Vërejtje! Jeni duke shfletuar verzionin e vjetër të websajtit.
Kaloni nė verzionin e ri, duke klikuar KĖTU!
| Mesazhi i Myftiut tė Kosovės, Mr. Naim Tėrnava |
|
|
|
Prishtinë, 12 tetor 2007
Dhe, prej shenjave tëpranimit të agjërimit të Ramazanit është që besimtari të mbetet i lidhur për litarin e Allahut edhe pas Ramazanit dhe mos ta ndërpresë dashurinë mes tij dhe Zotit të tij. Allahu në Kur’an thotë: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (Ali Imran, 8) Kurse i dërguari i Allahut na ka përgëzuar: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falet tërë çka ka gabuar më parë”, Popujt mund të ekzistojnë derisa të kenë moral. E nëse humb morali i tyre, humbin edhe ata. Nëse një popull ka mungesë së lidhjes së tij me Allahun, apo në raportet ndërnjerëzore në mes tyre, kjo vjen si rezultat i mungesës së vlerave të tij dhe rënies së moralit. Kush ka dëshirë te njoh moralin e një populli, le te përcjell festat e tyre, te cilat paraqesin realitetin e ndjenjave dhe traditave te tyre. Shoqëri e lumtur konsiderohet ajo qe e lartëson deri ne kulm moralin dhe ndjenjën njerëzore gjate kohës se festës, sepse në këtë kohë ajo tregon bashkimin, kooperimin dhe mëshirën reciproke te saj. Sot në këtë ditë të Madhe festive më tepër se kurrë afrohen zemrat e njerëzve, harrohen urrejtjet, zhduken mospajtimet dhe kudo shtrihen duart e pajtimit, me dashuri, sinqeritet dhe vëllazërim. Zaten edhe vetë qëllimi i Bajramit është te mbjellë harenë, gëzimin ne zemra, qetësinë trupore, përforcimin e dashurisë shoqërore, mëshirën ne mes te afërmeve dhe bashkëpunimin e ndërsjellë njerëzor. Festa e Bajramit fuqishëm na rikujton kujdesin që duhet të kemi për te dobëtit dhe te paaftit derisa çdo shtëpi dhe familje të mos mbushet me gëzim e hare. Këtë qellim të lartë shoqëror e simbolizon urdhërimi i dhënies së Sadekatul fitrit para namazit të bajramit Në shoqërinë tonë ka njerëz që janë të varfër, por për hir të mbrojtjes së nderit e dinjitetit iu vjen turp të dalin e të lypin lëmoshë. Ne i kemi harruar të tillët, nuk ua shuajmë dhimbjet, nuk ua gëzojmë zemrat. Kjo harrese nuk është parim i shoqërisë se lumtur, por është pjese negative e saj. Mu për këtë arsye Muhammedit, a.s. porosit: "Jepuni të varfërve në këtë ditë". (Transmetojne Bejhekiu dhe Darekutniu), "Jepuni të varfërve për këtë ditë që të mos kenë nevojë të bredhin dhe të kërkojnë furnizim për veten". (Transmeton Bejhekiu), Festa e Fitër Bajramit gjithsesi na përkujtojnë ditët e lavdishme të së kaluarës së ndritshme islame, të cilat u japin kurajo besimtarëve dhe energji për angazhime edhe më të vendosura, për detyra të reja në organizimin dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë e më të lumtur. Kur'ani, Zekati dhe Sadekatul Fitri, këto tri komponente themelore të Bajramit të Ramazanit simbolizojnë tri ideale të larta islame: i pari simbolizon devotshmërinë dhe arsimimin në përgjithësi, i dyti dhe i treti solidaritetin dhe shpirtin e lartë human mes muslimanëve. Të nderuar besimtarë Islami është fe e paqes, urdhëron për paqe dhe qëndron larg çdo fanatizmi, racizmi dhe padrejtësie. Thirrja e tij është thirrje universale për tërë llojin njerëzor. Islami i trajton të gjithë njerëzit njësoj, duke u bazuar në parimin se të gjithë janë njerëz dhe njeriu duhet të respektohet dhe ka të drejtën e jetës. Feja Islame urdhëron dashuri, mëshirë, tolerancë dhe zemërbutësi. Dashuria është elementi me thelbësor për çdo qenie, është ndriçimi me rrezatues në jetë. Kurse sinqeriteti është virtyt i pejgamberëve, stoli e të përshpirtshmëve, shteg i të suksesshmëve, kapitull i devotshmërisë, rrugë e lumturisë, dhe fshehtësi nga fshehtësitë e Allahut xh.sh., që e vë në zemrat e atyre, të cilët i do nga besimtarët e Vet Feja Islame përmban dy parime karakteristike: 1) Vendos drejtpeshimin në mes materies dhe shpirtërores; mes trupit dhe shpirtit; në këtë drejtim ajo i lejon shfrytëzimin e begative që na i dhuroi Allahu, por kërkon të kryhen detyrat ndaj Tij: Namazi, agjërimi, lëmosha; 2) Thirrja e tij është universale, të gjithë besimtarët janë vëllezër, janë të barabartë, pa dallim klase, race apo gjuhe. Përparësia e njërit ndaj tjetrit është vetëm në virtytet e moralit të themeluar në devotshmëri. Islami nuk është një fe e ndërlikuar, parimet e saj nuk janë të vështira për t’u kuptuar dhe as urdhëresat e zorshme për t’u vënë në zbatim. Përkundrazi, është fe e shpirtmadhësisë dhe lehtësisë, fe e një rendi të drejtë, mbështetur në vëllazëri dhe përkrahje të ndërsjellë, fe ku etika morale ndërthuret në harmoni me rregullat shoqërore për të shtruar themelet e shoqërisë së paqes Islami synon kalitjen e shpirtit njerëzor; duke u përpjekur që të depërtojë në thellësitë e tij për t’i mbjellë mësimet e veta, të cilat do ta mbrojnë atë nga vështirësitë dhe fitnet e kësaj bote. Besimi i paluhatshëm në Allahun xh.sh. është lidhja më e fortë që forcon dhe fisnikëron shpirtin, zemrën dhe mendjen e besimtarit. Sa herë që njeriu e gjen veten ngushtë nga sprovat dhe të papriturat e kësaj bote, strehimi më i mirë për të është kthimi tek mëshira hyjnore e Krijuesit të tij. Vetëm tek Allahu njeriu mund të gjejë prehjen e vërtetë shpirtërore dhe të përballojë çdo vështirësi. Vëllezër të dashur Qysh se ekziston Islami në trojet tona, bajramet gjithmonë janë festuar solemnisht. Ata kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme te besimtarët edhe në rastet e krizave, pasigurive dhe skamjeve më të mëdha. Ata janë freski për familjen, madje edhe për ata te të cilët ndjenja fetare është fare pak e theksuar. Myslimanët lypset që festën e Bajramit dhe përcjelljen e muajit të Ramazanit ta marrin si ndodhi madhështore dhe rast shumë të mirë për forcimin e radhëve të tyre, si edhe mënjanimin e kundërthënieve e divergjencave, të cilat kohë pas kohe paraqiten tek ata, duke iu përmbajtur fjalës së Allahut të Madhërishëm: "... “Mos u përçani ndërmjet veti, se do të dobësoheni e do ta humbni fuqinë tuaj!" (Kur'ani- 8:46) Le të jetë pra festa e Bajramit të Ramazanit rast që t'i zgjasim duart tona për të fshirë lotët e fëmijëve që kanë humbur shpresën, të atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, t'ua zgjasim dorën e ndihmës dhe të solidaritetit, aq sa kemi mundësi, të gjitha familjeve që kanë nevojë. Të forcojmë vlerat dhe virtytet e muajit të agjërimit në jetën tonë të përditshme që të jemi të lumtur dhe t'i bëjmë edhe të tjerët të lumtur me sjelljet dhe veprat tona. Kështu, pra, në festat islame takohet komponentja shpirtërore e vrullshme, e lartë dhe ajo materiale e bukur, e pastër dhe e padjallëzuar. Mirëpo, Islami nuk kënaqet vetëm me këto dy elemente të festës, ai e forcon atë edhe me elementin e tretë, më të fuqishëm dhe, për Islamin, më të dashurin. Kjo është ana socialo-humanitare, e cila, nëpërmjet të inkuadrimit të institucionit të zekatit në Bajramin e Ramazanit dhe prerjes së kurbanit në Bajramin e Kurbanit, nga populli formon një unitet: "Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë (sadaka)!" Kur'ani-9:103 Festa e Bajramit i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fuqishëm dhe me qëndrueshmëri permanente mund të arrijë kontrollin e përkryer mbi veten dhe mbi teket e tij dhe të vendosë baraspeshën ideale midis materiales dhe shpirtërores. Në Bajram, pra, duhet të kënaqet edhe trupi edhe shpirti. Allahu i Madhërishëm urdhëron që muslimani të rrezatojë mirësi, paqe dhe tolerancë, sepse ato janë thelbi i fesë sonë. Dijeni se sot, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut: “Në çdo skaj të rrugës, në ag të kësaj dite të bajramit, engjëjt qëndrojnë dhe thërrasin: “drejtohuni o besimtarë kah Allahu i Cili sot u jep të gjitha të mirat, shpërblen mundin e çdo adhuruesi. Ishit të porositur me namazet e natës dhe ato i kryet, ishit të porositur me agjërimin e ditës edhe atë e kryet, respektuat Allahun andaj, pranoni shpërblimet tuaja. Kthehuni të gëzuar në vendbanimet tuaja sepse kjo është ditë e gëzimit dhe në qiell emërohet si e këtillë”. Në fund, më lejoni që të gjithë juve, besimtarë të nderuar, t’ua uroj Festën e Madhe të Fitër-Bajramit, duke e lutur të Gjithëmëshirshmin që në shtëpitë tona të mbretërojë paqja, harmonia dhe ngrohtësia familjare. Me fat dhe me shumë gëzime e kalofshi këtë Bajram. Mëshira dhe paqja e Allahut le t’ju përcjellë Juve, familjet Tuaja dhe të dashurit e Juaj. Myftiu i Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|