|
Prishtinë, 25 tetor 2008
Sot në xhaminë “Sulltan Murat” në Prishtinë Solemnisht iu dorëzua Menshura Myftiut Naim Tërnava Sot në Prishtinë, në Xhaminë “Sulltan Murat” para namazit të drekës, në një manifestim të organizuar enkas për dorëzimin e Menshurës u bë përurimi publik i Myftiut të rizgjedhur Mr. Naim Tërnava.
Në këtë manifestim që si i tillë mbahet për të parën herë në Kosovë, përpos anëtareve të Trupit Zgjedhor të Bashkësisë Islame të Kosovës, imamëve, alimëve, zyrtarëve të këshillave vendore, mysafirëve të shumtë nga të gjitha viset e Kosovës qenë të pranishëm edhe Reisi i Bashkësisë Fetare të Republikës së Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, Reisi i Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq, Myftiu i Sarajevës, Huseijn ef. Smaiç- i dërguar i Reisit të Bosnjes- Mustafa Ceriç. Ndërsa kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim ef. Muça, i cili për shkaqe familjare nuk ishte sot në Prishtinë, kishte dërguar një telegramurimi i cili u lexua para të pranishmëve. Fillimisht të pranishmeve me një fjalë përshëndetëse në emër të Kryesisë dhe Komisionit për dhënien e Menshurës i’u drejtuar H. Resul Rexhepi- sekretar i Kryesisë së BI të Kosovës. Më pas tekstin e Menshurës në gjuhën arabe e lexoi para myftiut dhe të pranishmeve Bahri ef. Simnica, ndërsa në gjuhën shqipe Sabri ef. Bajgora. Në tekstin e Menshurës ndër të tjerat thuhet: Duke u nisur nga fakti se Krijuesi ynë na dalloi nga shumë krijesa dhe na bëri Ymmet më të mirë e më të zgjedhur për njerëzimin, Ne ua besojmë Shkëlqesisë suaj Mr. NAIM (Pajazit) TËRNAVA këtë Menshur – Besatim, me fjalën e Unitetit, e cila rëndon mbi supet Tuaja, si një përgjegjësi dhe barrë e rëndë, për t’u kujdesur për çështjet e myslimanëve në Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, duke ju porositur që: - Të jeni të kujdesshëm në mbrojtjen e interesave të myslimanëve dhe që vazhdimisht të jeni në shërbim të tyre - Të jepni maksimumin në forcimin dhe lartësimin e parimeve të Fesë së ndritshme Islame, - Të jeni Thirrës në rrugën e Allahut të Madhërishëm me urtësi e këshillë të mirë. Ne gjithashtu ju bëjmë thirrje që të mos kurseni mund, kohë e as pasuri për t’i plotësuar përgjegjësitë Tuaja të mëdha, kurse obligimi Ynë është të gjykojmë për Ju me drejtësi. Ne kemi obligim të ngrisim para Jush çështjet e imamëve, këshilluesve dhe atyre që kërkojnë dituri, në mënyrë që të punojmë bashkë për ngritjen arsimore të tyre duke i pajisur ata me njohuri fetare, në mënyrë që të jenë udhëzues në rrugën e drejtë islame. Menshurën solemnisht i përcjellur nga tekbiret e të pranishmeve, Myftiut të rizgjedhur Mr. Naim Tërnava ia dorëzoi kryetari i Kuvendit të BI të Kosovës, Dr. Xhabir Hamiti. Më pas të pranishmeve nga hytbeja e Xhamisë “Sulltan Murat” me një fjalë rasti iu drejtuar Myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava, i cili ndër të tjerat tha: Sot e pranova edhe një herë një përgjegjësi shumë të madhe, përgjegjësi kjo e cila më obligon edhe më shumë. Unë edhe gjatë mandatit tim të kaluar jam përpjekur dhe jam angazhuar për të mirën e islamit dhe myslimanëve dhe mbarë shoqërisë në përgjithësi. Në të vërtetë, pozitën e myftiut e kam kuptuar dhe vazhdojë ta kuptoj jo si privilegj, por krejtësisht si obligim dhe përgjegjësi, përgjegjësi në radhë të parë para Allahut, përgjegjësi para zgjedhësve dhe para vëllezërve të mi besimtarë. Pas manifestimi për të pranishmit dhe të ftuarit e tjerë Myftiu Naim Tërnava shtroi një drekë solemne, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga institucionet e vendit, përfaqësuesit diplomatik të akredituara në Kosovë dhe udhëheqës të partive politike. بسم الله الرحمن الرحيم Menshura e Autorizimit të Kryetarit të Bashkësisë Islame dhe Myftiut të Republikës së Kosovës Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Allahun e Madhërishëm, kurse salavatet dhe selamet qofshin mbi krijesën më fisnike, Muhamedin a.s., të dërguarin mëshirë për botrat. Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.” (El-Isra’ë, 70) Dhe: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun...” (Ali Imran, 110) Duke u nisur nga fakti se Krijuesi ynë na dalloi nga shumë krijesa dhe na bëri Ymmet më të mirë e më të zgjedhur për njerëzimin, Ne ua besojmë Shkëlqesisë suaj Mr. NAIM (Pajazit) TËRNAVA këtë Menshur – Besatim, me fjalën e Unitetit, e cila rëndon mbi supet Tuaja, si një përgjegjësi dhe barrë të rëndë, për t’u kujdesur për çështjet e muslimanëve në Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, duke ju porositur që: - Të jeni të kujdesshëm në mbrojtjen e interesave të muslimanëve dhe që vazhdimisht të jeni në shërbim të tyre - Të jepni maksimumin në forcimin dhe lartësimin e parimeve të Fesë së ndritshme Islame, - Të jeni Thirrës në rrugën e Allahut të Madhërishëm me urtësi e këshillë të mirë. Në gjithashtu ju bëjmë thirrje që të mos kurseni mund, kohë e as pasuri për t’i plotësuar përgjegjësitë Tuaja të mëdha, kurse obligimi Ynë është të gjykojmë për Ju me drejtësi. Ne kemi obligim të ngrisim para Jush çështjet e imamëve, këshilluesve dhe atyre që kërkojnë dituri, në mënyrë që të punojmë bashkërisht për ngritjen arsimore të tyre duke i pajisur ata me njohuri fetare, në mënyrë që të jenë udhëzues në rrugën e drejtë islame. Shkëlqesia e Juaj – I nderuari Myfti Obligimi Juaj ndaj Nesh është Besatim, të cilin duhet ta plotësosh ashtu siç edhe e kërkon Besatimi islam, kurse obligimi Ynë ndaj Jush është këshilla më e sinqertë, fjala më e drejtë, duke qenë gjithmonë në ndihmën Tuaj për bartjen e kësaj përgjegjësie të madhe, në mënyrën më të mirë të mundur. Po ashtu Obligim Yni është që t’iu kthejmë tek e vërteta nëse Ju i shmangeni asaj. Nuk bëjmë mirë nëse ne nuk e themi haptazi atë, por gjithashtu nuk është mirë prej Jush, nëse nuk e dëgjoni fjalën tonë. Me vetëdije të plotë, duke respektuar vullnetin e zgjedhësve të nderuar, ua dorëzojmë Shkëlqesisë Suaj këtë Menshur dhe solemnisht e shpallim zgjedhjen Tuaj për Kryetar të Kryesisë së Bashkësisë Islame dhe Myfti të Republikës së Kosovës, duke e lutur Allahun e Gjithëfuqishëm, që T’i bekojë përpjekjet Tua, që T’u japë shëndet e jetë të gjatë, në mënyrë që misionin Tuaj të shenjtë, ta kurorëzoni me sukses. I Madhërishëm dhe i Zhveshur nga çdo e metë është vetëm Allahu, i Cili dëgjon, është afër lutjeve të lutësit dhe u përgjigjet lutjeve tona. * * * Komisioni për dorëzimin e Menshurës: Dr. Xhabir Hamiti - (Kryetar i Kuvendit të BIK-ut) Prof. Resul Rexhepi - (Sekretar gjeneral i BIK-ut) Prof. Sabri Bajgora - (Kryeimam i BIK-ut) Mr. Qemajl Morina - (Prodekan i FSI-së) Prof. Bahri Simnica - (Drejtor i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë Prishtinë, 26 Shevval, 1429 - 25 tetor 2008 Fjala e Myftiut të Kosovës Mr. Naim Tërnava me rastin e pranimit të Menshurës Mysafir të nderuar, vëllezër të dashur! Falënderojë Allahun e Gjithëmëshirshëm , Krijuesin e Gjithësisë, I Cili e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe ia mësoi atë që ai nuk dinte. Selamet dhe përshëndetjet tona ia dërgojmë Muhamed–Mustafasë, pejgamberit të mëshirës dhe vulës së pejgamberisë. Të nderuar vëllezër, Sot e pranova edhe një herë një përgjegjësi shumë të madhe, përgjegjësi kjo e cila më obligon edhe më shumë. Unë edhe gjatë mandatit tim të kaluar jam përpjek dhe jam angazhuar për të mirën e islamit dhe myslimanëve dhe mbarë shoqërisë në përgjithësi. Në të vërtetë, pozitën e myftiut e kamë kuptuar dhe vazhdojë ta kuptoj jo si privilegj por krejtësisht si obligim dhe përgjegjësi, përgjegjësi në radhë të parë para Allahut, përgjegjësi para zgjedhësve dhe para vëllezërve të mi besimtarë. I madhi Zot na ka nderuar me dritën islame, dritë kjo e cila shndrit dhe begaton jetën e besimtarëve dhe të njerëzimit në përgjithësi. Kjo dritë e Allahut edhe gjatë shekujve është drejtëkupuar si amanet, konform ajetit të Kuranit: إِنَّا عَرَضْنَا الأَمَانَةَ عَلَى السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَالْجِبَالِ فَأَبَيْنَ أَن يَحْمِلْنَهَا وَأَشْفَقْنَ مِنْهَا وَحَمَلَهَا الإِنسَانُ... “ Ne ua afruam amanetin –përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin për sipër dhe u frikësuan ta pranonin atë, kurse njeriu e pranoi...”. (33: 72). Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë, sot para jush zotohem se amanetin që ma keni besuar edhe për një mandat, do të angazhohem maksimalisht ta kryej me ndërgjegje, me besnikëri dhe me sinqeritet. Për më tepër, e ndjej vetën edhe më shumë të obliguar tani në rrethana të reja, në shtetin tonë të lirë, sovran e demokratik, në Republikën e Kosovës, për të cilën është derdh aq shumë gjak dhe janë bërë aq shumë sakrifica. Bota në të cilën ne sot jetojmë, para nesh shtron një varg çështjesh të rëndësishme, të cilat për ne paraqesin sfida të mëdha. Unë, siç jam i bindur në Allahun po ashtu jam i bindur se me ndihmën e Allahut në radhë të parë dhe me përkrahjen tuaj, me përkrahjen e këtij Ymmeti në atdheun tonë të shtrenjtë, me sukses do ja dalim dhe do ti sfidojmë provokimet e kohës. E ritheksoj se ndihma dhe përkrahja juaj për mua janë të pa alternativë. Në fakt ky është urdhër i Allahut, është dispozitë kuranore: وَتَعَاوَنُواْ عَلَى الْبَرِّ وَالتَّقْوَى وَلاَ تَعَاوَنُواْ عَلَى الإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ وَاتَّقُواْ اللَّهَ “Ndihmohuni në mirësi dhe devotshmëri e kurrsesi jo në të keqe e armiqësi, dhe kini frikë Allahun...”. Vëllezër të nderuar, Mysafir të respektuar, Bashkësia Islame e Kosovës, përkundër vështirësive nëpër të cilat ka kaluar, vazhdimisht është angazhuar të ruaj unitetin brenda radhëve të saj, dhe falë Zotit, këtë ka arrit ta realizojë. Unë gjatë mandatit tim do të angazhohem maksimalisht që këtë të arritur, ta kultivojë edhe më shumë, sepse jam shumë i vetëdijshëm se vetëm me unitet, vetëm me fjalë dhe punë të përbashkët, do të jemi edhe më të fuqishëm Të nderuar anëtarë të Trupit zgjedhor, të nderuar të pranishëm, Duke ju falënderuar edhe një herë për besimin e dhënë, lus Allahun e Gjithëmëshirshëm të na ndihmojë në ngritjen lartë të fjalës së Allahut, të na ndihmoj në praktikimin e traditës pejgamberike. Ves-Selamu alejkum! Prishtnë, 25 tetor 2008 Myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava
|