërejtur një mungesë e komunikimit dhe bashkëpunimit zyrtar të institucioneve të Kosovës me Konferencën Islamike,po edhe me Ligën Arabe dhe në përgjithësi me atë botë. Deri sot, pra 8 vjet pas luftës, asnjë vizitë nuk është bërë nga  udhëheqësit institucionalë e politikë të Kosovës në shkallë presidenti apo kryeministri në shtete islame dhe sidomos në ato arabe.

Ndërsa kohët e fundit është mirë që anëtari i Grupit të Unitetit, zotëri Veton Surroi, para disa muajsh ka kontaktuar në Nju-Jork ambasadorët e vendeve islame të akredituar në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit, dhe na vjen mirë që ka marrë përkrahjen e këtyre ambasadorëve për pavarësinë e vendit tonë dhe mund të them se ky hap i fundit i spektrit tonë politik e institucional ka qenë një syçeltësi e tyre duke parë se edhe në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit duhet të sigurohet përkrahja për pavarësinë e Kosovës edhe nga shtetet islame.

 

D.I.: Z. Myfti kur përmendet takimin me Ekmeludinin a mund të konsiderohet që udhëheqja e Konferencës Islamike nga ky njeri është përparësi dhe një fat për ne, kur dihet që dr. Ekmeludini është mik i shqiptarëve dhe ka qëndruar  disa herë në Kosovë dhe njeh mirë realitetin dhe ambiciet e kosovarëve?

 

Myftiu Naim Tërnava: Dr. Ekemeludini është njeriu më i qëlluar që tani gjendet në krye të udhëheqjes së Konferencës Islamike. Është një personalitet i rrallë me të gjitha tiparet e një udhëheqësi të madh, i qetë, bujar e i afërt. Një organizator i mirë në punën. Por ajo që është me rëndësi, dr. Ekmeludin njeh mirë realitetin në Kosovë, njeh aspiratat e popullit të Kosovës. Duhet theksuar se me Kosovën atë e lidh edhe një gjë - mësuesi i tij është një alim yni, Ali efendi Jakupi, për të cilin ai ka konsideratën më të madhe. Sa herë që e kemi takuar, nuk e ka lënë pa e përmendur që mësuesi i tij ka qenë nga Kosova respektivisht nga Gjilani, dhe për mësuesin e tij ndihet krenar, pra kemi të bëjmë me një personalitet të rrallë të kalibrit botëror dhe është  mirë që ai sot gjendet në krye të Konferencës Islamike. Ardhja e tij në krye të kësaj konference, ka ringjallur interesin e këtij institucioni për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, ku normalisht Kosova ka prioritet.

Pra, mund të them që Ekmeludinin është mirë që ta shfrytëzojnë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për Kosovën.

Por duhet thënë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka qëndruar duarkryq, ka bërë vizita në shumë vende të ndryshme të Botës Islame, për të kërkuar përkrahjen e këtyre vendeve për Kosovën. Duhen përmendur vizitat në: Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrejn, Katar, Egjipt, Libi e vende të tjera, nga të cilat nuk po them që kemi lobuar por kemi kërkuar të përkrahin pavarësinë e Kosovës  dhe ta njohin atë kur  të krijohen kushtet.

Ne në këto vende kemi takuar personalitete të rëndësishme dhe kemi marrë pjesë edhe në konferenca e kongrese të ndryshme.

 

 

Kosova do të ketë përkrahjen pa rezervë të shteteve islame në të gjitha institucionet ndërkombëtare

 

 

D.I.: Myfti, ju sapo jeni kthyer nga Kajro dhe Katari. Sa janë të njohura këto shtete me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe me çfarë sfidash jeni përballur ju në atë botë, kur kemi parasysh se diplomacia serbe ka qenë dhe është shumë aktive në atë pjesë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, është shumë e vërtetë që diplomacia serbe në atë botë është shumë aktive. Mua në Kajro m’u tha se ambasada serbe tashmë në Kajro ka shumëfishuar stafin e saj diplomatik dhe në çdo takim që mbahet në Kajro e Egjipt, ata janë të pranishëm dhe zhvillojnë propagandën e tyre duke folur kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, krahasuar me mosaktivitetin e duhur diplomatik në atë botë, puna që ka bërë Bashkësia Islame e Kosovës dhe ato që ka bërë vetë dr. Ekmeludini dhe Konferenca Islamike, - kanë bërë që edhe ajo botë të njohë realitetin në Kosovë dhe nuk ka munguar e nuk do të mungojë përkrahja e shteteve islamike për Kosovën.

Në Kajro unë isha pjesëmarrës në dy kongrese, ku merrnin pjesë në njërin kongres 88 shtete, ndërsa në kongresin tjetër 94 shtete. Përfaqësimi në kongrese ishte i nivelit më të lartë. Aty qenë të pranishëm kryetarë shtetesh, pastaj kryeministra e ministra. Të theksoj se qe i pranishëm edhe kryeministri i Egjiptit. Në atë kongres unë kërkova, në emër të BIK-së dhe në emër të popullit të Kosovës, përkrahjen për pavarësinë e Kosovës, që u mirëprit nga të pranishmit dhe mund të them se kërkesa ime për njohjen dhe përkrahjen e pavarësisë së Kosovës, nga të pranishmit u përcoll me duartrokitje të gjata.

Unë kam bindje të thellë se Kosova do të ketë përkrahjen pa rezervë të shteteve islame në të gjitha institucionet ndërkombëtare ku ato janë të pranishme.

 

Është momenti i duhur që Bashkësia Islame të jetë prezente në Uashington, duke pasur parasysh se në raport me fenë islame dhe me myslimanët e Kosovës janë thurur thashetheme të shumta, ku është bërë një propagandë e tmerrshme nga Kisha Ortodokse Serbe

 

D.I.:  Ju z. Myfti, keni marrë ftesë që të vizitoni edhe SHBA-të, a mund të na thoni cila është axhenda , qëllimi i vizitës dhe ç’ pritni nga kjo vizitë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, unë nesër do të shkoj në Uashington me ftesë të Stejt Departamentit Amerikan, ku do të kemi takime të shumta për 5 ditë, sa do të qëndrojmë në Uashington e pastaj do të shkojmë në Nju- Jork. Në Uashington janë paraparë takime me zyrtarë të Stejt Departamentit, pastaj takime në kongres. Gjithashtu do të mbaj një ligjëratë në Institutin Amerikan për Paqe, që udhëhiqet nga Daniel Server, si dhe takime të tjera me Lobin shqiptaro- amerikan dhe në Konferencën Fetë për Paqe etj.

Besoj që është momenti i duhur që Bashkësia Islame të jetë prezente në Uashington, duke pasur parasysh se në raport me fenë islame dhe me myslimanët e Kosovës janë thurur thashetheme të shumta, ku është bërë një propagandë e tmerrshme nga Kisha Ortodokse Serbe e në veçanti nga peshkopi Artemije, i cili, në emër të Këshillit Nacional Serb, në Amerikë qe disa vite, dhe sidomos pas ngjarjeve të marsit 2004, thuajse vazhdimisht ka qëndruar atje duke na akuzuar se jemi fundamentalistë, muxhahidinë e terroristë, pastaj rrezik për Evropën e krishterë etj. Unë besoj që është koha që edhe ne, tani kur vendoset për ardhmërinë e vendit tonë, të jemi atje dhe t’u bëjmë me dije se këto janë intriga të thurura për ne, fatkeqësisht nga një njeri që është prijës shpirtëror, po ka marrë përsipër misionin politik. Në të njëjtën kohë pra, duke pasur parasysh se myslimanët në Evropë përbëjnë të them ashtu 5-6% të popullatës së përgjithshme, dua ta them edhe në Uashington se kjo është një vlerë e madhe e Evropës, ku myslimanët duhet  të integrohen në rrjedhat e përgjithshme nëpër shtete evropiane. Pra myslimanët në Evropë janë pakicë, andaj duhet një respekt i veçantë, duhet integrimi në të gjitha fushat e jetës.

Gjithashtu gjatë vizitës në ShBA do të falënderoj shtetin e madh mik ShBA, popullin amerikan dhe Qeverinë Amerikane për përkrahjen e madhe dhe ndihmën në vazhdimësi që i kanë ofruar popullit të Kosovës, pra popullit mysliman të Kosovës, mirëpo edhe popujve të tjerë që jetojë e punojnë në Kosovë, por, kur them mysliman, kam parasysh se shumica i takojnë besimit islam.

Është rasti dhe, më në fund, pas një dhune 100 vjeçare dhe dëshmorëve të shumtë që ka dhënë Kosova në vazhdimësi, duke filluar nga 1912, 1921, 1926, ‘29, ‘30, ‘45, ‘56 e deri tani , - kanë rënë shumë vëllezër e motra tona dhe së fundi, 100 vjet u deshën që të kuptojnë Evropa dhe Amerika se çfarë gjenocidi dhe etnocidi dhe çfarë spastrimi etnik e fetar është bërë me skenar të përgatitur për Kosovën, i kryere nga ana e qeverisë serbe si në kohën e Rankoviçit, ashtu edhe tash së fundi në kohën e Milosheviçit.

 Image 

D.I.:  Vitin që shkoi Parlamenti i Kosovës ka miratuar ligjin për liritë fetare, edhe për këtë ligj bashkësitë fetare e posaçërisht BI ka pasur vërejtje serioze. Sa janë marrë parasysh ato dhe a jeni të kënaqur me këtë ligj?

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë me këtë ligj nuk jam i kënaqur fare, absolutisht nuk jam i kënaqur, ngase në projektligjin që është punuar dy vjet, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame e të asaj katolike, pastaj përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të tjerë,- ai projektligj që është përgatitur, nuk është fare ky ligj që është aprovuar nga Parlamenti i Kosovës. Ai projektligj ka pasur mbi 40 nene dhe brenda natës është fshirë i tëri dhe ka ardhur një projektligj që fare nuk ka qenë në diskutim publik e të cilin ne as që e kemi parë si draft,dhe është aprovuar të nesërmen në Parlament.

Ky ligj tashmë i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës, ka 14 nene. Pra ligji i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës është një ligj ad hoc i aprovuar ad hoc, e për anakronik, një ligj që flet për liritë e bashkësive fetare, ku nuk është marrë parasysh asnjë sugjerim i asnjë bashkësie fetare të Kosovës, çka do të thotë se është tamam aprovim i një ligji të tipit komunisto – ateist si më përpara . Megjithëqë në këtë ligj nuk përfshihet pozita juridike e bashkësive fetare, por ai përmban vetëm liritë fetare, megjithatë  mbetet që pas pavarësisë së Kosovës të rishikohet ky ligj, ani pse ne na është thënë se ky ligj është miratuar sa për t’i përmbushur standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Mirëpo duhet ditur që Bashkësia Islame kurrë nuk ka qenë kundër plotësimit të standardeve, por përkundrazi ka kontribuar që ato të plotësohen edhe pa i kërkuar të huajt, kjo nënkuptohet nga vetë angazhimi ynë në vazhdimësi për krijimin e një klime të qetë në Kosovë, duke i paraprirë spektrit politik

Por mund të them se në raport me fenë, krerët tanë nuk janë liruar nga qëndrimi komunisto – ateist, ndonëse besoj që pas pavarësisë së vendit që do të vijë shumë shpejt, do të bëhet edhe ligji për pozitën juridike për bashkësitë fetare dhe Bashkësia Islame e Kosovës brenda këtij ligji do të kërkojë në vazhdimësi nga Parlamenti i Kosovës që të rishqyrtohet edhe ligji për liritë fetare.

Dua të them edhe këtë se për ligjin për liritë fetare, Bashkësia Islame e Kosovës me kohë u ka dërguar të gjitha institucioneve të vendit dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, vërejtjet e saj, çka do të thotë që të gjitha institucionet janë të njohura me qëndrimin tonë.

Më duhet ta them edhe këtë se disa qarqe në Kosovë ende mendojnë siç është vepruar në komunizëm që “bashkësitë fetare duhet të ekzistojnë, por jo edhe të jetojnë”, pra që bashkësitë fetare të veprojnë sa për të thënë, mirëpo ne në Kosovën e passtatusit do të kërkojmë që edhe në Kosovë bashkësitë fetare t’i kenë të gjitha të drejta që kanë bashkësitë fetare në rajon e në Evropë.

 

 

D.I.:  z. Myfti, në maj të vitit të shkuar në Patrikanën e Pejës është mbajtur një takim i krerëve fetarë, atëkohë qe premtuar se do te vazhdohen takime të tilla. Cilat janë shkaqet që edhe thuajse pas një viti, nuk kemi ma takim të krerëve fetarë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, ashtu është vërtet , por fillimisht dua të them se Bashkësia Islame e Kosovës jo vetëm vitin që shkoi, por prej vitit 1997 në vazhdimësi është munduar të japë një kontribut të çmuar. Të rikujtoj se me gjithë situatën tepër të tendosur, ne si Bashkësi Islame vetëm dy javë pa filluar bombardimet e NATO-s më 1999, ishim në takim në Vjenë dhe me këtë dua të them se atëherë kemi pasur fuqi e guxim të takoheshim me përfaqësuesit e bashkësive të tjera fetare dhe mendoj që dialogu ka qenë dashur të jetë rruga e vetme e zgjidhjes së të gjitha problemeve edhe në Kosovë, në rajon dhe në tërë botën, për t’iu shmangur përdorimit të forcës. Megjithatë ajo nuk u arrit, dhe plasi lufta në Kosovë e më vonë ndodhi edhe ndërhyrja e forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO. Edhe pas luftës, ne si bashkësi kemi qenë të hapur dhe të gatshëm për dialog ndërfetar dhe në këtë drejtim kurrë nuk ka munguar vullneti ynë, për se me kohë kemi pranuar që të jemi pjesë e këshillit ndërfetar, i cili ekziston edhe sot dhe ka pasur takime në Vjenë, Stamboll, Osllo, Sarajevë e vende të tjera.

Megjithatë, së fundi është mbajtur një takim dyditësh në Patrikanën e Pejës, ku kemi marrë pjesë aktive dhe kemi dhënë kontributin tonë. Aty merrte pjesë edhe Kisha Katolike dhe shumë priftërinj të lartë nga Kishat Serbe.

Ne aty ishim pa asnjë hezitim, duke e ditur se jemi të detyruar nga libri hyjnor, nga Kurani, që të punojmë për afrimin e njerëzve dhe t’u shmangemi të gjitha të ligave, pa përdorur dhunën. Megjithëse në atë takim u propozua që takime të tilla të vazhdojnë, unë në emër të Kryesisë së BIK-së propozova që ne të jemi nikoqir i takimit të radhës, një propozim që u miratua nga të pranishmit dhe takimi ka qenë paraparë të mbahet në shtator të vitit të shkuar, mirëpo në vazhdimësi Kisha Ortodokse Serbe në krye të së cilës gjendet Artemije, nuk ka pranuar të mbahet takimi. Pastaj ne i jemi drejtuar me një shkresë edhe Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe në Beograd, që të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre në këtë takim. Megjithatë peshkopi Artemije ka refuzuar dhe ky është shkaku pse nuk ka pasur takime të tjera, edhe pse në Patrikanën e Pejës qe premtuar se, pavarësisht nga e  ardhmja e Kosovës, takimet do të vazhdojnë.. 

 

 

D.I.: Po çfarë është bashkëpunimi i BI-së  me Ipeshkvinë e Kosovës?

 

Myftiu Naim Tërnava: Bashkëpunimi me Ipeshkvinë e Kosovës është i mirë. Nuk kemi asnjë problem dhe shkojmë në vizita të ndërsjella, në takime të shpeshta jemi bashkë, mundohemi të respektojmë njëri-tjetrin, sigurisht duke mos prekur në specifikat që i përkasin besimit islam apo atij katolik. Ne historikisht nuk kemi pasur asnjë problem me Kishën Katolike, gjë që  më gëzon mua dhe gëzon popullin tonë, ngase ky është një model i mirë për të tjerët se si mund të bashkëjetojë një popull me dy apo tri fe, siç është rasti i popullit tonë në Shqipëri, ngase ne nuk i takojmë vetëm besimit islam por edhe atij ortodoks dhe atij katolik. Prandaj, nisur nga ky parim, ne jemi një shembull i mirë për botën se si duhen respektuar vlerat e njëri-tjetrit dhe si duhet kultivuar toleranca ndërfetare.

 

 

D.I.: Po cili është bashkëpunimi me bashkësitë islame në rajon, e posaçërisht me bashkësitë islame të Shqipërisë e Maqedonisë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Lidhur me këtë pyetje dua të jem shumë real. Bashkësive islame në rajon u mungon një strategji e përbashkët, u mungon një koordinim i punëve, u mungon një skenar mbi ardhmërinë islame në këto troje. Për mua, shumë lehtë është t’ju them se kemi një bashkëpunim të mirë dhe ja, u krye, mirëpo ne kemi bashkëpunim të mirë, po kjo nuk mjafton, nëse ne takohemi në takime rasti e në ndonjë takim shumë “zyrtar” dhe aty  shihemi e i bëjmë qejfin njëri - tjetrit e të themi ja ky është bashkëpunim.

Ne si bashkësi nuk kemi bashkëpunim të mirëfilltë të aktiviteteve të barrës që na takon në raport me besimtarët që drejtojmë, andaj Unioni Islam që është themelua vite më parë, para luftës së 1999-ës, tani është inekzistent, tani ka mbetur vetëm në letër. Në këtë drejtim nuk është vepruar, edhe pse është nënshkruar atëherë kjo marrëveshje.

 

 

D.I.: A do të riaktivizohet Unioni Islam për trojet shqiptare?

 

Myftiu Naim Tërnava: Nuk varet vetëm prej nesh. Ne kemi qenë disa herë - Bashkësia Islame e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kemi qenë në Tiranë dhe kemi kërkuar aktivizimin e Unionit. Sa kam kuptuar unë, fajtore ka qenë politika e asaj kohe dhe ngjarjet politike që u zhvilluan në Shqipëri e kanë stopuar Unionin; të mos keqkuptohemi jo me urdhër të prerë, por me një angazhim jo të bollshëm e neglizhent, Unioni ka mbetur vetëm në letër. Ky për ne është një lëshim jashtëzakonisht i madh. Unë edhe përmes kësaj interviste bëj thirrje për një bashkëpunim të mirëfilltë të të gjithëve.

 

 

Islami nuk është fe e individit, nuk është fe e një kombi apo e një pozite gjeografike të një vendi, është fe e universit, është fe e të gjithëve pa dallim

 

 

D.I.: Z. Myfti, në opinion qe shkaktuar një huti me rastin e festës së Kurban -Bajramit për shkak të mosbashkimit me Tiranën e Shkupin. A mund të presim që në të ardhmen, bile qendrat shqiptare, të kenë një datë të përbashkët, si për fillimin e Ramazanit ashtu edhe për festat e tjera islame?

 

Myftiu Naim Tërnava: Së pari, populli shqiptar jo vetëm në Kosovë po në rajon, duhet ta kuptojnë se Kosova është një fuqi e madhe, ka një përgjegjësi të madhe islame dhe, nisur nga ky parim dhe pa dashur që të marr hisen që u takon bashkësive islame të tjera, jo vetëm shqiptarët, por të gjitha bashkësitë islame duhet t’i drejtojnë sytë nga Bashkësia Islame e Kosovës, edhe Ballkani e edhe Evropa, ngase këtu është numri më i madh i besimtarëve islamë.

Duhet të respektohet Bashkësia Islame e Kosovës nga të gjitha bashkësitë islame në rajon, ngase këtu është numri më i madh i myslimanëve.

Islami nuk është fe e individit, nuk është fe e një kombi apo e një pozite gjeografike të një vendi, është fe e universit, është fe e të gjithëve pa dallim. Andaj mysliman janë edhe shqiptari edhe boshnjaku edhe anglezi edhe arabi edhe i ziu e edhe i bardhi, elhamdulilal prej Zotit, afër 2 miliardë ka arritur numri i myslimanëve në gjithë botën.

Mua më vjen keq që ka ndodhur kjo, por më vjen edhe më keq kur disa pseudointelektualë filluan  të merreshin me çështje fetare nëpër gazetat tona, sa kohë që as Shehadetin nuk e dinë dhe nuk dinë se ç’është feja dhe ende vazhdojnë të jenë komunistë. Megjithatë, ata kanë menduar që Bashkësia Islame është një komunitet, për të cilin ata mund të shkruajnë dhe të bëjnë gjithë ç’ të duan. Unë ju them edhe një herë se koha e tyre ka kaluar dhe të mos tentohet me asgjë të njolloset Bashkësia Islame. Ata duhet ta kuptojnë, edhe populli i Kosovës, që Bashkësia Islame e Kosovës është bashkësi e të gjithë myslimanëve të Kosovës. Ndaj, nisur nga ky parim, unë kam kërkuar edhe nga bashkësitë e tjera fetare këtu në rajon, që të ulemi, të shohim e të koordinojmë çështjen e festës së Kurban-Bajramit. Shikoni, unë nuk bëj asgjë për hatër të dikujt në raport me fenë, feja është mbi të gjitha. Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që Arafati të jetë sot e nesër të mos jetë Bajram; kurrë nuk ka ndodhur, asnjë një njeri nuk e mban në mend, për Bajramin e Ramazanit po ama për këtë ditë kurrë, ngase dalja dhe prania e haxhinjve në Arafat, ajo vetvetiu flet që të nesërmen është Bajram.

Kështu ka vepruar Resulullahu, dhe kështu veprohet. Derisa disa matrapazë mundohen ta shohin këtë si një përzierje politike, unë them me plot përgjegjësi që më takon se absolutisht nuk ka pasur, s’ka dhe s’mund të ketë dhe askush nuk mund të përzihet në Bashkësinë Islame të Kosovës, as nga politikanë e as nga qarqe të tjera, sepse ne dimë të organizohemi mirë. Megjithatë, po them, për hatër të askujt nuk punohet kur është fjala për fenë, sepse nuk është urdhër i individit, po është urdhër i Zotit, derisa edhe fetfaja e Universitetit të Al – Az’harit del se Kurban - Bajrami nuk mund të ndryshojë nga dita që përcakton prania e haxhinjve në Arafat dhe nesër është dita e Bajramit. Dhe nisur nga parimet e thella islame dhe fondamentet islame, dhe duke e parë se 5 milionë haxhinj  kanë dalënë Arafat, duke e parë se mbarë bota feston të nesërmen Kurban - Bajramin me përjashtime shumë të vogla, unë bashkë me kolegët e mi këtu në Kryesinë e BI-së, kemi vendosur që ta përkrahim atë që është përkrahur për shekuj me radhë. E në gazeta kjo u cilësua si çështje e sferës arabe, po kjo nuk ka kurrfarë ndikimi, feja islame nuk është veç e Kosovës, apo veç e Turqisë a veç e Arabisë, po është e të gjithëve. Ne vendet e shenjta, Mekën e Medinën, nuk mund t’i sjellim në Kosovë, se Allahu i ka zgjedhur atje dhe janë disa gjëra që janë të lidhura me vendet e shenjta, në këtë rast Arafati është në rrafshnaltën e Mekës dhe nuk është në Kosovë, prandaj jam shumë i bindur që ne kemi pasur të drejtë.

 

 

D.I.: Myfti, ditë më parë në shtypin e përditshëm ka pasur një fushatë kundër BI-së, se gjoja BI nuk është transparente dhe nuk jep të dhëna për mënyrën e financimit, si dhe i bishtnon pagesës së tatimeve. Si e shihni këtë fushatë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë nuk kisha thënë që ka fushatë kundër Bashkësisë Islame, por ka tentim të përzierjes në punët e Bashkësisë Islame edhe nga njerëz që nuk janë kompetentë për atë punë. Bashkësia Islame e Kosovës besojëqë ka dhënë një kontribut, sidomos tash e 17-18 vjet, sa nuk ka dhënë asnjë institucion i Kosovës. Këtë e kam thënë disa herë dhe po e përsëris. Së pari, duhet ditur të gjithë që Bashkësia Islame e Kosovës financohet vetë nga myslimanët e Kosovës, nga besimtarët e Kosovës dhe nga ndihmat që na vijnë nganjëherë nga Diaspora shqiptare.

Unë në vazhdimësi kam kërkuar financim të bashkësive fetare nga ana e Buxhetit të Kosovës, mirëpo kjo deri më tash nuk është bërë. Në atë moment që Qeveria e Kosovës do të na japë dy centë, ne për ata dy centë do t’i përgjigjemi se ku i kemi shpenzua, ç’kemi bërë me to. Mirëpo, derisa ata nuk na japin asgjë dhe nuk interesohen fare për Bashkësinë Islame e as për bashkësitë e tjera fetare, ne nuk jemi të detyruar tu japim raport se çka bëjmë gazetarëve. Ndërsa, për sa i përket pagesës së tatimeve, ne i paguajmë të gjitha sa na përkasin; ne i kemi pagur jemi  të rregullt e do t’i paguajmë edhe në të ardhmen. Do t’i bëja thirrje shtypit që të zgjedhin pak metodën e bashkëpunimit me Bashkësinë Islame dhe të mbajnë qëndrim parimor karshi Bashkësisë Islame.

 

Në Kosovë ka tentativa të organizimit jashtinstitucional të bashkësive fetare

 

D.I.:  z. Myfti, t’i kthehemi pak zhvillimit të jetës fetare në Kosovë, si do të përshkruani zhvillimin e trendeve fetare në Kosovë?

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë me plot përgjegjësi them se në Kosovë ka tentativa të organizimit jashtinstitucional të bashkësive fetare. Unë ua kam bërë me dije gjithherë edhe institucioneve të Kosovës edhe të tjerëve se Bashkësia Islame e Kosovës nuk merr përsipër përgjegjësinë që nuk i takon. Ne si bashkësi islame nuk kontrollojmë kufijtë e Kosovës, nuk kontrollojmë Aeroportin e Kosovës, kush hyn dhe kush del në Kosovë - nuk është problem i Bashkësisë Islame, është problem i Qeverisë së Kosovës, i KFOR-it, i UNMIK-ut. Është e vërtetë e pamohueshme që në Kosovë hyjnë edhe mysafirë të padëshiruar si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja. Mirëpo një pjesë e tyre nuk janë mysafirë të Bashkësisë Islame, janë mysafirë të shoqatave të ndryshme, mysafirë të individëve, dhe ata bartin përgjegjësinë për ta.

 

 

D.I.: Sa kanë gjetur shprehjen në Kosovë këto shoqata?

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Bashkësia islame e Kosovës nuk e merr këtë përgjegjësi. Është e vërtetë që në Kosovë ka financime të individëve të caktuar, të shoqatave të caktuara, dhe kjo është ajo që thashë se ka tentativa të një organizimi jashtinstitucional. Dhe këtu them që Qeveria e Kosovës ka dështuar dhe po dështon vazhdimisht, sepse këtu duhet qenë shumë syçelë sa nuk është bërë vonë.

Pyetja ishte nga gazetat tona - Bashkësia Islame jo transparente?!!!!. Po pse gazetave tona nuk u interesojnë gjithë këto financime të jashtme,  financimet për individë të caktuar në Kosovë? Këto duhet të shikohen e jo të shikohet aty ku çdo gjë është në rregull. Andaj po them unë, vijnë mysafirë të paftuar dhe shiten si myslimanë, vijnë nga Lindja po edhe nga Perëndimi nuk them vetëm nga Lindja, edhe nga Perëndimi kemi shumë. Këtyre duhet t’u pritet hovi jo nga BIK, sepse nuk kam as ushtri e as polici, e ajo është çështje që i takon Qeverisë së Kosovës, policisë së Kosovës, pra u takon institucioneve të Kosovës - ata duhet të merren me këtë problematikë.

 Image 

D.I.: Z. Myfti, revista “Dituria Islame” pas 20 vjetësh të veprimtarisë së vet të suksesshme, të punës së saj, tash ka edituar numrit 200, Ju lutem të thoni opinionin tuajin me rastin e 20 - vjetorit dhe botimit të  numrit jubilar?

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë,  me një fjali kisha për të thënë, nëse me diçka mund të krenohet Bashkësia Islame, kjo është revista “Dituria Islame”.

 

 

D.I.: Mesazhi juaj për lexuesit tanë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Fillimisht u dëshiroj punë të mbarë revistës “Dituria Islame” e stafit të saj dhe jam i bindur që Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi do të përkrahë revistën në misionin e saj, në vazhdimësi do të financojmë botimin e revistës. Përmes revistës i uroj popullit Kosovës dhe popullit shqiptar në trojet tona etnike, po edhe atyre në Diasporë për pavarësinë e vendit tonë që së shpejti do ta kemi, duke i lutur të gjithë që edhe pas pavarësisë, të japin kontributin e tyre për një mirëqenie të përgjithshme dhe E lusim Zotin xh.sh. që të na i plotësojë të gjitha kërkesat tona, dëshirat tona në Kosovë. Dhe në Kosovë të mbretërojë paqja, lumturia, harmonia, sinqeriteti dhe vëllazëria në mes njerëzve. Familjeve që kanë dhënë më së teprimi për Kosovën e lirë, atyre Zoti t’u dhurojë durim, duke e ditur se ata kanë dhënë më të dashurit për pavarësinë e vendit tonë, dhe besoj që pas pavarësisë së vendit,  prapë do të kemi punë, edhe më tepër madje, e Bashkësia Islame do të punojë në këtë drejtim, do të japë kontributin e saj në këtë drejtim dhe do të mundohet t’i realizojë të gjitha ato përgjegjësi që i takojnë.

(intervistoi: ramadan shkodra)