Prishtinë, 8 dhjetor 2008
 Mesazhi i Myftiut të Kosovës – Mr. Naim ef. Tërnava i mbajtur në Hytben e xhamisë “Sulltan Murat”të Prishtinës m e rastin e festës së Kurban - Bajramit
Haxhi dhe Kurbani determinojnë secila në mënyrën e vetë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë
Besimtarë të nderuar! Vëllezër e motra!
Sot është një ditë e madhe festive – Dita e Kurban Bajramit, dita që bashkon zemrat e muslimanëve anembanë botës , për të përjetuar me shpirt e me ndjenja gëzimin dhe harenë, duke madhëruar e falënderuar Allahun e Gjithëpushtetshëm për begatitë Tij të dhuruara ndaj nesh.. Çdo festë, përmban në vete mesazhe e porosi, por festa e Kurban Bajramit është një festë shumë e veçantë, sepse mesazhet dhe porositë e saj përçohen jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet zemrave e veprave të mira. Kjo festë përmban këshilla e porosi shumë domethënëse të cilat na ndihmojnë për organizimin e mirëfilltë të jetës sonë në këtë botë, ngase në to përfshihet aspekti shpirtëror, ai social e human e përveç tjerash manifestohet me tërë dëlirësinë hyjnore barazia, uniteti, solidariteti e sakrifica. Jeta e njeriut në këtë botë, duhet të jetë një jetë e devotshme, jetë që në vete përmban vlerat më sublime e më madhështore, sepse pa këta komponentë, ajo do ta humbiste kuptimin e saj të vërtetë. I Madhi Allahu, në Librin e Tij fisnik urdhëron e thotë: "Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun Zotin e botëve!"(El-En' am:162) Me këtë festë ndërlidhen dy momente shumë të rëndësishme për besimtarët islam: Kryerja e kushtit të pestë të Islamit-Haxhi dhe prerja e kurbanit. Së pari, Haxhi rrezaton dhe demonstron barazinë universale në mes njerëzve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, regjionale, racore a gjuhësore. Pa marrë parasysh pozitën e tij shoqërore, arsimore e materiale. Ata që të gjithë të veshur me ihram, një petk të bardhë, që simbolizon petkun e devotshmërisë dhe thjeshtësisë njerëzore, i përkushtohen lutjeve dhe ibadetit ndaj Krijuesin, të angazhuar për fisnikërimin e shpirtit, me lot të pendimit të sinqertë dhe zotimin për angazhim të paluhatshëm në rrugën e drejtë, në rrugën që e ka urdhëruar e pëlqyer Krijuesi i gjithësisë. Haxhi është demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të myslimanëve. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e materiale në shërbim të Allahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtërorë i të gjithë myslimanëve. Lidhur me obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, Allahu xh.sh. në Kuran urdhëron e thotë: “Vizita e Qabes për hirë të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi”. (3: 97) Kurse çasti i dytë madhështor i kësaj feste është prerja e kurbanit që fillet institucionale i ka tek Ibrahimi a.s. dhe Ismaili a.s., ndodhinë e të cilëve besimtarë e përkujtojnë me pietet në çdo Kurban Bajram. Prerja e kurbanit ngërthen në vete edhe aspektin social, ngase në mënyrën më të mirë të mundshme, të pasurit shprehin solidaritetin me nevojtarët dhe skamnorët. Kurse në kohën e sotme ka peshë dhe rëndësi edhe më të madhe, sepse më shumë se kurrë, sot njerëzimi ka nevojë për ndihmë reciproke, për solidaritet, për përkrahje dhe bamirësi. Vëllezër të nderuar Haxhi dhe Kurbani determinojnë secila në mënyrën e vetë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë, së pari dashurinë e respektin ndaj Allahut e kjo vlerë krijon premisat për një jetë të rehatshme në këtë botë ku duhet të mbizotëroj paqja ndaj dhunës dhe konfliktit, dashuria ndaj urrejtjes, respekti ndaj nënçmimit, bujaria ndaj koprracisë, devotshmëria ndaj degjenerimit, arsyeja ndaj egos dhe lumturia ndaj vuajtjeve. Fatkeqësisht, sot Bota ende vuan nga konfliktet e armatosura që po sjellin vdekje e padrejtësi, sjellin tmerr e dhunë, sjellin varfëri e dëbim të popullatës së pafajshme. Prandaj, të lutemi në këtë ditë që në këtë botë të krijohen kushte e premisa për t’u shuar konfliktet, të lutemi që të mbizotërojë arsyeja për të parandaluar gjakderdhje të reja. Mbase, që të gjithë pajtohemi se njerëzimi sot ka nevojë për paqe e mirëkuptim e jo për dhunë e konflikte. Nuk duhet harruar se misioni ynë në këtë botë është jeta me dinjitet e jo me konflikte e dhunë. Besimtarë të nderuar Për ne kjo festë, si edhe ky vit që po e lëmë pas janë më të veçantë, kemi arsye për më shumë për gëzim e falënderim, ngase tashmë e kemi bërë realitet shtetin tonë për të cilin janë sakrifikuar e martizuar bijtë e bijat më të mirë të këtij populli. Falënderimi i qoftë Allahut që na mundësoi ta presim këtë ditë dhe të shohim udhëheqësit tanë tek përpiqen të konsolidojnë në vijimësi institucionet tona. Këtë vit, për të parën herë, haxhinjtë tanë në vendet e bekuara në Mekë e Medinë në Arefat, Mina e Muzdelife iu kanë bashkangjitur miliona haxhinjve nga e tërë bota, ballëhapur e krenarë, si shtetas të Republikës së Kosovës duke prezantuar me shume dinjitet vendin tonë me të gjitha vlerat e tij, gjë që është një ndjenjë e veçantë për të gjithë ne dhe sigurisht edhe një arsye më shumë për festim. Haxhinjtë tanë, sot, në këtë mëngjes të bekuar, tashmë kanë zbritur nga rrafshnaltat e Arefatit dhe të Muzdelifes dhe ia kanë mësyrë Mines së bekuar, duke i lutur Allahut me përkushtim për falje mëkatesh, për paqe e tolerancë, për ndihmë të varfërve e nevojtarëve, për mirëqenie të të gjithë njerëzve, pavarësisht nga besimi, gjuha, vendi apo ngjyra e tyre. Ata sot lutën për ndaljen e gjakderdhjeve gjithandej nëpër botë, për ndaljen e konflikteve dhe përleshjeve të popujve dhe qytetërimeve, të cilat fatkeqësisht po ndodhin në disa vende të botës. Islami është fe e paqes dhe nuk ka asgjë të përbashkët me dhunën dhe krimet që sot po ndodhin në shumë vende islame. Të nderuar vëllezër e motra Ne jemi dëshmitarë se ditëve të fundit vendi ynë po përballet me sfida të hapura, por shpresoj dhe jam thellë i bindur se ato do t’i përballojmë me sukses. Por, përr këtë na nevojitet uniteti veprues i të gjithë faktorëve institucional, politik e qytetar . E ritheksoj edhe një herë, ne si popull e si shoqëri, mbesim thellë të përkushtuar e të angazhuar për promovimin e harmonisë dhe mirëkuptimin ndërfetar e ndërnacional brenda dhe jashtë vendit tonë. Le të jetë kjo ditë e Bajramit, momenti kyç, kur ne duke mbrojtur vlerat dhe dinjitetin tonë si popull i një shteti të lirë, sovran e të pranuar ndërkombëtarisht, t’i tregojmë botës mbarë, se do të arrijmë të ndërtojmë këtë shtet, të cilin e fituam me shumë vuajtje e sakrifica. Me ndihmën e Allahut dhe të miqve tanë si dhe me angazhimin tonë të sinqertë, do ta bëjmë Kosovën një Oazë të paqes, ku secili qytetar, pa marrë parasysh etninë e tij, do ta ndjejë veten krenar e të dinjitetshëm. Në fund, e lus Allahun e Madhërishëm, që haxhinjve tanë t’ua ketë pranuar haxhin. E Lus të Gjithëpushtetshmin që atyre dhe neve të na i pranojë sakrificat dhe kurbanat tonë Dhe krejt në fund, më lejoni që të gjithë besimtarëve, e në veçanti të sëmurëve, jetimëve, invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që gjendet jashtë atdheut tonë të shtrenjtë Kosovës, atyre në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, t’ua uroj festën e madhe të Kurban Bajramit! Me fat ju qoftë festa e Kurban-Bajramit ! Myftiu, Mr. Naim Tërnava
Prishtinë, 08.12.2008
|