|
 Të mërkurën më 12 tetor, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, promovoi “Fjalorin arabisht-shqip” të prof. dr Isa Memishit. Fjalori ka dy vëllime me dy mijë faqe ku dr. Isa Memishi ka përfshirë 100 mijë fjalë. Fjalori është botuar nga shtëpia botuese “Libri shkollor”, e ajo që duhet potencuar së është botimi i parë në Kosovë në këtë format.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka përgëzuar autorin për punën e bërë , tha: “Botimi i këtij fjalori përpos që pasuron fushën e leksikografisë në gjuhën tonë me fjalorë dygjuhësor, s’ka dyshim se do të krijoj rrethana dhe kushte të reja për studiuesit, shkencëtarët e publicistët tanë që në mënyrë meritore t’u qasen studimeve të albanologjisë, arabologjisë, islamologjisë, historisë e kulturës tek ne”.
Myftiu Tërnava botimin e fjalorit arabisht- shqip e ka cilësuar si një vepër kapitale që i shtohet leksikografisë dhe kulturës shqiptare nga kjo fushë, për këtë myftiu tha: “Botimi i këtij Fjalori pason botimin e veprave kapitale të islamologjisë e orientalistikës, siç ishte në vitet e 80-të të shekulli të shkuar, “Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe”, pastaj projekti për përkthimin e “Kompletit të Buhariut”, shqipërimi i “Kamusul A’lamit” të Sami Frashërit, e shumë veprave të tjera të kësaj fushe që u bënë pronë e lexuesit shqiptar, ani pse mendoj që fjalori do të duhej të ishte para këtyre veprave që përmenda. Po ashtu myftiu potencoi “Botimi i këtij fjalori vjen në një moment kur marrëdhëniet e Kosovës dhe shqiptarëve me Botën arabe janë shpeshtuar në shumë fusha, kur masa e shqiptarëve që njohin arabishten, ose që janë të interesuar për përvetësimin e saj është rritur ndjeshëm. Kosova tanimë ka vënë edhe kontaktet e para diplomatike me disa shtete të Botës Arabe dhe s’ka dyshim se botimi i këtij fjalori merr rëndësi edhe më të madhe dhe më të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën arabe dhe anasjelltas”. Ndërsa akad. Feti Mehdiu ndër të tjerat në referatin e tij vlerësues për botimin e “Fjalorit arabisht- shqip”, tha:” Tani më opinioni shqiptar ka në duar fjalorin Arabisht – shqip, fjalorin e një gjuhe botërore e cila është gjuhë e një libri të shenjt – Kur ‘anit fisnik, i cili nuk ka kufi në botë dhe që tek shqiptarët është i pranishëm, sistematikisht, prej shekullit 14. Ka në duar fjalorin e njërës ndër gjuhët më fleksibile në familjen e gjuhëve botërore. Kjo meritë i takon së pari autorit, por nga krenaria për këtë vepër nuk i mohohet Orientalistikës shqiptare dhe Universitetit të Prishtinës, ku është përgatitur e është rritur autori i fjalorit, Dr. Isa Memishi”. Për Bardh Rugovën, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, fjalori është një ndërtim i fuqishëm që tregon seriozitet të autorit.
“Është një vepër ambicioze, e guximshme dhe e dobishme”, ka thënë Rugova. “Fjalori arabisht – shqip i profesor Memishit përmbush një mungesë të botimeve të këtilla në gjuhën shqipe”. E autori prof dr. Isa Memishi pasi që falënderoj të gjitha ata që kontribuuan në botimin e fjalorit, për vështirësitë që kishte hasur gjatë punës tha: “Krejt kjo punë kishte nisur kur vetë ai, në kohë studimesh, qe përballur me telashe të shumta në mungesë të një fjalori të tillë. Ishte dashur më shumë se një dekadë që ai të përfundojë misionin që ia kishte vënë vetes”. Më tutje prof. Dr. Isa Memishi tha: “Duke marrë parasysh literaturën klasike shumë të pasur, krahas leksikut bashkëkohor të gjuhës arabe, më është dashur që në këtë projekt të përfshijë edhe e mjaft shprehje të vjetra”, ka thënë Memishi. E autori është shprehur modest dhe i hapur për kritika. “Jam i vetëdijshëm se, me gjithë vëllimin e këtij fjalori, mund të më kenë shpëtuar fjalë të mos kem përfshirë në këtë botim. Më mban shpresa se në rast të ribotimit do të përpiqem ta pasuroj edhe më”, ka thënë ndër të tjera ai. |