|
Prishtinë, 19 gusht 2012
Hytbeja e Myftit të Kosovës, Naim Tërnava mbajtur me rastin e festës së Fitër- Bajramit në xhaminë e madhe në Prishtinë

Të bashkohemi drejt çuarjes para të gjitha proceseve në Kosovën tonë
Të nderuar vëllezër e motra!
Muaji i Bekuar i Ramazanit kaloi, dhe sot,e festojmë festën e Fitër - Bajramit, këtë ditë gëzimi, mëshire dhe respekti, ku festojnë banuesit e tokës dhe qiellit, festë dashurie dhe solidariteti.
Sikur dje që respektuam urdhrin e Allahut për ibadet, sot do të jemi të
gatshëm duke përqafuar dhe uruar njëri-tjetrin, ta shtojmë edhe më
gëzimin dhe harenë brenda familjeve tona. Ngase përmes agjërimit të
këtij muaji të bekuar, besimtarët manifestuan ndjenjën e respektit ndaj
Allahut xh.sh.
Sot, në këtë ditë feste, ditë madhrimi e nderimi, mbi një miliardë
mysliman, në katër anët e botës, ngrenë zërin e tyre lart duke thirrur:
Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber ve Lilahil Hamd. Tekbireve të
tyre u bashkohen edhe engjëjt, dhe e tërë gjithësia. Ata edhe me këtë
rast konfirmojnë se Krijuesi i tyre është Një dhe se të gjithë
besimtarët janë vëllezër, në mes të cilëve duhet të dominoj uniteti,
urtësia dhe vendosmëria. Allahu në Kuran na mëson:
“ Dhe kapuni (lidhuni) që të gjithë për litarin (fenë) e Allahut, e mos u përçani”.
Besimtarët si asnjëherë më parë janë të gëzuar ngase Allahu i mbajti në
jetë që ata ta kryejnë edhe këtë obligim. Jemi të gëzuar ngase ia dolëm
që me një bindje të madhe dhe përkushtim të madh ta kryejmë me sukses
edhe këtë obligim. E kemi agjëruar këtë muaj me bindje se Zoti është një
i pa fillim dhe i pa mbarim, Krijues i kësaj gjithësie, Krijues i çdo
gjëje, krijues edhe i vet njeriut, të cilit i takoi përgjegjësia dhe
mëkëmbsia mbi sipërfaqen e tokës.
Allahu xh.sh thotë: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është Një,
All-llahu, nuk ka Zot pos Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë
mëshiron”. (Kuran, El-Bekare :163).
Që të gjithë duhet të kemi bindjen se Zoti është një i vetëm, i
Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi, Krijues i çdo gjëje në këtë gjithësi, dhe
se vetëm Atij i takon sundimi. Shpëtimi e mëshira është vetëm tek Ai,
nuk ka kush tjetër i cili ka mundësi të na falë e të na gradoi me të
mirat e tij pos Allahut xh sh.
Allahu xh.sh thotë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t'i
vendosim në xhennete, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë.
Premtimi i saktë i Allahut. E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se
Allahu.” (Kuran, En-Nisa:122).
Në mesin tonë kemi shumë jetimë, familje të varfra, skamnorë që nuk
kanë ushqim ditorë të mjaftueshëm. Andaj, së paku në këtë ditë feste, të
tregojmë se ne vërtetë jemi solidarë dhe t’i ndihmojmë nevojtarët.
Besimtari i sinqertë nuk e përjeton e as që duhet t’i gëzohet festës
nëse fqinji i tij ose fëmija jetim nuk ka me se t’i gëzohet festës.
Pejgamberi a.s. në një rast ka thënë: “Shembulli i besimtarëve për
solidaritetin dhe mëshirën e ndërsjellë është sikurse shembulli i një
trupi të vetëm: nëse vetëm një organ i tij në kohet, atëherë edhe
organet tjera nuk janë të qeta”.
Ne edhe pse po ndahemi sot nga muaji i mëshirës dhe ibadetit- nga Muaji i
ramazanit të bekuar, kjo nuk do të thotë se po lirohemi edhe nga
detyrimet e fesë.
Ne në ditët që vijnë assesi nuk guxojmë t’i lëmë pas dore namazin dhe
ibadetet tjera, veçse praktikën që e kemi realizuar gjatë Ramazanit
duhet ta vazhdojmë gjatë tërë vitit. Nuk bën të lëmë adhurimin dhe
sevapet e fituara e t’u kthehemi mëkateve e gjërave të ndaluara.
Shoqëria jonë ka nevojë për themele të shëndosha dhe duhet të ngritët
mbi bazën e punës së ndershme.
Shoqëria jonë si asnjëherë deri më tash ka nevojë për vlera të
mirëfillta shpirtërore, prandaj unë, duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë
ditë të shenjtë dhe nga ky vend i shenjtë, i ftoj të gjithë besimtarët
tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejt
ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër, e të ndershme dhe të
mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e
devalvues. Ky vend dhe ky popull, me të drejtë presin ditë më të mira,
punë e ndershmëri.
Te nderuar vëllezër e motra:
Agjëruam edhe këtë muaj të Ramazanit të shoqëruar me lutje dhe adhurim,
këtë muaj të sakrificës e solidaritetit,muajit të Kuranit, muajit të
fitoreve të shumta të besimtarit, muaj ku në vazhdimësi ishin në garë e
mira dhe e keqja. Me bindjen e thellë në Allahun ia dolëm që edhe këtë
muaj ta agjërojmë dhe atë ta shoqërojmë me shumë dua – lutje,me adhurim
ngase vetëm Ai meriton të adhurohet .
Sa i veçantë ishte ky muaj i Ramazanit, përplot mëshirë, mirësi. Sikur
ti kuptonim mirë vlerat e këtij muaji vërtet edhe sot në këtë dit të
Bajramit kishim dëshiruar siç thotë pejgamberi që “I tërë viti të jetë
Ramazan”.
Sigurisht se ne duhet në vazhdimësi të kërkojmë falje nga i Madhi Zot,i
cili na fali jetë,në të cilën po shijojmë begatit e shumta të saj,si nga
ana materiale dhe ajo shpirtërore. Kjo jetë ku në vazhdimësi
gërshetohet e mira dhe e keqja janë gjithherë në garë.
Allahu xh.sh. thotë: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje
mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si
gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. (Kuran,
Ali Imran-133).
Nëpërmjet kësaj thënie i Madhi Zot kërkon nga ne që në vazhdimësi të
shpejtojmë në vepra të mira, në kryerjen e obligimeve që dalin nga
Kurani dhe porosit e Muhamedit a.s., thërret ndërgjegjen tonë që ajo të
mos pasivizohet por të jetë gjithherë e gatshme të përshpejtoi kah
shpërblimi më i madh për besimtarin i përgatitur nga ana e Allahut
xh.sh.
Premtimi i Allahut se besimtarët të cilët bëjnë vepra të mira do ti
shpërblej me xhenet, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë është
premtim që ne duhet ta fitojmë nëpërmjet kryerjes së veprave të mira.
Allahu nuk e humb mundin e asnjërit qoftë ai mashkull apo femër Ai thotë:
“Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë
besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie.
(Kuran, En-Nisa-124).
Agjërimi shtoi në të madhe solidaritetin dhe ndjenjën për ti dal në
ndihmë atij që ka nevojë,ngase agjërimi motivoi besimtarin, i zbuti
zemrën atij,e bëri që të mendoi edhe më shumë për skamnorët dhe njerëzit
në nevojë.
Ndaj edhe sot në këtë ditë të bajramit ju ftoi të gjithëve që të shtrini
dorën e ndihmës te njerëzit në nevojë, të mos mungoi ndihma e
solidariteti mes nesh, ti dalim në ndihmë skamnorit, jetimit, ngase
sipas islamit i varfëri ka hise në pasurin e të pasurit.
Ti gëzojmë fëmijët me sadaka me ndihmë, por qoftë edhe me një
buzëqeshje. Në këto momente të gëzimit të harrojmë zënkat të falim njëri
- tjetrin se Zoti i donë ata që falin.
Të shtrim dorën e pajtimit mes vete, të bashkohemi drejt çuarjes para
të gjitha proceseve në Kosovën tonë, ku i Madhi Zot na ka krijuar dhe na
ka obliguar që ti dalim zot këtij vendi. Te Allahu nuk humb asnjë vepër
qoftë e vogël apo e madhe ai do të shpërblehet për veprat e mira të
tij.
Në fund më lejoni që tua uroi festën e Fitër - Bajramit të gjithë
besimtarëve brenda trojeve tona etnike,dhe të gjithë atyre që gjenden në
diasporë duke e lutur Allahun e Madhërishëm për mirësi e shëndet dhe
nëpër mes kësaj feste të uroi për 100 vjetorin e pavarësisë së
Shqipërisë, dhe përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Allahu na ndihmoftë në realizimin e të gjitha dëshirave tona.
Urime festa e Fitër - Bajramit!
|