|
Prishtinë, 6 nëntor 2011
Hytbeja e Kryeimamit të Kosovës Sabri ef. Bajgora me rastin e Kurban Bajramit - 2011

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra
I lartësuar qoftë Allahu në Madhërinë e Tij, të Cilit i nënshtrohet cdo gjë në këtë ekzistencë, kurse salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi krijesën më fisnike - Muhamedin a.s., i cili na udhëzoi drejt shtigjeve të dritës, i cili na mësoi se ç’është besimi, paqja dhe urtësia, na mësoi se ç’është, sakrifica, ndihma dhe dashuria e ndërsjellë.
Ç’do festë e jona e ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e
Kurban-Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë,
flijimit dhe sakrificës, sepse përveç tjerash është edhe kurorëzim i
haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti,
barazia, solidariteti, devotshmëria dhe madhështia e Ymetit të Muhamedit
sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Haxhi është moment ekskluziv i eliminimit të të gjitha diferencave
nacionale, racore, klasore etj. Është një demonstrim i universalitetit
të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të muslimanëve ngado që
ata të kenë ardhur. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke
reflektuar gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e
materialë në shërbim të Allahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja
është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve. Lidhur me
obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, Allahu xh.sh.
në Kur’an urdhëron e thotë:
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe
kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” –
(El-Haxh-xh, 27)
Feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin edhe me një vlerë tjetër nga vlerat sociale e ajo është: kurbani-sakrifica.
I dërguari i Allahut thotë:
“Dita e Fitër bajramit karakterizohet me namaz dhe Sadakatul fitr, kurse Dita e Kurban Bajramit me namaz dhe flijim”
Kurbani është institucion fetar i cili synim të vetin kryesor dhe
objektiv parimor ka humanizimin e njeriut, pastrimin e tij shpirtëror,
begatimin e tij me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e
tij.
Prerja e Kurbanit ngërthen në vete edhe dimensionin social, ngase, në
mënyrën më të mirë të mundshme, ata që kanë, shprehin solidaritetin në
vepër me skamnorët, kurse në kohën e sotme, kjo fiton edhe më shumë në
peshë, sepse sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ka nevojë për ndihmë
reciproke, për solidaritet dhe bamirësi.
Vëllezër besimtarë
Parimet universale të Islamit konsistojnë në formimin e një shoqërie të
shëndoshë, dinjitoze e humane, me vlera të larta etike e të vlefshme, të
një shoqërie të barabartë, përparimtare, të lirë, demokratike dhe
bashkëkohore, të një shoqërie të njerëzishme, në të cilën të gjithë
njerëzit pa kurrfarë dallimesh, do të gëzonin lumturinë e vërtetë
shpirtërore dhe atë materiale trupore.
Roli i njeriut në këtë botë është që ai së pari ta njohë natyrën e
ambientin që e rrethon, që në shpirtin e tij të zgjojë vetëdijen dhe
ndërgjegjen e heshtur të humanitetit dhe të njerëzores, të cilat e
shtyjnë dhe e motivojnë për realizimin e idealeve të larta.
Nëse njeriu e kupton drejt këtë mision, padyshim do të jetë një pjesëtar
i vlefshëm në shoqëri, e shoqëria mburret me ata që zbukurohen e
stolisen me këto virtyte të larta të moralit e të fisnikërisë.
Të nderuar vëllezër e motra!
Le të jetë kjo festë e Kurban - Bajramit demonstrim i fuqisë së besimit
tonë, i dashurisë dhe i tolerancës si dhe forcim i zemrave tona drejt
shkallëve të larta të devotshmërisë, për të na siguruar prosperitet në
këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Le të jetë festa e Kurban
bajramit moment i vetëdijesimit tonë, kur ne do të dimë ta respektojmë
dinjitetin njerëzor.
Uroj që në zemrat dhe shpirtin tuaj të shndritë besimi i sinqertë, që me
veprat tuaja të jeni mirëbërës, humanë e solidarë, që në sjelljet tuaja
të dominojnë respekti dhe mëshira, toleranca, dashuria dhe mirëkuptimi.
Sot, tek ne nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, po vetëm fytyra të
gëzuara, buzëqeshje dhe përqafime vëllazërore. Vetëm në këtë mënyrë do
t’i japim festës sonë domethënien e vërtetë.
Përfitoj nga rasti, që nga ky vend i bekuar, t’ju ftojë që të
kontribuojmë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtutjemë të
atdheut tonë-Kosovës. E kemi amanet nga Krijuesi ynë fuqiplotë që si
qytetarë, të japim kontributin tonë, që në këtë vend të mbretërojë
rendi, ligji e rregulli, të ndërtojmë një shoqëri e cila do të
respektojë vlerat qytetëruese të popujve të Kosovës duke respektuar
etninë, gjuhën dhe besimin e çdo qytetari të saj, dhe duke u angazhuar
për afirmimin dhe kultivimin e vlerave pozitive të të gjithë popujve të
Kosovës.
Në fund, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë islame të
Kosovës, nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës t’ju uroj festën e Kurban
Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam në Kosovë, brenda
trojeve tona etnike shqiptare dhe në diasporë.
Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!
|