Intervista
Vrasja e Salih Tivarit ėshtė sfida mė e rėndė qė i ėshtė bėrė Bashkėsisė tonė
| Vrasja e Salih Tivarit ėshtė sfida mė e rėndė qė i ėshtė bėrė Bashkėsisė tonė |
|
|
|
Intervistë me Ervin Hatibin - kryeredaktor i gazetës "Drita Islame" të Tiranës [Intervistoi: Mr. Qemajl Morina]
D.I: Kush është Ervin Hatibi? Ervin Hatibi: Kam lindur në Tiranë më 1974. Më së tepërmi publiku më njeh si poet, por edhe kjo më shumë prej një lloj reputacioni të përhapur sesa prej botimeve të mia. Jam autor i dy librave me poezi (një në 1989, tjetri më 1995), shija e të cilëve ende ruhet në qarqet e njohësve. Një lloj publiciteti të madh për emrin tim ka bërë edhe mosha shumë e re kur u paraqita me libër, parathënia prej Ismail Kadaresë në librin e parë si edhe angazhimet e mia të tjera të dukshme me turli gjërash, që nga përfshirja 24- orëshe në jetën e avangardës kryeqytetase në fillim të viteve '90, nga publicistika radikale, nga bashkëpunimet shpesh të suksesshme poetike me skenat e muzikës së re, apo aventura të tjera amatore me artet pamore. Kam përfunduar studimet e larta për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, dhe pasi u përkushtova si musliman, ndërmora një udhëtim për në Jordani, ku gjatë dy viteve mësova disa baza të gjuhës arabe dhe terminologjisë fetare, si edhe fillesa të tjera në lëmenjtë e dijeve fetare, duke pasur si bazë ndihmesën dhe këshillat e vyera të dijetarit të madh shqiptar Shuajb Arnauti. Pas kthimit në Tiranë, po bëhet dy vjet që drejtoj revistën "Drita islame" të Komunitetit Musliman të Shqipërisë. D.I: A jeni të kënaqur me nivelin e publicistikës islame në Shqipëri? Ervin Hatibi: Me publicistikë islame në Shqipëri, unë kuptoj në përgjithësi eseistikën apologjetike që shkruesit muslimanë botojnë në periodikët fetarë e ca më pak në shtypin "tjetër". Kësaj dekade do ta gjenim që në fillimet e veta e deri më tash tepër periferike e të papeshë në rrjedhat e shoqërisë. Shenja më dalluese e publicistikës islame në Shqipëri është karakteri i saj ngushtësisht reagues-replikues. Në njëfarë mënyre, duket sikur po të mos kishte publicistikë apo aksion politiko-kulturor që sulmon në çështje të fesë e besimtarëve, shkruesit tanë nuk do të kishin motive të mjafta për të shkruar. Numri i zakonshëm i një periodiku fetar klasik tek ne, përveç përqindjes së lartë të materialit të përkthyer, si krijimtari origjinale shqip detyrimisht do të ketë ndonjë përgjigje ndaj ndonjë artikulli gazete që si zakonisht ka fyer apo keqpërmendur Islamin a muslimanët, pastaj mundet të ketë edhe ndonjë shkrim/predikim standard kundër alkoolizmit/prostitucionit, ose edhe ndonjë jetëshkrim të ndonjë hoxhe apo myderrizi të brezit të vjetër, pastaj opcionale mund të botohet ndonjë përshtypje udhëtimi nga haxhillëku apo nga ndonjë tjetër "vizitë fetare" në Turqi, Iran apo Egjipt... Fill pas hapjes së Shqipërisë, veprimtarët kryesisht të moshuar që morën në duar çështjet e Islamit, kam përshtypjen se zgjodhën një rrugë agresiviteti në qëndrimin ndaj paqartësive apo injorancës së përgjithshme ndaj Islamit. Nuk mund të mohohet se gati shumica e qëndrimeve publike refuzuese a kritike ndaj Islamit tek ne, mbase motivohen edhe nga qëllime negative, por mendoj se njerëzit e Zotit më mirë ta trajtojnë këtë si padije apo keqkuptim sesa si keqdashje. Kurse në rastin tonë, veprimtarët e brezit të parë, bartës të virusëve të luftës së klasave, shënjuan fillimin e viteve '90 me një stigmatizim armiqësor ndaj gjithë atyre që guxuan të kishin mendime të tjera për Islamin. Çudia është se këta kundërshtues "qëlluan" të ishin njëkohësisht edhe armiq të qeverisë dhe forcave të atëhershme politike qeverisëse të së djathtës. Përfytyrimi i rrezikshëm që u krijua atëherë, e nuk është zbehur as sot, ishte se në Shqipëri pro Islamit ishin vetëm ata që ishin të djathtë a nacionalistë apo në një përfytyrim vulgar besoj se është lënë të kuptohet se feja jonë është kryesisht një lloj trashëgimie tribale e fiseve gege apo e pinjollëve të dy-tre oxhakëve feudalë plot blozë... Pastaj edhe brezi i ri i veprimtarëve, i ndikuar prej misionarëve të huaj si edhe prej përkthimeve jo të përgjegjshme nga literatura e militancës islamike të gjysmës së parë të shekullit XX, mbase filloi të receptonte shoqërinë shqiptare me terma të huazuar të postkolonializmit, duke prodhuar një retorikë tjetër përjashtuese krahas asaj të brezit të vjetër. Por për shumë arsye, për të cilat falënderojmë Allahun, publicistika e brezit të ri, është prezente në shumicën e rasteve vetëm në mjediset e internetit. Të dyja këto kahje të së njëjtës prirje përjashtuese, të demonstruara jo vetëm në publicistikën islame, por edhe më gjerë në punën islame me veten dhe shoqërinë, kanë krijuar një lloj izolimi absurd nga shoqëria shqiptare, e cila për çudi edhe deklarohet prej nesh si mbi 70%, e nga ana tjetër retorika jonë e sjellja jonë si veprimtarë e publicistë muslimanë me të, i ngjan sjelljes së një diaspore të grupuar në ndonjë klub kulturor mërgimtarësh turq apo arabë në ndonjë metropol evropian... Eksperimenti im dyvjeçar në drejtimin e "Dritës islame" ka tentuar të largojë sado pak frymën e getos me moralizimet shterpe apo me gjuhën e përjashtimit. Sesa sukses ka pasur kjo, është diskutim tjetër, por e rëndësishme është që jemi përpjekur që të shprehemi të nisur nga ideja se Islami është fe e gjallë dhe e hapur për të gjithë dhe se muslimanët janë pjesë integrale e shoqërisë me idetë, përgjegjësitë dhe të drejtat e veta para bashkësisë e shtetit. D.I: Para dy javësh në rrethana misterioze u vra sekretari i përgjithshëm i KMSH Salih Tivari, si u reflektua kjo tek muslimanët në Shqipëri? Ervin Hatibi:Vrasja e pabesë e një funksionari të lartë të fesë islame, e vëllait tonë Salih në zyrën e tij në mes të kryeqytetit, vetëm 100 metra përballë Parlamentit shqiptar, është një nga sfidat më të rënda që i është bërë bashkësisë tonë fetare e qytetare, si edhe shtetit shqiptar në këta 100 vjetet e fundit. Në këtë situatë muslimanët shqiptarë u tulatën jo aq nga vrasja, sesa nga fajësimi kriminal që u bëri media dhe disa organe shtetërore të akuzës, të cilat preferuan ta rreshtojnë vrasjen e Tivarit si një "krim në familje", në vazhdën e kronikës së zezë të shoqërisë së trallisur shqiptare ku biri vret babën, gruaja burrin etj. Duke u përpjekur të na mbushin mendjen se krimi është një pasojë e luftës për pushtet ndërmjet hoxhallarëve të paskrrupull apo një viktimë e terrorizmit vehabit post-11-shtator në përplasjen ideologjike midis qytetërimeve (atij arab antiperëndimor me atë turkosman properëndimor), apo brezave (të rinjtë radikalë të arabizuar versus pleqtë e moderuar anadollakë), akuzuesit e paskrupull ndërmorën aksionin më satanik që është ndërmarrë ndonjëherë në viset tona kundër Islamit. Edhe më 1967 gjatë revolucionit kulturor, feja islame nuk u përbaltos kaq shumë. Së paku atëherë sulmi ndaj fesë u bë duke e përqasur me padijen dhe prapambetjen, por gjithsesi nuk u kriminalizua figura e Islamit si fe që prodhon vrasës potencialë, fanatikë terroristë, akuzë kjo që po rri varur sot e gjithë ditën përmbi minaret e Shqipërisë. D.I: Rreth shkakut të vrasjes së S.T. në Shqipëri po spekulohet në tri pista. Cili është mendimi juaj? Ervin Hatibi: Përveç pistës së luftës për pushtet dhe asaj për terror të fanatikëve mbi të moderuarit, shtypi dhe prokurori i përgjithshëm kanë renditur edhe pistën e interesave që lidhen me pronat e Komunitetit. Për mua këto pista janë të pista. Media e përgjegjshme dhe organet shtetërore të përgjegjshme nuk mund ta trajtojnë vrasjen e një zyrtari të lartë fetar si i ndjeri Salih Tivari, si një vrasje çfarëdo, duke hedhur në erë hipoteza e probabilitete matematike, duke anashkaluar mjedisin fetar të vrasjes. Sidomos në kuadrin e fuqishëm propagandistik të luftës globale kundër terrorizmit, pistat e hedhura nuk kanë bërë tjetër veçse kanë nxirë imazhin e fesë në Shqipëri. Kjo klimë favorizon edhe viktimizimin e besimtarëve apo veprimtarëve muslimanë, të cilët që pas vrasjes po shihen me një sy tjetër. Policia shqiptare është akuzuar publikisht nga mediat se ka vënë dhe hequr përgjues në mënyrë të paligjshme në zyrat e Komunitetit Musliman duke sajuar për këtë aksion një alarm me bombë (për të cilën na e hodhën fajin neve një herë.) Shoqëria shqiptare, organizmat e të drejtave të njeriut nuk janë ndier fare, sepse siç duket i ka bindur propaganda e jashtme reaksionare, sipas të cilës muslimanët duke mos qenë njerëz si të tjerët, nuk i meritojnë të drejtat e njeriut. Po ashtu, punonjës shqiptarë të shoqatave islamike, grupe-grupe po thërriten për të depozituar pa asnjë shkak të dhënat e tyre përsonale, si shenjat e gishtërinjve, foto etj., e ndërkaq Kushtetuta ndalon që të dhëna të tilla t'i merren qytetarit pa shkaqe të forta. D. I: Mediat e përdorën vrasjen për të komprometuar KMSh si edhe për të futur përçarjen midis brezave. Si mendoni ju? Ervin Hatibi: Në njëfarë mënyre fushata satanike kundër KMSh ka qenë e destinuar të kurorëzohet me sukses. Kjo sepse një institucion i tipit të vjetër si Komuniteti ynë, gjatë gjithë kësaj dekade lirie, nuk ka bërë thuajse asgjë për të ndërtuar struktura të transparencës e të marrëdhënieve me publikun, gjë që e ka bërë krejtësisht të plagosshëm prej çdo lloj akuze, sado e pabazë qoftë ajo. Ka ardhur koha, dhe ka shenja të mira për këtë, që institucioni i KMSh të marrë tipare dinamike bashkëkohore, duke iu përgjigjur kështu edhe realiteteve të reja lokale e globale. Çdo vonesë do të ishte fatale, dhe besoj se sikur mendësia prej kaste të izoluar të mos flaket tej, Komuniteti mund të shkojë drejt degradimit pa fund. |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|


Vrasja misterioze e Salih Tivarit, Sekretarit të Përgjithshëm të Komuntietit Myslimanë të Shqipërisë në zyrën e tij më 13 janar 2003, ishte përfolur shumë në mediat e shkruara dhe ato elektronike të Shqipërisë. Ndërsa Ervin hatibi, kryeredaktor i gazetës "Drita Islame" të Komunitetit Musliman të Shqipërisë ishte personi më i intervistuar nga ana e mediave shqiptare. Shfrytëzuam rastin e qëndrmit tonë në Tiranë dhe për lexuesit e "Diturisë Islame" zhvilluam bisedën që vijon: