| Mesazhi i Myftiut, Mr. Naim Tėrnava drejtuar qytetarėve me rastin e zgjedhjeve tė 17 nėntorit |
|
|
|
Prishtinë, 15 nëntor 2007
Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga të gjithë ata që zgjedhën në Parlamentin e Kosovës, që të mos vonohen në shpalljen e pavarësisë së vendit tonë, gjithnjë duke pasur në hatër konsultimin e ngushtë me aleatët tanë.
Qytetarë të nderuar të Kosovës! Ne jemi të vetëdijshëm se këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm për shkallën e demokracisë e në veçanti për subjektet politike dhe për Institucionet e Kosovës, në mënyrë që të dëshmojmë para botës, se vërtet meritojmë Kosovën e pavarur e sovrane. Përgjithësisht jemi të kënaqur me rrjedhën e fushatës parazgjedhore e cila është zhvilluar kryesisht qetë, pa ndonjë ekses serioz me çka është treguar një vetëdije dhe kulturë e lartë demokratike. Ne si qytetarë, të dinjitetshëm dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike që kemi, në këto momente tepër të ndjeshme, kur po përcaktohet përfundimisht fati dhe statusi ynë politik, shpresoj se me daljen tonë të qetë në zgjedhje do t’i tregojmë mbarë botës, për kulturën e lartë demokratike që posedon ky popull i lashtë dhe se vota jonë është vota e pavarësisë së vendit tonë. Prandaj, Unë në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ju ftoj Juve, qytetarë të nderuar të Kosovës, që të dilni në zgjedhje dhe që me votën Tuaj të lirë e demokratike, të përzgjidhni kandidatët më të mirë të mundshëm, nga ajo që na është ofruar prej partive politike. Të zgjedhurit, duhet ditur se kanë përgjegjësi para popullit dhe para Zotit për veprimet e tyre... Shpresoj se Ju me votën Tuaj, do të arrini të votoni vetëm ata që vërtetë meritojnë të përfaqësojnë interesat Tuaja., dhe ata që do të jenë zëri Juaj qoftë në Asambletë komunale, qoftë në Parlamentin e Kosovës. Jam i bindur se gjatë votimit, qytetarët do të kenë kujdes të votojnë vetëm për ata: - Që ofruan gjatë fushatës, programe të studiuara mirë, - Ata që do t’i qëndrojnë besnik premtimeve të dhëna, - Që nuk janë të korruptuar e as nuk korruptohen, - Që do të pranojnë të sakrifikohen për mirëqenien e popullit e jo ta sakrifikojnë paranë e popullit për mirëqenien e tyre - Që kanë vizione të qarta për të ardhmen e nuk janë të kufizuar në limite të interesave të ngushta partiake, dhe - Që kur premtojnë edhe realizojnë, sepse edhe fetarisht, premtimi i dhënë është borxh të cilin duhet realizuar. Në fund, uroj që zgjedhjet të kalojnë mirë e qetë, ndërsa prej atyre që do të marrin votëbesimin tonë, kërkojmë punë, angazhim, sinqeritet dhe marrjen me probleme që e mundojnë këtë popull, si varfëria, papunësia, krimi i organizuar etj.. Këto duhet të jenë prioritete me të cilat ata duhet të ballafaqohen që nga dita e parë e marrjes së detyrës së tyre. Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga të gjithë ata që zgjedhën në Parlamentin e Kosovës, që të mos vonohen në shpalljen e pavarësisë së vendit tonë, gjithnjë duke pasur në hatër konsultimin e ngushtë me aleatët tanë. Allahu na ndihmoftë në realizmin e aspiratave tona dhe në Kosovë përherë të mbretërojë paqja, qetësia dhe mirëqenia. Ju faleminderit ! K R Y E T A R I Myftiu, Mr. Naim Tërnava |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|