|
Prishtinë, 29 mars 2012
Këto ditë Stefan Shvarc ka publikuar një raport, në të cilin Myftiun e Kosovës, Mr. Naim Tërnava e ka cilësuar si përkrahës dhe favorizues të Lëvizjes Vehabiste dhe grupeve ekstreme që gjoja po vepruakan në Kosovë.
Megjithëqë S. Shvarci njihet si një studiues i islamistikës, ai shpeshherë, - sidomos në raport me rrjedhat e fesë islame ndër shqiptarët, - ka ditur të jetë i njëanshëm, kontradiktor dhe tendencioz, sikurse ka ndodhur edhe me raportin e fundit të tij me titull: “Kosova vazhdon luftën kundër infiltrimit të Vahabistëve”, raport ky që nuk ka të bëjë asgjë më të vërtetën, po përbëhet prej disa shpifjeve, akuzave dhe etiketimeve, të cilat kanë për qëllim njollosjen e figurës së Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të institucionit që ai udhëheqë.
Për hir të së vërtetës, dhe për hir të opinionit të përgjithshëm, dhe jo
për të replikuar a polemizuar me z. Shvarcin, e themi për të satën herë
se:
Bashkësia Islame e Kosovës si dhe udhëheqësit e saj prej dekadash
kryejnë veprimtarinë sipas shkollës tradicionale në Ballkan -medhhebit
hanefit. Këtë fakt Bashkësia Islame e Kosovës e ka të theksuar shumë
qartë dhe në mënyrë të prerë në Kushtetutën dhe Rregulloret e saj.
Bashkësia Islame e Kosovës, për më tepër, është e njohur historikisht
për kultivimin e vlerave e të harmonisë, të tolerancës ndërfetare e
ndëretnike.
Bashkësia Islame e Kosovës është e përkushtuar që të kontribuojë në
zhvillimin e jetës fetare, në krijimin e një klime të mirëbesimit mes
besimeve të ndryshme ndër shqiptarët.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe udhëheqësit e saj janë të përkushtuar që
të ruajnë vlerat fetare të kësaj shoqërie që bazohen në parimet e fesë
islame që është aplikuar këtu e shekuj më parë. Për këtë dëshmojnë
katërçipërisht të gjitha institucionet e saj, jeta fetare e arsimore dhe
aktivitetet brenda saj dhe në terren.
Këto parime fetare dhe humane të mbështetura në mësimet kuranore, janë
rruga e trasuar nga ulemaja dhe udhëheqësit e Bashkësisë Islame ndër
vite. Këtë vlerë, vizon e rrugë, si në aspektin e brendshëm dhe atë të
jashtëm, e ka vazhduar dhe vazhdon ta kultivoj Myftiu aktual Mr. Naim
Tërnava me bashkëpunëtorët e tij.
Prandaj, përfundimet e nxjerra nga z. Shvarci e të paraqitura në
raportin e tij, qoftë për sa i përket Myftiut Naim Tërnava, qoftë për sa
i përket vijës zyrtare të Bashkësisë Islame të Kosovës se gjoja kanë
prirje vehabiste, janë të paqena, janë shpifje ordineresh me karakter
tendencioz, e që opinionit të gjerë i paraqiten si një studim a
hulumtim.
"Raporti" i z. Shvarcit nuk është asgjë tjetër veçse një pamflet i
hartuar mbi bazën e shpifjeve, trillimeve e akuzave. E, për t'u shitur
këto akuza, shpifje e trillime, mënyrën më të mirë z. Shvarci dhe të
tjerët e kanë gjetur që Myftiut të Kosovës t'ia veshin etiketimin
"vehabist".
Por, megjithatë, bota e qytetëruar respekton faktet, argumentet dhe, mbi të gjitha, të vërtetën.
Ç'është e drejta, akuza e shpifje si këto të z. Shvarcit, Myftiut të
Kosovës dhe institucionit që ai udhëheqë i janë bërë edhe nga ca
individë brenda Bashkësisë Islame në Kosovë, që fatmirësisht nuk
përfaqësojnë askënd, përveç ambicieve të zgjeruara të tyre dhe qëllimeve
të ulëta karrieriste.
Këta individë, për t'i imponuar mendimet e tyre dhe për t'i arritur
qëllimet, kanë përdorur këso akuzash, kurse veten e kanë proklamuar se
gjoja na qenkan ruajtës të vlerave islame ndër shqiptarët (!). Por e
vërteta, është krejtësisht e kundërta. Për këtë flasin shumë fakte dhe
argumente të cilat z. Shvarc do të duhej t'i kishte parasysh.
Nuk dëshirojmë të besojmë se z. Stefan Shvarc të jetë ndikuar dhe të
jetë venë në lajthitje nga këta individë, e aq më pakë, - si një
studiues që është z. Shvarci, - të jetë vënë në shërbim të tyre dhe të
ketë bërë argatin e tyre.
Dhe në fund fare, dëshirojmë t'i themi opinionit se Myftiu Naim Tërnava
dhe Bashkësia Islame e Kosovës mirëpresin dhe përkrahin çdo raport,
hulumtim, analizë a studim që bazohet në të dhëna të besueshme, reale
dhe objektive; raporte që i shërbejnë të vërtetës dhe jo raporte të
njëanshme e subjektive, të bëra me porosi dhe me qëllime të caktuara.
Bashkësia Islame e Kosovës është e hapur dhe mirëpret për bashkëpunim çdo kënd që është i interesuar për të njohur të vërtetën.
Por Bashkësia Islame e Kosovës nuk mund të rrijë duarkryq dhe
indiferente ndaj akuzave dhe shpifjeve që bëhen në adresë të saj,
qofshin ato edhe nga studiuesi e miku ynë z. Stefan Shvarci.
Shërbimi për informim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës
|