|
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Fjala
e Myftiu të Kosovës, Mr. Niam Tërnava në hapje të sesionin shkencor
"Myderriz sadri ef. Prestreshi- jeta dhe vepra" të mbajtuar në
Prishtinë më 22 shkurt 2012.
E
nderuara familja Prestreshi!
Të nderuar
studiues!
Të nderuar
efendilerë!
Të nderuar
pjesëmarrës!
Të
nderuar mysafir!
Zonja
dhe zotërinj!
Jemi bashkuar sot, në këtë sesion shkencor, në 10 - vjetorin e
ndarjes nga ne dhe nga kjo jetë, e hoxhës, myderrizit, arsimtarit e atdhetarit
të shquar e të devotshëm Sadri ef. Prestreshi, i cili me punën, angazhimin dhe
veprimtarinë e tij, prej teologu,atdhetari, aktivisti e patrioti të përkushtuar,rriti
edhe më domethënien e vet jetës, dhe përkushtimit ndaj saj,ngase kishte kuptuar
thellësisht qysh në rinin e hershme,rolin-detyrën e besimtarit që duhet ta ket për një mirëqenie të përgjithshme
fetare dhe kombëtare. Ndaj kontributi i tij si imam, alim e predikues i fesë,mbrojtës i
vlerave atdhetare është shembull se si duhet t'i përkushtohemi vatanit, kombit
e fesë.
Myderriz Sadri ef. Prestreshi është vazhdimësi e hoxhallarëve dhe e
ulemave që u angazhuan, sakrifikuan, luftuan e një numër i tyre ranë edhe
shehidë-dëshmorë për mbrojtjen e vlerave të fesë e atdheut,për lirinë dhe
bashkimin e trojeve shqiptare. Për mua është nder i madh dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi, që
po më jepet rasti edhe në këtë mënyrë për t'i thënë disa fjalë për Sadri
efendiun.
Aq më tepër kur duhet të flasësh për mësuesin ,emri i të cilit na i rikujton porosit për punën dhe përgjegjësit
që i kemi marrë prej tij në raport me fenë dhe atdheun. Është edhe një nga
punët më të vështira, sepse duke dashur të thuash shumëçka, mund të lësh pa
thënë shumëçka.
Por në qoftë se më kërkohet që me pakë fjalë ta përshkruaj mësuesin
tim, dhe të shumë kolegëve të mi, do të thosha se myderriz Sadri efendiu ka
qenë dhe do të mbetet një ndër myderrizët më të shquar të Kosovës,dhe një prej pedagogëve
më të mirë,të medresenë "Alaudin". Dhe
jo vetëm kaq, por ai ishte edhe një hoxhë, imam, hatib e vaiz që ta kishte
endja ta shihje, ta dëgjoje e të merrje këshilla e mësime prej tij.
Pata fatin që personalisht ta njihja Mulla Sadri efendi Perstreshin
qysh kur isha fëmijë, ngase shpesh herë ai dhe shumë hoxhallarë të tjerë vinin te axha im Mulla Adem Tërnava, në ndeja
të ndryshme. Por ky fat më përcolli edhe më tutje në Medrese, kur ai me ditar në dorë erdhi para nesh në
klasë dhe filloi të na pajis me njohuri të reja.
Ai do të mbetet, përveç të tjerash, i paharruar, edhe për faktin se
ishte ndër ata hoxhallarët e parë që duke ditur mungesën dhe nevojën për
mësues, rroku ditarin dhe hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Dobrajë të
Lipjanit, e më pastaj edhe në fshatin Korraticë të Drenicës.
Sadri efendiu është veteran i shkollës shqipe; është njëri ndër
emrat e shkollës shqipe që kurrë nuk do të harrohen.
Myderrizi dhe hoxha ynë, do të mbetet i nderuar, dhe i paharruar
dhe do t'u bashkohet radhëve të atyre patriotëve që i bënë vetit vend në
histori në kohën dhe rrethanat prej më të vështirave që kalonte populli ynë. Ai
duke parë rrezikun që po i kanosej
shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera në ish-Federatën Jugosllave
pas Luftës së Dytë Botërore, do të bëhet një nga anëtarët e parë të NDSh-së, e për më tepër ai do të
jetë edhe sekretar i kësaj Lëvizjeje për Rrethin e Sitnicës. Ai do të
bashkëpunoj më shumë patriotë e veprimtarë nacionalist, do të gjendej pranë
tyre, dhe do t'i mbetet besnikë kauzës kombëtare për bashkimin e trojeve
shqiptare deri në vdekje.
Idetë dhe pikëpamjet e tija prej një nacionalisti ai do t'ua përcjellë
edhe nxënësve të tij në medrese. Me një mënyrë shumë të sofistikuar e të pavërejtur
do të mbjellë tek ata ndjenjën e atdhedashurisë,ndjenjë e cila motivoi shumë nxënës
të Medresesë që ata krahas mësimeve për fenë,të angazhohen edhe për ardhmërinë
e vendit,dhe bashkimin e trojeve tona etnike shqiptare. Ndaj edhe një numër të konsiderueshëm
të nxënësve i gjejmë të rreshtuar për të dhënë kontributin e tyre për atdheun
tonë të copëtuar pa të drejt, dhe bashkimin e trojeve tona.
Ai shpesh herë na thoshte:"Ju djem nuk e dini se çka është
shkau" kjo thënie e përsëritur shumë herë, ri zgjonte në masë ndjenjën
e atdhedashurisë tek ne.
Hoxha jonë shpesh herë na rikujtonte edhe thënien kuranore:
".. All-llahu nuk e
ndryshon gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta
ndryshojnë veten e tyre..."(Er-rad-11)
Të
nderuar pjesëmarrës!
Duke mos dashur të zgjerohem më tepër për jetën dhe veprën e
myderriz Sadri efendiut, sepse këtë më së miri dhe në mënyrë meritore do ta bëjnë
studiuesit me kumtesat dhe kontributet e tyre, më lejoni që edhe njëherë të
potencojë dhe të konfirmoj faktin se Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës do
të vazhdojë me këmbëngulje të organizoj sesione, konferenca e simpoziume për ndriçimin
dhe njohjen e figurave të ulemave tanë
me qëllimin përfundimtar ripërtëritjen dhe ringjalljen e trashëgimisë sonë të
begat islame kombëtare. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me këtë nuk
synon glorifikimin dhe zmadhimin e figurave të kulturës sonë islame-shqiptare;
ajo nuk synon as anatemimin dhe anashkalimin e të tjerëve, por synon, dhe kësaj
do t'i mbetet besnik, paraqitjen dhe njohjen e atyre figurave ashtu siç kanë
qenë në të vërtetë.
Ne do t'u jemi gjithmonë mirënjohës e falënderues brezave të kaluar
për vlerat e çmuara që kanë ditur t'i ruajnë, t'i kultivojnë dhe t'i përcjellin
deri tek ne.
Ne u jemi njëkohësisht edhe borxhli paraardhësve tanë, prandaj
organizimi i sesioneve për ndriçimin e jetës dhe veprës së tyre, le të
konsiderohet si një tentativë për shlyerje e borxhit ndaj tyre.
Të
nderuar zonja dhe zotërinj!
Ky sesionin të cilin po e nisim sot këtu, nuk është aktiviteti i
vetëm kushtuar myderriz Sadri ef. Prestreshit, por do t'u prijë edhe dy
aktiviteteve të tjera, e para do të bëhet zbulimi i pllakës me emrin e Sadri
ef. Prestreshit në xhaminë e Sofalisë, xhami kjo e cila që nga sot do ta ketë
të gdhendur në hyrje të saj emrin e paharruar të Sadri efendiut, e më pastaj,
do të mbahet edhe një Akademi përkujtimore me rastin e dhjetë vjetorit të
ndarjes nga ne të Sadri efendiut, ku do të shfaqet edhe një film dokumentar
kushtuar këtij myderrizi.
Duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese gjatë punës suaj në ndriçimin
e jetës dhe veprës së myderriz Sadri ef. Prestreshit, në emër të K.B.I.K këtë sesion
e quaj të hapur.
Ju
faleminderit.
Prishtinë
22
shkurt 2012
|