| Mesazhi i Myftiut tė Kosovės, Mr. Naim Tėrnava me rastin e muajit tė Ramazanit |
|
|
|
Prishtinë, 12 shtator 2007
Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra) E kush e përjeton këtë muaj, le të agjërojë…” (Kur’an, 2:185). Muhammedi a.s. thotë: “Kush e agjëron muajin e ramazanit me besim (të sinqertë) dhe me shpresë (se do të shpërblehet nga Zoti për të), atij do t’i falen mëkatet e mëparshme”. Muaji i Ramazanit është një forcë morale, një mundësi për pastrim të shpirtit dhe filtrim nga urrejtja, zilia, smira dhe mllefi, sëmundje këto që e zbrazin zemrën nga dashuria dhe dobësojnë imanin, dhe rast i mirë që këto ligësi t’i zëvendësojë me ibadete, respekt ndaj Krijuesit dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. S’ka dyshim se çdo ndihmë dhe solidaritet vjen si virtyt i lartë i bindjes në Allahun xh.sh. Agjërimi bënë të njihet vlera e mirëfilltë e veprave të mira. Ai zgjon ndjenjën e falënderimit, krijon vetëdijen për ta kuptuar hallin e të vuajturve, ndarjen e dhimbjes dhe vuajtjes me ata duke zgjatur dorën e dashurisë dhe ndihmës drejt tyre me zekat dhe sadaka. Nëpërmjet agjërimit, pothuajse të gjitha zemrat e besimtarëve bëhen sikur një, e cila është e hapur e dëlirë dhe fisnike që të pranoj porositë e Allahut xh.sh. dhe ato t’i zbatojë në praktikë. Besimtari i cili agjëron është i gatshëm të ballafaqohet me probleme të ndryshme jetësore me shpresë në fitore e shpërblime. Agjërimi është një ndjenjë përgjegjësie, është një ndjenjë suksesi në punë dhe dëshirë që të jemi përherë nën kontrollin e Zotit xh.sh. Agjërimi mbush shpirtrat me dashuri, zemrave u jep gjallëri e shkëlqim, ndërsa mendjes i jep ndriçueshmëri të lartë që e ngre atë në nivelin më të lartë të vetëdijes për të qenë i aftë të përjetojë të vërtetën dhe të lusë Allahun për mirëqenie e mirësi. Agjërimi është mësim për urtësi e për të kalitur vullnetin. Ai që kryen agjërim di të disiplinojë edhe dëshirat e tij. Ky është njeriu me personalitet, karakter e vullnet të çeliktë. Të nderuar besimtarë: Muaji i Ramazanit këtë vit është dukshëm më i veçantë për ne, ngase Kosova pas negociatave të para, tash ka hyrë në një fazën tjetër delikate të definimit të statusit të saj final. Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë që do të na presin në këta muaj vijues, por kjo duhet të jetë nxitje për ne që përfundimisht t’i flakim anash mospajtimet, divergjencat dhe interesat e ngushta qoftë personale, qoftë partiake, sepse në këto momente, më tepër se kurrë na nevojitet uniteti i spektrit politik, gjakftohtësia, guximi dhe vendosmëria e të gjithë faktorëve tanë me të vetmin qëllim, realizimin e vullnetit të popullit - pavarësinë e vendit. ![]() Allahu xh.sh. thote: “All-llahu nuk ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai të mos ia ndryshoi gjendjen vetvetes”. |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|