Bashkėsia Islame e Kosovės

Ajet kuranor:

33:9. O ju qė keni besuar, pėrkujtojeni tė mirėn e All-llahut ndaj jush, kur juve u erdhi njė ushtri e Ne kundėr tyre lėshuam njė furtunė dhe ushtri qė ju nuk e shihnit, e All-llahu e shihte atė qė ju vepronit.

Vërejtje! Jeni duke shfletuar verzionin e vjetër të websajtit.
Kaloni nė verzionin e ri, duke klikuar KĖTU!

Rikujtimi i Shėmbėlltyrės sė Muhamedit a.s.* Printoni E-mail

Mr. Naim Tërnava
Myfti i Kosovës

Të nderuar të pranishëm, vëllezër e motra!
Allahu xh. sh. në Kuran thotë:
Dhe nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse mëshirë për botët”.
Jemi tubuar sot, në këtë sallë për të rikujtuar edhe njëherë Muhamedin a s. edhe pse prezenca e tije në vazhdimësi është tek qindra milion besimtarë anë e këndë botës. Edhe me këtë rast le të madhërojmë Allahun dhe të kërkojmë begatit e Tij, le t’i dërgojmë përshëndetje Pejgamberit fisnik. Të gjitha lavdërimet tona janë për Allahun, favoret e të Cilit janë shkaku i vetëm i të gjitha arritjeve dhe veprave të mira, begatit qofshin për krijesën e Tij më të lartë, gjithashtu, bekimet qofshin mbi shokët e ndjekësit e tij deri në Ditën e Ringjalljes.


Në mes të gjithë personaliteteve të mëdha të botës, qoftë pejgamber - të dërguar, reformatorë fetarë, dhe shoqërorë, një përparësi absolute e të dërguarit të fundit është fakti se askush nuk e ka të ruajtur në mënyrën më të imët çdo hollësi të jetës së tij. Kështu, çdo fakt që ka lidhje me misionin e tij, hollësitë më të imëta të jetës së tij, lidhjet e tij me farefisin, shokët dhe çdo lidhje tjetër, karakteri i tij i përsosur, të gjitha këto mund të njihen përmes Kuranit të shenjtë dhe përmbledhjes së thënieve të tij- traditës (haditheve). Këto, si edhe veprat e dijetarëve të hershëm bëjnë një korpus të plotë të jetës së tij.
Ata të cilët i dhanë gjallëri edhe më të madhe personalitetit dhe jetës së Muhamedit a.s. janë edhe shokët e tij të cilët ishin mburojë e pakalueshme e Muhamedit a.s. besnik e burra të fjalës të cilët ngrihen lartë në Kuran.
Allahu xh. sh. thotë: “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë  Allahut, e disa prej tyre realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur…”   (Kuran, Ahzab: 23)
Me zbritjen e Kuranit, dhe shpalljen e Islamit fe për mbar njerëzimin, përfundon edhe koha e injorancës në tërë Gadishullit Arabik, luftërat midis fiseve, të cilat kishin vazhduar qëkur, me breza që nuk mbaheshin mend, përfunduan. Për herë të parë, në histori, arabët e ndjenin veten një komb paqësor. Para daljes në skenë të Islamit, plaçkitjet dhe vrasjet ishin gjë e zakonshme. Askush nuk ndjehej i sigurt. Pozita e grave ishte në pozitën më të ulët. Shumë baballarë vrisnin foshnjat e tyre të gjinisë femërore. Në atë kohë, skllavëria ishte në lulëzim të plotë dhe skllevërit trajtoheshin në mënyrën më çnjerëzore. E tërë shoqëria arabe ishte e zhytur thellë në vese, në besëtytni dhe në barbarizëm,adhuronin shumë zota – idhuj. Në këtë mënyrë, para shpalljes së Kuranit, arabët jetonin në mesin e errësirës dhe, për këtë arsye, kjo periudhë njihet si “Koha e Injorancës”.
Pejgamberi i fundit Muhamedi a.s. ka qenë i pari në historinë e botës që e hoqi sistemin e skllavërisë, i cili praktikohej nga arabët në të njëjtën mënyrë sikurse është praktikuar nga Perëndimi, gjatë periudhës së kolonializmit. Kështu që, me heqjen e sistemit të skllavërisë, Perëndimi vetëm se e ndoqi shembullin e Muhamedit a.s. shekuj më vonë.
Ai ishte i pari që e zhduku pabarazinë shoqërore, duke deklaruar me fjalët e Zotit: “Më i nderuari midis jush është ai që është më i devotshëm.” Ai përsëriste se është krejtësisht jashtë arsyes çfarëdo dallimi midis njerëzve, për shkak të një rastësie të thjeshtë, si është lindja nga një familje e veçantë ose vend i veçantë. Në këtë mënyrë, ai i shembi të gjitha pengesat e vendosura në shoqëri e që fatkeqësisht ekzistojnë akoma sot, për të forcuar pozitat në fushën e pasurisë, të punës apo të dallimeve racore. Në këtë mënyrë, ai arriti të krijoi një lidhje të veçantë, një vëllazëri që i kapërcen lidhjet e thjeshta ndërkombëtare e ndër racore, duke i shkrirë shtresat e larta me ato të ulëta, të pasurit me të varfëritë, të bardhët me të zinjtë e të far do ngjyre tjetër. Ai deklaronte: “Allahu nuk ju shikon pamjen e jashtme tuajën e as pasurin, por ai shikon  zemrat  dhe punën tuaj”.
Muhamedi a.s. është krenaria e njerëzimit. Që prej katërmbëdhjetë shekujsh, gjenitë më të mëdhenj dhe filozofët  me përmasa botërore si dhe shumë e shumë teoricienë e mendimtarë, yje të qiellit tonë të mendimit kanë ndenjur të përulur nën hijen e tij duke i thënë: “Ti je njeriu për të cilin ne krenohemi se i përkasim“!
Po vëllezër, koha plaket e thinjet, disa mendime vjetrohen e humbasin vlerë, kurse Muhamedi a.s. në zemrat e besimtarëve qëndron prore, si një lule që qel nga pak e më shumë çdo ditë, ripërtërihet e bëhet çdo ditë edhe më i freskët…
Po, sot, duke filluar me Amerikën, Anglinë, Francën dhe Gjermaninë, pothuajse e gjithë bota po vëren një ringjallje për llogari të tij, myslimanët e çdo vendi po qëndisin mendimet e tij të ndritshme dhe Islami pothuajse po jeton frymën e një “Epokë të Lumtur e të re”.

Të nderuar vëllezër!
Nuk e di, a i keni vënë re me kujdes ata që mbushin cep më cep xhamitë ditën e xhuma, por edhe hapësirat rreth tyre në Kosovë? Me siguri po, atëherë keni parë që shumica dërmuese e tyre janë të rinj. Cila është ajo forcë që, përkundër pengesave të shumta, dhunës dhe perversitetit me anë të atij vakuumit të sistemit të kaluar komunist ateist, i bën këta të rinj që nëpër borën e dimrit të ftohët të marrin abdest duke u dridhur e të vrapojnë për në xhami? A thua vallë çfarë është kjo!. Po deshët, po ua them unë: Është besimi, tërheqja e shenjtë e dashurisë dhe respektit ndaj Muhamed Mustafas.
Allahu xh sh thotë:
Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që i besuan Allahut dhe të dërguarit të Tij, që nuk dyshuan dhe që luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe shpirtrat e tyre,të tillë janë ata të vërtetit.” Huxhurat: 15.    
Sovrani i zemrave dhe drita e syve tanë Muhamed Mustafaja do të peshojë më rëndë me kalimin e kohës anë e këndë botës, edhe pse sot Islami është fe prijatare edhe në numër në mbar botën. Numri i përgjithshëm i myslimanëve sot në botë është mbi 22% e banorëve të saj. Ndodhë kështu ngase gjithçka është krijuar me respekt ndaj virtyteve të tij.
Ardhja e tij është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Që kjo është kështu, na e thotë edhe vet Zoti ynë: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi  tyre dërgoi të dërguar që atyre tu lexojë shpalljen e Tij, ti pastroi ata, t’ua mësoi Kuranin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” Ali-Imran 164.
Në të njëjtën kohë, ai qe edhe njeriu i paqes e i qetësisë. Ne e dimë dhe e besojmë kategorikisht se mesazhi që solli ai, gjithashtu qe një burim paqeje e qetësie dhe historia është dëshmitarja më e madhe e kësaj. Ja, pra, e vetmja zgjedhje për ta bërë njerëzimin që ta shijojë për së pari këtë paqe e qetësi, është që t’ua bëjmë të njohur njerëzve Atë dhe dritën që solli Ai. Sepse, në raport me sa do të njihet ai, edhe do të duhet, dhe në saj të asaj dashurie, do të ndërroj fytyra e shoqërisë.
Allahu xh sh thotë: “E veprat e atyre që nuk besuan janë si valët në një rrafshin ku i etshmi mendon se është ujë, dhe kur i afrohet nuk gjen asgjë, por aty gjen Allahun dhe Ai do t’ia jap llogarinë e tij…” Nur -39.

Të nderuar vëllezër e motra!
Allahu u ka bërë një favor të madh besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një pejgamber që t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësoj Librin dhe urtësitë, për ardhjen e të cilit kishin lajmëruar edhe librat e më hershëm të shpallur nga ana e Allahut tek pejgamberët e Tij.
Ibrahimi a.s. është lutur  “Zoti ynë ! Dërgoju një përfaqësues nga mesi i tyre që t’u lexoj ajetet e Tua, t’u mësojë Librin  dhe urtësinë e ti pastrojë (prej idhujtarisë), Ti je i Dituri, Sovrani.
Edhe  Isai a.s. lajmëron për ardhjen e Muhamed Mustafasë: “Kujto se Isai, biri i Merjemes  tha: “O bijtë e Izraelit! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju, jam vërtetues i Tevratit të dërguar para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed …” (Kuran, Saff, 6)
Nuk është e rastësishme kur i Dërguari i Allahut ka thënë: “Fjala më e lartë dhe e virtytshme e thënë prej meje dhe prej të gjithë profetëve të ardhur para meje, është fjala që përmblidhet në këtë shprehje: “La ilahe ilallahu vahdehu la sherike lehu”, “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një të Vetëm e të Pashoq!
Jo vetëm shekulli ynë, por të gjithë shekujt që kanë kaluar para nesh, e që do të vijnë pas nesh deri në Ditën e Gjykimit, hyjnë në mbretërimin e profetësisë së Muhamedit a.s., përkatësisht, për mesazhin dhe misionin e tij. Ai i çliroi njerëzit nga zgjedha e rëndë që i mbante të kërrusur me shekuj dhe, duke ngulitur tek ata  mirësi e dhunti të tilla, që bënë të lindë një jetë e re, zell e përpjekje të reja, vrull e hov i ri, koncepte të reja të nderit e të dinjitetit. Doli në dritë një shekull i ri, ku lulëzuan kultura e civilizimi, artet e dijet shkencore, duke e ngritur jetën shpirtërore në sferat më të larta.
Muhamedi a.s. është më i famshmi i gjithë historisë njerëzore. Ai është gërshetim i virtyteve të ndritshme dhe pasqyrë e shëmbëlltyrës së lartë. Është dërguar nga Zoti si mëshirë për mbarë njerëzimin. “Morali i tij ishte Kurani”. Ai i përfitoi zemrat e njerëzve si askush para ose pas tij. Edhe pse ishte i falur dhe më i dashuri i Zotit, ai falej dhe lutej duke kaluar netët në adhurim aq sa i ënjteshin këmbët.
Prandaj një prej metodave si përgjigje adekuate ndaj mashtruesve janë vlerësimet e bëra nga shumë figura të njohura të perëndimit ndaj Muhamedit a.s. Në vazhdim do të sjell disa nga konsideratat e tyre.
Muhamedit (a.s.) i takon lavdia më e madhe, që e udhëzoi njerëzimin në dritën e vërtetë, në drejtësi dhe paqe.” ( Tolstoi)
 “Musai (Mojsiu) ia ka shpallur fenë e Zotit, popullit të vet, Isai (Jezusi) botës romake, kurse Muhamedi (a.s.) tërë botës.”  Napoleon Bonaparta
Muhamedi a.s. është personaliteti i jashtë zakonshëm. Muhamed më vjen keq që s’isha bashkëkohësi yt. Njerëzimi, vetëm një herë, ka parë një figurë të tillë unikate, si ishe ti dhe më s’do të ketë rastin të shohë (të ngjashëm). Unë, më respektin më të madh përulem, para paraqitjes tënde të madhërishme”. Princi Otto Von Bismark
Nuk përmendet, në histori, ndonjë reformator, që të ketë tronditur shpirtrat, të ketë gjallëruar moralin dhe të ketë lartësuar virtytin, sikurse veproi Muhamedi (a.s.), pejgamberi i Islamit.” Sir Villiam Mur
Ajo që është shkruar, për Muhamedin a.s. dhe islamin, në Evropë, në të shumtën e rasteve, duhet të merret si kuriozitet letrar. Në Perëndim, asnjë figurë e madhe gjatë gjithë historisë, nuk është vlerësuar me aq tendenca dashakeqe, sikurse është vepruar me Muhamedin a.s.”   Prof. Bevan

Të nderuar të pranishëm !
Kur bota islame i gëzohet ardhjes në këtë jetë të Muhamed Mustafasë nëpërmjet rikujtimit të ditëlindjes së tij.
Kur myslimanët në këtë apo atë mënyrë festojnë në shenjë respekti ditëlindjen e Muhamedit a.s.
Kur mbahen manifestime të shumta kushtuar shëmbëlltyrës së tij, jetës e veprës së tij.
Kur Allahu e melaiket luten për te në vazhdimësi.
Kur myslimanët e mbar botës luten për Muhamed Mustafanë.
Kur festat islame edhe më ia shtojnë krenarin fes sonë.
Kur myslimanët në shenjë respekti lexojnë e këndojnë poezi-mevlud në gjuhë të ndryshme të botës.
Kur kujtojmë sistemin komunist dhe rolin e mevludit në shoqërinë kosovare.
Vërtetë me plot gojën themi se mevludi në Kosovë pati një domethënie të madhe në ruajtjen e identitetit islam, ndaj me krenari të madhe këndojmë e lexojmë mevlude e mbajmë tubime për këtë shëmbëlltyrë të pa përsëritshme në historinë njerëzore.
Festen e mevludit, të Isras e Miraxhit etj, asnjëherë nuk do të lejojmë të zëvendësojmë sipas dëshirave të disave me Shën Valentinin, Natën e Shtrigave, Festen e të vdekurve, etj
Shëmbëlltyra e Muhamedit a.s. do të rri prore në zemrat tona, shtëpitë tona, shoqërinë tonë ngase kështu na mëson Kurani, kështu na mëson Muhamedi a.s.

----------------------------------------------------

* Fjala e Myftiu të Kosovës, në manifestimin “Muhamedi a.s., shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin” mbajtur në Prishtinë më 23 mars 2010.
 
< I mėparshmi   Tjetri >

Vërejtje! Jeni duke shfletuar verzionin e vjetër të websajtit.
Kaloni në verzionin e ri, duke klikuar KËTU!