Prishtinë, 23 qershor 2011
 Revista “Dituria Islame” në një manifestim solemn në prani të udhëheqjes më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës, qeveritarëve, deputetëve, bashkëpunëtorëve, ish-kryeredaktorëve, redaktorëve, si dhe mysafirëve të shumtë mbrëmë, më 23.06.2011, ka shënuar 25 vjetorin e veprimtarisë së saj të suksesshme e të begatshme.
Në këtë manifestim roli dhe kontributi i revistës “Dituria Islame” u çmua lartë si në aspektin fetar ashtu edhe në atë kombëtar, kulturor, historik e informativ. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, për rrethanat në të cilat doli “Dituria Islame” para 25 vjetësh, tha: “Megjithëqë në sistemin komunisto-ateist, hoxhallarët tanë gjetën formë e mundësi që të botojnë një revistë, siç është “Dituria Islame”, e cila me kalimin e kohës u bë një tribunë e hapur e mësimeve për fenë, për kombin, për kulturën e qytetërimin. Dihet mirë që deri në fillim të viteve 50-ta në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, nuk e kishim asnjë titull të botuar në gjuhën shqipe. Dhe sot -elhamdulilah prej Zotit- kemi arritur që të kemi me qindra e mijëra tituj në gjuhën shqipe, kështu që tani edhe i riu edhe i vjetri ka mundësinë që të lexoj e të mësoj për fenë e vet, për kulturën e vet, për qytetërimin e vet, për të kaluarën e vet si shoqëri. Më tutje duke vlerësuar revistën Myftiu, potencoi edhe këtë “Dituria Islame dha një kontribut edhe në fushën kombëtare, qëndroj drejt, e dha vlerësime të drejta edhe për luftën në Bosnjë, në Kroaci pastaj në Kosovë e Maqedoni.” Ahmet Sadriu – përgjegjës për veprimtari botuese në Kryesinë e BIK për përvjetorin e revistës, pasi përshëndeti e falënderoj të pranishmit tha; ”Jubile të tilla janë raste të mira që të kujtohet e kaluara, të vlerësohet puna e bërë, arritjet, sfidat dhe vështirësitë. Tani më s’ka dyshim që revista “Dituria Islame” paraqet një vlerë të rëndësishme të shoqërisë sonë në përgjithësi e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe besimtarëve tanë të respektuar në veçanti.” Të pranishmëve në një fjalë përshëndetëse i’u drejtua edhe Agron Hoxha –drejtor i marrëdhënieve me publikun dhe mediat, në kryesinë e Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili pasi përgëzoj e uroj zyrat e BIK , përcolli përshëndetjet dhe urimet e kryetrarit të KMSH, haxhi Selim Muça. Ndërsa, ish - kryeredaktori i parë i revistës “Dituria islame” Jetish Bajrami në fjalën e tij përshendetëse, tha:“Të flasësh për Diturinë Islame, në cilësinë e themeluesit dhe kryeredaktorit të parë, donë të thotë të flasësh për një etapë shumë të rëndësishme dhe tejet delikate të kombit. Të kuptuarit real i rëndësisë dhe momentit të themelimit të kësaj reviste”. Në këtë përvjetor me referate vlerësuese për revistën u paraqiten akad. Feti Mehdiu dhe Dr. Hysen Matoshi. Mehdiu në referatin e titulluar: “Dituria Islame – prijatare e gazetarisë islame shqiptare”, ndër të tjera, tha: “Për këto 25 vite në faqet e Diturisë Islame u provuan dhe u kultivuan me sukses pendat e një plejade të re bashkëpunëtorësh në të gjitha fushat e kulturës islame dhe të publicistikës në përgjithësi. Këtu gjeti hapësirë për zhvillim: informacioni, reportazhi, intervista, fejtoni, polemika shkencore, përkthimi, madje edhe poezia e proza, deri edhe konkurset e shpalljet tjera. Nga këto penda sot Hapësira shqiptare ka autor me kontribute origjinale si botime të veçanta, të cilat kanë parë dritën nën ombrellën e shtëpisë botuese “Dituria Islame” dhe shtëpive tjera botuese” Ndërsa, Dr. Hysen Matoshi u paraqit me referatin: “Dimensioni kulturor, shkencor e kombëtar i revistës “Dituria islame”, ku ndër te tjrat spikati:“Le të na lejohet të supozojmë vetëm për një moment, duke shtruar pyetjen: Si do të dukej Bashkësia jonë Islame e Kosovës dhe përgjithësisht e shqiptarëve pa këtë revistë? A do ta kishte këtë dinamizëm që e ka sot, këtë nivel të dijeve islame dhe këtë traditë të komunikimit të tyre? A do të kishim informacionin e duhur mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së kulturës islame në makrosistemin tonë kulturor e kombëtar? Pa asnjë dyshim, përgjigjet e këtyre pyetjeve e vërtetojnë gjithanshëm rolin e madh që ka luajtur kjo revistë, e konceptuar fillimisht, pothuajse ekskluzivisht, si fetare, për të evoluar me kohë në një strukturë më komplekse dhe më gjithëpërfshirëse tematike nëpërmjet plotësimit me komponentë të rëndësishëm kulturorë e shkencorë, qofshin të traditës sonë, qofshin të asaj botërore”. Ndërsa, kryeredaktori aktual i revistës, Rexhep Suma, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: “Si revistë mujore, fetare, shkencore e kulturore e themeluar në qershorin e vitit 1986, “Dituria Islame” qëndroi e fuqishme në misionin e saj të informimit dhe thirrjes islame në vendin tonë, por dhe më gjerë. Ishte zëri i myslimanëve në kohën kur çdo gjë ishte moniste dhe jo vetëm nuk përfilleshin as përkraheshin mesazhet fetare islame, por ato edhe luftoheshin vazhdimisht” Në fund, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në përvjetorin e 25 të revistës ndau dy mirënjohje: Haxhi Jetish Bajramit, kryeredaktor i parë i revistës “Dituria Islame”, Për kontributin e dhënë në nismën, themelimin dhe udhëheqjen e suksesshme të revistës gjatë viteve 1986-1990, dhe Mr. Qemajl Morinës, Për kontributin e dhënë në kultivimin, afirmimin dhe sensibilizimin e fjalës së shkruar në revistën “Dituria Islame”.
|