Bashkėsia Islame e Kosovės


Ajet kuranor:

38:2. Por ata qė nuk besuan janė nė kryeneēėsi e kundėrshtim.

Mesazhi i Myftiut Printoni E-mail

Mesazhi i Myftiut të Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava
me rastin e Kurban Bajramit - 2007


Të nderuar vëllezër e motra

I lavdëruar qoftë Allahu në madhërinë e Tij, në kompetencën e të Cilit është e mira dhe e keqja, ulja dhe ngritja, dhënia dhe mosdhënia, fitorja dhe humbja, krenaria e poshtërimi, kurse salavatet dhe përshëndetjet më të mira qofshin mbi krijesën e zgjedhur të kësaj ekzistence Muhamedin a.s., i cili na udhëzoi shtegut të dritës, na mësoi se ç’është besimi, paqja, urtësia, mirëkuptimi, lëmosha, sinqeriteti, sakrifica, ndihma dhe dashuria e ndërsjellë.
Zakonisht bajramet te myslimanët vijnë pas përfundimit të një obligimi specifik të caktuar nga Allahu xh.sh. Fitër Bajrami vjen pas përfundimit të agjërimit të Ramazanit, ndërsa Kurban Bajrami vjen pasi besimtarët të kenë kryer obligimin e Haxhit.


Bajramet janë ditë feste dhe gëzimi. Ato nuk mund t’i shmangin besimtarët Islamë nga rregulli i adhurimit për të cilin ne jemi krijuar. Besimtari është rob i Allahut xh.sh në të gjitha aspektet e kësaj jete të përkohshme. Feja Islame nuk dëshiron kurrë dhe për asnjë çast që robi të humbasë lidhjen me Zotin e tij.
Kjo ditë na tubon të gjithëve së bashku, në mënyrë që të njihemi njëri me tjetrin, t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të shprehim frymën e përkrahjes, forcimin e mëtejshëm dhe të zhvilluar të unitetit dhe të vëllazërimit duke zbatuar kështu thëniet kur’anore:
O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vetes e s’ka dyshim se tek Allahu më  i ndershmi ndër ju është ai qe më tepër është ruajtur(nga të këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.
Thirrja për unitet dhe vëllazërim në mes njerëzve gjendet në shumë ajete kur’anore dhe hadithe të Pejgamberit a.s.. Kur’ani famëlartë i bën me dije njerëzit se Allahu xh.sh. i ka krijuar prej një babe (Ademit) dhe prej një nëne (Havasë) dhe në të njëjtën kohë ua kujton atyre se ata janë të urdhëruar në bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë mes vete.
Jo vetëm kaq, por ditët e Bajramit janë ditët më të shenjta për ne myslimanët dhe ndër festat më të lumtura. Në këtë ditë besimtarët falënderojnë Zotin Fuqiplotë, shprehin ndaj Tij mirënjohjet e thella dhe të sinqerta.
Ata që vizitojnë Qabenë e shenjtë, binden në mirësitë, dhuntitë dhe nimetet e shumta të All-llahut xh.sh. që ua dhuroi besimtarëve. Vijnë të lodhur nga udhëtimi, por në fytyrat e tyre shkreptinë rrezja dhe nuri i Imanit të pastër, sepse janë mysafirë të Atij, që i mbulon me hirësinë dhe hijen e mëshirës së Tij të pakufishme.
Ç’do festë e jona e ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e Kurban-Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, flijimit dhe sakrificës. Po ashtu kjo festë është edhe kurorëzim i haxhit, kushtit të pestë të Islamit.
Së këndejmi, për të qenë festa e Kurban-Bajramit festë e vërtetë islame, besimtarët janë të obliguar që ku do që të jetojnë, ta festojnë atë në harmoni e dashuri të plotë mes veti, dhe ta ngritin unitetin islam në nivelin më të lartë.
Haxhi është kushti i pestë i fesë islame, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, kultura, devotshmëria dhe madhështia e umetit të Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Haxhi është moment ekskluziv i eliminimit të të gjitha diferencave nacionale, racore, klasore etj. Aty janë të barabartë mbreti dhe robi, intelektuali dhe analfabeti, i bardhi dhe i ziu, i pasuri dhe i varfëri, të gjithë kanë veshje të njëjtë: dy pëlhura të bardha, të njohura si rroba të ihramit.
Nga ana tjetër, nga këndvështrimi islam, bajramet janë edhe mesazh social dhe rast për çdo mysliman që të bashkohet në gëzimin e përbashkët të bijve të Ymetit mysliman, pavarësisht nga moshat, nivelet, racat, gjuhët, kulturat etj. Feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin me një vlerë nga vlerat sociale e ajo është: sakrifica.
Duhet ditur se tek Allahu xh.sh nëpërmjet prerjes së kurbanit nuk arrin mishi dhe as gjaku, por ajo që mbërrin te Madhëria e Tij është pikërisht bindja dhe devotshmëria Islame, lidhja e robit me Zotin dhe forcimi i dashurisë dhe i bashkimit midis kontribuuesit dhe atij që është në nevojë materiale.
Pra, kurbani është institucion fetar i cili synim të vetin kryesor dhe objektiv parimor ka humanizimin e njeriut, pastrimin e tij shpirtëror, begatimin e tij me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e tij. Thënë shkurt, përmes këtij institucioni tentohet të kontribuohet në formimin e personalitetit dhe bashkësisë së shëndoshë njerëzore.
Kurbani në vete ngërthen edhe karakterin mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut të Madhërishëm. Përmes therjes së kurbanit, njeriu i tregohet mirënjohës Allahut të Madhërishëm, dhe e falënderon Atë për të mirat dhe begatitë që ia fali.
Krahas gjitha dimensioneve tjera, kjo festë është dëshmi e preokupimit të njerëzve me njëri-tjetrin, dhe ndihma materiale që i jepet atij që ka nevojë. Me këtë bëhet edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij, e njëkohësisht edhe ngadhënjim mbi egoizmin dhe daljen në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.
Kurban Bajrami është përplot porosi, rregulla e këshilla të cilat i japin një mision të veçantë shpirtëror.
Pra kjo e ka lidhur Bajramin e haxhit me njërën prej vlerave më të shtrenjta morale e shoqërore me kurbanin dhe ndihmën vëllazërore. E sot, në këtë ditë të Kurban Bajramit, ai që është në gjendje dhe ka mundësi, le të presë kurban, le ta ndajë një pjesë të tij për të varfrit, një pjesë le t'ua dhurojë të afërmeve kurse pjesën tjetër le ta përdorë për vete dhe për familjen e tij.

Të nderuar vëllezër e motra!
Dijeni se rruga drejt realizimit të synimit tonë është e gjatë, e vështirë; kërkon sinqeritet, përkushtim dhe dashuri. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Jeta jonë është nën hijen e këtij ajeti, pasi që qëllimi i misionit tonë në këtë tokë është ta ardhurojmë Krijuesin tonë.
Në përfundim i drejtohem vetes dhe gjithë vëllezërve të mi besimtarë që në ditët e Kurban Bajramit të shijojmë vlerat që ka ai. Të mos lëmë pasdore asnjë moment nga momentet shpirtërore që ka kjo festë si: ndjenja për të bërë mirë, për t’u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë , shprehja e pastërtisë shpirtërore si rast për t’u filtruar nga çdo e metë dhe gabim, për t’u kthyer drejt  forcimit të mëtejshëm të imanit, sepse në këtë mënyrë arrijmë të jemi pjesëtarë të denjë dhe të meritueshëm të një bajrami më të madh që është kënaqësia e fitimit të mëshirës dhe shpërblimit të pakufishëm në të dy jetët, nga Ai që na ka krijuar, udhëzuar dhe na mban - Allahu xh.sh.

Vëllezër të nderuar,
Nga ky vend i shenjtë, dhe para kësaj mase të madhe besimtarësh, në këtë xhami dhe në xhamitë e tjera anekënd trojeve tona etnike, dhe të atyre që përkohësisht gjenden jashtë atdheut si dhe të atyre  që në këto momente po na përcjellin nëpërmjet mediave elektronik, duke Ju uruar për festë të Kurban Bajramit, dëshirojë në veçanti t’i përshëndes të sëmurët, jetimët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat tona kudo që gjenden në këto momente.

Edhe një herë, me fat ju qoftë Kurban-Bajrami !


Duaja

O Zot, kërkojmë mbrojtje prej zemrës e cila nuk të ka frikë, prej syrit i cili nuk loton për Ty dhe prej duasë e cila nuk pranohet. O Zot, na i falë mëkatet, neve, prindërve tanë dhe gjithë myslimanëve. O Zot, Ti je mbrojtësi ynë, pra falna e mëshirona neve, se Ti je falwsi i gabimeve.
O Zot, na bashko me të dërguarit e Tu, të sinqertit, dëshmorët, të devotshmit dhe me gjithë njerëzit e mirë në Xhennetet e Larta. Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut!

 
< I mėparshmi   Tjetri >