Prishtinë, 5 shkurt 2011 Të shtunën më 5 shkurt, në njëzetvjetorin e vdekjes së Myderrizit Hasan efendi Nahit, në Prishtinë, organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në kujtim të jetës dhe veprës së tij, u mbajtën një sërë aktivitetesh.
Paraditen e së shtunës, në selinë e Kryesisë së BIK, u mbajt sesioni shkencor “Myderriz Hasan efendi Nahi, jeta dhe vepra (1905-1991)”. Në hapje të sesionit qenë të pranishëm personalitete të njohura nga fusha e shkencës, kulturës e fesë, pastaj studentë si dhe bashkëpunëtorë e ish-nxënës të Myderriz Hasan efendiut. Sesioni nisi punën me ashere nga Mustafë efendi Dervisholli, pas së cilës të pranishmeve iu drejtuar myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava. (Fajlën e myftiut do e japim të plotë). Pas fjalës së myftiut, 22 studiues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia paraqiten kumtesat e tyre për jetën, personalitetin, kontributin e tij në fushën e arsimimit e edukimit, si dhe për veprën e Hasan efendi Nahit. Gjashtë referuesit e parë trajtuan jetën e Hasan efendi Nahit (Esat Rexha: Hasan efendi Nahi (1905 – 1991); Mexhid Yvejsi: Myderriz Hasan ef. Nahi është bir'i Gjakovës, por i takon gjithë Kosovës...; Dr. Nehat Krasniqi: Reflekse të traditës kulturore të vendlindjes në personalitetin e Hasan efendi Nahit; Dr. Fahrush Rexhepi: Myderriz Hasan efendi Nahi (1905-1991),(Dijetar e atdhetar i shquar në mbarë Kosovën); Mr. Qemajl Morina: Hasan ef. Nahi student në "Al-Az-har" të Kajros; Mr. Elez Ismaili: Muderriz Hasan Nahi-hoxhë dhe tribuni i popullit të vet). Ndërsa, pesë të tjerë referuan për kontributin e Hasan efediut në fushën e arsimimit kombëtar e fetar (Sadik Mehmeti: Hasan ef. Nahi myderriz në Medresenë “Mehmet Pasha” në Prizren; Prof. Dr. Qazim Qazimi: Hasan ef. Nahi myderriz dhe pedagog në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë;. Vehap Shita: Hasan efendi Nahi pishtar i arsimit kombëtar;. Dr. Muhamet Pirraku: Myderriz Hasan ef. Nahi pishtar dhe përkrahës i arsimit kombëtar shqiptar ; MA. Alban Dobruna: Kontributi i Hasan ef. Nahit në mbrojtje të Gjimnazit të Gjakovës). Dr. Mehmet Halimi paraqiti kumtesën me mjaft interes “Fryma kombëtare në veprimtarinë e Hasan efendi Nahit”. Ndërkaq, shtatë studiues trajtuan, në aspekte të ndryshme, përkthimin e Kuranit nga myderriz Hasan Nahi (Resul Rexhepi: Hasan efendi Nahi përkthyes i kuptimeve të Kuranit në gjuhën shqipe; Akad. Feti Mehdiu: Karakteristika në ribotimet e përkthimit të Kurani Kerimi nga Hasan ef. Nahi; Dr. Ramiz Zekaj: Kultura e përkthyesit të Kuranit në shqip Hasan Efendi Nahi; Prof. Dr. Xhevat Lloshi: Lëvrimi i shqipes në shërbim të gjuhës së shenjtë të Kuranit; Ilmi Rexhepi: Sprovë për klasifikimin teorik të metodës së përkthimit të Kuranit nga Hasan ef. Nahi; Lavdim Behrami: Myderriz Hasan ef. Nahi përkthyes dhe komentues i Kuranit në gjuhën shqipe; Mr. Jahja Hondozi: Si i ka përkthyer Hasan ef. Nahi, prezentin dhe imperativin kategorik). Ali Vezaj i bëri komentin një letre që Hasan efendiu e kishte shkuar në vitin 1978, ndërsa Elez Osmani paraqiti kumtesën “Kujtime për Alimin - Hasan Efendi Nahin”. Në fund, Ramadan Shkodra u paraqit me kumtesën “Personaliteti i Hasan ef. Nahit në shtypin shqiptar”, i cili bëri një përmbledhje të shtypit për Hasan efendiun. Përpos kumtesave, pati edhe diskutime të frytshme që vlerësuan lart figurën dhe personalitetin e Hasan efendiut, këtu duhet veçuar diskutimin e Akad. Pajazit Nushit, pastaj atë të haxhi Jetish Bajramit, poeti Rexhep Hoxha, Hajruall ef, Hoxha, Isa Bajcinca etj. Nga punimet e sesionit doli se Hasan efendi Nahi ishte një ndër personalitetet më të spikatura të shekullit të shkuar, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në rrafshin fetar. Hasan Nahi u portretizua edhe si njeri principiel e i përkushtuar, një njeri me entuziazëm e dashuri të veçantë për profesionin e nxënësit, si dhe një njeri i sakrificës, guximit e bamirësisë.
Akademi në Medrese Ndërsa, në mbrëmje në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, aty ku Hasan efendiu kreu detyrën e myderrizit për 20 vjet, u mbajt akademi përkujtimore ku qenë të pranishëm përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare. Fillimisht, akademinë e përshëndeti myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, drejtori i medresesë, Bahri Simnica dhe përfaqësuesi i familjes Nahi – i biri i Hasan efendiu, Faik Nahi. Pas fjalëve përshëndetëse për të pranishmit u shfaq dokumentari “Myderriz Hasan efeni Nahi-pishtar i arsimit në Kosovë”. Këtë dokumentar, po këtë natë e transmetoi edhe RTK. |