| Apel |
|
|
|
Prishtinë, 15 shkurt 2007 Me rastin e vizitës që Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji me bashkëpunëtorë i bëri Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, në mes tjerash u bisedua edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë, pas ngjarjeve tragjike të 10 shkurtit. Në takim dy udhëheqësi fetar të Kosovës, Myftiu Tërnava e Ipeshkvi Gjergji duke pasuar parasysh momentet nëpër të cilat po kalon procesi për definimin e statusit të Kosovës, si dhe eskalimi i situatës pas ngjarjeve të 10 shkurtit me qëllim që të ruhet qetësia qytetare, stabiliteti institucional si dhe miqësia e bashkëpunimi me miqtë tanë ndërkombëtarë u drejtohen opinionit me këtë: Apel 1. Të gjithë jemi dëshmitarë se Kosova po kalon nëpër një fazë vendimtare në historinë e saj më të re, andaj është obligim i të gjithë atyre, të cilët ia donë të mirën Kosovës dhe popullit të saj të japin kontributin e tyre, që në Kosovë të mbretërojë qetësia, stabiliteti dhe të ruhet rendi dhe të respektohet ligji. 2. Ne i kuptojmë shqetësimet e qytetarëve për të ardhmen e Kosovës, madje edhe të drejtën për të shprehur mos kënaqësitë, por pa përdorur dhunën. 3. Ftojmë të gjithë që të ruajnë qetësinë, për të cilën Kosova ka nevojë më shumë se kurrë më parë. Duhet të kemi besim në institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, se do të vëhen në shërbim për implementimin e vullnetit të popullit. 4. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, që për hir të së vërtetës dhe të drejtës, si dhe të vet kredibilitetit të tyre, sa më parë të zbardhin faktet e ngjarjeve të fundit. 5. Familjarëve që tragjikisht humbën më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. 6. Apelojmë tek të gjithë, që të mbizotërojë arsyeja, vetëpërmbajtja dhe besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prishtinë 14 shkurt 2007 Myftiu: Naim Tërnava Ipeshkvi: Dodë Gjergji |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|