Bashkėsia Islame e Kosovės

Ajet kuranor:

82:4. Dhe kur tė trazohen varret.

Fjala e myftiut nė Akademinė pėrkujtimore me rastin e 60-vjetorit tė rėnies sė Mulla Idriz Gjilanit Printoni E-mail
Prishtinë, 26 nëntor 2009
 

Fjala e myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava në Akademinë përkujtimore me rastin e 60-vjetorit të rënies së Mulla Idriz ef. Gjilanit

- E nderuar familje Hajrullahu!

- Të nderuar pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve!

- Të nderuar të pranishëm!

- Vëllezër e motra!

Kam nderin që sot në këtë akademi përkujtimore, që organizohet në 60 vjetorin e rënies së Mulla Idriz Gjilanit t’u drejtohem me një fjalë rasti, dhe tua uroj festën e Kurban - Bajramit dhe festën e Flamurit.

 

Të nderuar të pranishëm, përvjetorët si ky janë një rast i mirë që t’i kujtojmë figurat e shquara që bënë shumë për popullin dhe vendin tonë; është rast i mirë që të shpalosen vlerat, virtytet e sakrificat e tyre sublime në shërbim të kauzës tonë fetare e kombëtare. 

Ndihem i privilegjuar dhe i emocionuar njëkohësisht që sot kujtojmë sakrificën e mulla Idriz Gjilanit, pikërisht në një datë që koincidon dhe simbolizon sakrificën në Emër të Allahut për të mirën e njerëzimit, dhe kjo është Nata e Madhe e Kurban Bajramit, për vlerat dhe porositë e së cilës natë, Mulla Idriz efenedi Gjilani kushedi sa e sa herë u ka folur dhe u ka ligjëruar popullit dhe xhematlinjve të tij.

Në anën tjetër, ky përvjetor gjithashtu koincidon edhe me një datë tjetër të shënuar dhe shumë domethënëse për popullin tonë, e kjo është Festa e Flamurit, me të cilin Flamur mulla Idrizi me atdhetarë, shokë e bashkëpunëtorë të tij luftoi në mbrojtje të territoreve shqiptare që synoheshin të grabiteshin nga fqinjët tanë sllavë.

Me idealet e sakrificës që rrënjët i ka që nga koha e Ibrahimit a.s., madje që nga Ademi a.s. dhe me idealet e mbrojtësve të Flamurit tonë kombëtar, Mulla Idrizi organizoi, mbrojti dhe luftoi për tërësinë e tokave shqiptare. Ideal ky i kolosëve dhe personaliteteve më të ndritura të popullit tonë, që u paraqiten dhe linden si Feniks nëpër periudha dhe etapa të ndryshme të historisë sonë.

Lufta e imponuar nga armiqtë grabitqar e të pa mëshirë kundër një populli liridashës shtyri popullin tonë në organizime të njëpasnjëshme për tu ballafaquar me armikun .

Shumë nga vëllezërit dhe motrat tona u diskriminuan,torturuan dhe u vranë pa të drejt nga armiqtë Sllav. Ndaj Mulla Idris Gjilani i shtyrë edhe nga porosi të shumta kuranore të cilat  ishin kalitur thellë në shpirtin e zemrën e tij, bëri që ai të jetë jo vetëm një luftëtar por edhe strateg në luftë për çlirimin e atdheut. Allahu thotë:” Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se iu është bërë e padrejtë e Allahu ka fuqi për t’iu ndihmuar atyre.” Elhaxh-39 

Sot kujtojmë hoxhën, alimin, bashvaizin, myftiun, edukatorin, prindin, familjarin, patriotin dhe mbi të gjitha e para së gjithash birin e këtij trualli, i cili tërë jetën ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe përparimit të popullit të tij, si dhe organizimit dhe mbrojtjes me dinjitet të vendit të tij, aq sa për këtë qëllim  flijoi edhe  jetën dhe u bë kurban për vendin e tij. Allahu xh.sh. thotë:

”E për ata që ranë në rrugën e Allahut, mos thoni se ata janë të vdekur, jo ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni gjallërinë e tyre”. El-Bekare 154.

Ndaj me të drejt mund të themi se dëshmorët e tillë asnjëherë nuk vdesin.

Dhe me të drejt sot, edhe për komandantin legjendar Adem Jasharin në vendin ku ra shehid, shkruan: ”Ai është i gjallë”

Po është i gjallë të nderuar të pranishëm mulla Idrz Gjilani është i gjallë Adem Jashari dhe janë të gjallë të gjithë shehidet e Kosovës sonë që  kjo tw jetë e lirë e sovrane.

Mulla Idriz efendi Hajrullahu - Gjilani me punën, jetën dhe veprën e tij mbeti një shembull që duhet ndjekur se si jetohet, punohet dhe si duhet të vdiset për vendin dhe popullin.

Kur kujtojmë figurën shumë dimensionale të Mulla Idrizit para nesh shfaqet një njeri modest, i qetë, i dashur, i respektuar dhe respektues. Një njeri i fjalës dhe i besës, një trim e guximtar, të cilin e shquante sinqeriteti dhe devotshmëria.

Kur kujtojmë Mulla Idrizin para nesh shfaqet një besimtar i devotshëm dhe i përkushtuar në Rrugën e Zotit.

Kur kujtojmë Mulla Idrizin kujtojmë një talebe të zellshëm, inteligjentë dhe entuziast të medresesë “Atik” të Gjilanit, i cili ndoqi rrugën e myderrizëve të tij, në veçanti të mulla Haki Taip efendi Sermaxhës së mirënjohur.

Kur kujtojmë Mulla Idrizin kujtojmë një bashvaiz që mbante ligjërata plot urtësi e këshilla, me një elokuencë të theksuar nëpër xhamitë dhe odat tona.

Kur kujtojmë Mulla Idrizin kujtojmë një hoxhë pedantë, të matur në fjalë dhe në sjellje, një hoxhë që reflektonte plot nur e hijeshi.

Kur kujtojmë Mulla Idrizin kujtojmë myftiun që riorganizoi myftininë e Gjilanit me rrethinë, një myfti që dha fetva të matura e me kompetencë dhe të bazuara në Kuran dhe në Synetin e Pejgamberit a.s., një myfti që në fetvatë e tij nuk u ndikua nga kënaqësitë dhe të mirat e kësaj bote.

Kur kujtojmë mulla Idrizin kujtojmë njeriun i cili ndonëse i edukuar dhe i shkolluar për të qenë udhëheqës shpirtëror, kur e thirri Ora e Atdheut dhe kur ra kushtrimi, la qyrsinë dhe minberin, la penën e tij dhe postin e myftiut dhe rroki armët, dhe u vu në krye të popullit për mbrojtjen e tokës të cilën ia lanë amanet të parët, u vu në mbrojtje të trojeve në të cilat kishte qenë dëshirë e Allahut që të lindte e të rritej mulla Idrizi. Ashtu siç lanë xhamitë edhe shumë imam duke ndjekur shembullin e mulla Idriz Gjilanit edhe në luftën e fundit në Kosovë ku afër 40 imamë ranë dëshmor në mbrojtje të atdheut,të motivuar nga atdhedashuria dhe porosia kuranore: ”Luftoni në rrugë të Zotit kundër atyre që ju luftojnë ,por mos i tejkaloni kufijtë” El - Bekare: 190.

Nuk ishte përzgjedhja e Mulla Idrizit që ai të lindte e të thithte ajrin e këtyre trojeve, por pikërisht ky fakt e obligonte që ai t’u delte zot këtyre trojeve, sepse kështu e kishte mësuar islami, familja, mualimët në mejtep dhe myderrizët në medrese si dhe atdhetarët e shquar nëpër odat tona. Dhe në qoftë se nuk do ta bënte një gjë të tillë, këtë nuk do t’ia falte as Zoti.

Kur kujtojmë mulla Idrizin kujtojmë rezistencën heroike dhe burrërore të Mulla Idrizit me shokë që zhvilluan në majën e Kikës, me se i treguam  botës se ne nuk jemi popull që pranojmë ideologji dhe sisteme e regjime të huaja të cilat nuk njohin Zotin dhe e fenë.

Në këtë akademi përkujtimore në 60-vjetorin e rënies së Mulla Idriz efendi Gjilanit, ndihemi të lehtësuar, sepse shumë nga idealet për të cilat u flijua Mulla Idrizi me shokë, sot po jetësohen dhe po bëhen realitet në Kosovën e lirë e sovrane.

Sot ndihemi më të relaksuar se kurrë njëherë më parë, sepse figurat si kjo e mulla Idrizit, të anatemuar për dekada të tëra, po zënë vendin e tyre të merituar në historinë tonë kombëtare. Më organizimin e kësaj akademi dhe të ngjashme si kjo, sikur po e lajmë një pjesë të borxhit që kemi për këto figura të shuara, të dëshmuara e të verifikuara në rrafshin kombëtar dhe fetar.

Megjithatë mbetet punë dhe detyrë e jona që së pari t’i ndriçojmë edhe figurat e tjera të kalibrit të mulla Idrizit dhe kështu t’u japim atyre vendin e merituar dhe së dyti të ndjekim dhe të pasojmë idealet dhe porositë e tyre.

Zoti e mëshiroftë shpirtin e përvuajtur dhe fisnik të Mulla Idriz efendi Gjilanit.

Dhe në fund fare, më lejoni që nga zemra t’ju uroj juve që jeni këtu të pranishëm dhe të gjithë besimtarëve kudo që janë festën e Kurban Bajramit dhe Festën e Flamurit.

 

Prishtinë, 26.11.2009

Myftiu i Kosovës

Mr. Naim Tërnava

 
< I mėparshmi   Tjetri >