Prishtinë, 12 maj 2010 Liderët fetarë islamë nga 11 vende të rajonit në takimin e IV-të në këtë format, e të parin të këtij lloji në Kosovë, të mbajtur paraditen e së mërkurës në Prishtinë, diskutuan për gjendjen dhe pozitën e bashkësive fetare në vendet e rajonit. Takimin e hapi, nikoqiri myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, i cili pasi u shprehu mirëseardhje liderëve fetarë islamë të Ballkanit në Kosovën e pavarur e sovrane, tha se ndihet i privilegjuar që një takim i liderëve fetarë të Ballkanit mbahet në Prishtinë.
“S’ka dyshim se për Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe për popullin e Kosovës, është një kënaqësi e veçantë, një nderë dhe një respekt që sot ne kemi mundësinë të jemi nikoqir të këtij takimi rajonal, me shpresë se ky takim sigurisht që do të na motivojë për punët tona të mëtutjeshme”- tha Myftiu Tërnava. Myftiu Tërnava, gjithashtu, falënderoj të gjithë liderët e vendeve të rajonit për kontributin që kanë dhënë për Kosovën dhe popullin e saj. Pas fjalës përshëndetëse të myftiut Tërnava, takimin e udhëhoqi kryetari i liderëve fetarë islamë të rajonit, prof. Dr. Ali Bardakoglu, që njëherësh është edhe kryetar i DIJANET-it . Edhe kryetari i DIJANET-it, prof. Dr. Ali Bardakogu shprehu kënaqësinë e tij që takimi i liderve islamë të Ballkanit mbahet në Kosovën e pavarur. Prof. Dr. Ali Bardakogu, në vazhdim vuri në spikamë misionin e udhëheqësve të bashkësive, fetare përse tha: “Misioni ynë është që të jemi në shërbim të Zotit, në shërbim të fesë, andaj ne kemi një barrë të madhe mbi vete ngase këtë mision duhet prezantuar me përkushtim te besimtarët tanë. Zoti ne na ka dhënë një përgjegjësi të madhe, andaj këtë përgjegjësi duhet realizuar duke i ndihmuar njëri-tjetrit, duke e mbështetur njëri - tjetrin. Asnjë nga ne nuk jemi të vetëm, të gjithë ne jemi vëllezër, jemi të barabartë, nuk është me rëndësi numri i popullatës në vendet tona, ne këtu jemi të gjithë të barabartë”. Ai më tutje u shpreh se ne jemi përgjegjësit e bashkësive islame të rajonit dhe puna të cilën e bëjmë, është që të kontribuojmë në realizimin e pritjeve të këtij takimi. Nga takime tona të deritashme kemi arritur që mes nesh të krijojmë një atmosferë të një mjedisi familjar, ngase njohim njëri-tjetrin, dimë për sfidat e njëri-tjetrit, dhe jemi në dijeni për rezultatet e shënuar në komunitetet tona. Unë shpresoj që takimi ynë këtu në Kosovë do të jetë një shkak më shumë për hajr e për suksese të të gjithë neve. Me pas të gjithë liderët fetarë pjesëmarrës në takim, duke filluar Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, kryetari i Komunitet Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, reisi i Maqedoniës, Sulejman Rexhepi, reisi i Malit të Zi, Rifat Fejziq, myftiu i Mostarit, Seid Smjakiq, si dhe liderët e Bashkësisë Islame nga Kroacia, Sllovenia, Bullgaria e Greqia diskutuan për sfidat, arritjet dhe objektivat e bashkësive islame, në vendet e tyre, në fund liderët fetarë islamë miratuan këtë deklaratë, në të cilën thuhet:
Ne liderët fetarë islamë të Ballkanit, të mbledhur sot në një takim pune në Prishtinë, në përfundim të punimeve , dalim me këtë:
Deklaratë
1. Shprehim kënaqësinë tonë që tubimi ynë, i katërti me radhë, u mbajt në kryeqendrën e Kosovës së pavarur e sovrane – të shtetit më të ri në botë. Tubimi ynë shpreh thirrjen, mesazhin dhe angazhimin tonë për paqe, dashuri e tolerancë. Gjithashtu, gjithnjë bazuar në parimet hyjnore, ne bëjmë thirrje për respektimin e vlerave pozitive njerëzore e universale, duke respektuar kulturën e traditën, si dhe duke njohur divergjencat, të cilat përbëjnë një begati për popujt tanë.
2. Rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë për thellimin e bashkëpunimit e të bashkëveprimit të bashkësive tona fetare në fusha të ndryshme, ku primare do jetë mbështetja ndaj njëra-tjetrës, si dhe angazhimin tonë për ruajtjen e doktrinës historike të kultivuar në trojet tona.
3. Të gjitha bashkësitë islame, pjesëmarrëse në këtë tubim, shprehim zotimin për t’u angazhuar edhe më shumë, për format e edukimit të popullatës islame me njohuri fetare, si në institucionet islame, ashtu edhe në institucione publike.
4. Kërkojmë nga qeveritë e shteteve të rajonit, që të përgatisin kuadrin e nevojshëm ligjor, në mënyrë që bashkësive islame t’u krijohen mundësi për ushtrimin e lirë të misionit tonë të shenjtë. Jemi të bindur që kultivimi i lirë i fesë, është çelës i paqes.
Gjithashtu kërkojmë nga qeveritë e vendeve të dala nga ish-sistemi komunist, që të përgatisin kuadrin ligjor për rikthimin e pronave vakëfnore, të uzurpuara e të tjetërsuara nga ish-sistemi komunist.
5. Edhe një herë, shprehim angazhimin tonë tashmë të njohur, se punën tonë do ta mbështesim në parimet kuranore, traditën e synetit dhe traditën pozitive islame, të kultivuar këtu e 600 vjet nga të parët tanë.
6. Ne liderët fetarë dhe bashkësitë tona, angazhohemi që t’i kushtohet një kujdes i merituar institucional trashëgimisë materiale të proviniencës islame në vendet tona, duke filluar nga qeveritë e shteteve tona, institucionet ndërkombëtare, bashkësitë fetare, e deri tek shoqëria civile dhe besimtarët tanë.
7. Shprehim shqetësimin tonë, për tendencën që disa individë e subjekte, kohët e fundit, përpiqen që sektin bektashi ta paraqesin si fe në vete. Kjo për sa kohë që ne e dimë, sipas fakteve shkencore e historike, dhe mbi të gjitha të atyre fetare, se bektashizmi është një tarikat sufist në kuadër të fesë islame.
8. Jemi marrë vesh që të gjitha bashkësitë islame në rajonin tonë të bashkëpunojnë për organizimin e Haxhit dhe umres, me qëllim të lehtësimit të procedurave për haxhinjtë tanë.
9. Ne liderët e bashkësive fetare të rajonit kërkojmë që, në të ardhmen, një vëmendje e posaçme t’i kushtohet mërgatës sonë kudo që ajo jeton e punon përkohësisht, me të vetmin qëllim që atyre t’u krijojmë kushte e mundësi për ruajtjen e gjuhës, fesë dhe identitetit.
10. Gjithashtu shprehim angazhimin tonë të përhershëm për bashkëpunim të ndërsjellë në dobi të paqes, tolerancës dhe integrimit të shoqërive tona, dhe gatishmërinë që të bashkëpunojmë edhe me bashkësitë e tjera fetare.
Prishtinë, 12 maj 2010
|