|

Me ftesë zyrtare nga Ministria e Çështjeve dhe Vakëfeve Fetare nga Mbretëria e Arabisë Saudite, një delegacion prej 13 vetash nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), udhëhequr nga Myftiu i Republikës së Kosovës - Mr. Naim ef.Tërnava, qëndruan për vizitë dyjavore në Mekë, Medinë dhe Riad. Në Medinë Myftiu Tërnava pati një takim me Rektorin e Universitetit të Medinës – Dr. Muhamed El Ukle, i cili mysafirëve nga Kosova u bëri një mikpritje bujare në ambientet e Universitetit dhe, për nder të tyre, shtroi drekë dhe darkë.
Myftiu u interesua për gjendjen dhe suksesin e studentëve kosovarë që
studiojnë aty. Rektori El Ukle premtoi se në të ardhmen do të shtohet
numri i studentëve kosovarë. Në këtë takim u iniciua projekti për
arritjen e një marrëveshjeje - “memorandumi mirëkuptimi” në mes
universitetit islamik ”Xhamiatul Islamije” të Medinës dhe Kryesisë së
Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo marrëveshje përfshin shkëmbimin e
përvojave në mes Bashkësisë Islame të Kosovës- Fakultetit të Studimeve
Islame (FSI) të Prishtinës, dhe universitetit islamik, ”Xhamiatul
Islamije" të Medinës, për shkëmbim përvojash, organizim të seminareve,
konferencave shkencore etj.. Ky projekt, sipas Rektorit El Ukle, do të
realizohet shumë shpejt. Për këtë çështje u bisedua po ashtu edhe me
prorektorin - Dr. Abdurrahman Kadah, i cili ishte i ngarkuar me këtë
çështje ku edhe u hartua projekti i marrëveshjes për memorandum
bashkëpunimi në mes BIK-së dhe Universitetit të Medinës, që pritet të
finalizohet shumë shpejt. Më pas delegacioni vizitoi fushëbetejën e
luftës së Bedrit, ku kishte ndodhur ballafaqimi i parë në mes
besimtarëve dhe mushrikëve dhe ishte arritur një fitore e pastër islame.
Edhe pse të gjithë anëtarët e delegacionit kishin vizituar më parë këtë
vend, emocionet që u krijaun gjatë vizitës si grup, lënë mbresa të
veçanta, të gjata dhe të paharruara tek secili.
Myftiu Tërnava, nga ana e
tij, gjatë kësaj vizite nuk përtonte fare të sillte të dhëna për ndodhi
e ngjarje, dhe storie duke e sqaruar e detajizuar ngjarjet që u kanë
ndodhur myslimanëve në këtë betejë historike. Delegacioni vizitoi po
ashtu edhe kodrën e Uhudit .Po atë ditë, me kërkesë të studentëve të
Medinës, delegacioni, edhe pse kishte një axhendë tepër të ngjeshur,
pranoi ftesën e studentëve për një takim, ku të diskutohej për kushtet
dhe brengat e tyre. Ai qe një takim shumë frytdhënës, edhe pse nuk ishin
të pranishëm as gjysma e studentëve, sepse ato ditë mbaheshin provimet e
fundvitit. Megjithatë, studentët bënë një pritje vëllazërore dhe
shfaqën respekt të veçantë për këtë vizitë.
|